E diel, 10 Nëntor, 2024

Nga Muhamet Krasniqi: Analfabetizmi funksional, (de)motivimi, moderniteti dhe teknologjia!

- Advertisement1-

Shkruan: Muhamet Krasniqi, Sociolog


Nëse pajtohemi me faktin se një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit është arsimi, atëherë nuk duhet të lejojmë që kjo shtyllë të jetë e dobët, dhe për më tepër nuk mund të presim që mbi shtylla të dobëta të ngrisim shoqëri dhe institucione të forta!

- Advertisement -

Çfarë e prodhon analfabetizmin funksional!? Çfarë po i demotivon nxënësit dhe çfarë e nxitë motivimin e tyre!? Si të përfitojmë nga interneti dhe t’i shmangim efektet anësore të tij!? Cilët janë shkaktarët e performancës jo të mirë të nxënësve!? A ka bazë ngritja e pagave të mësimdhënësve!?

Këto janë disa nga pyetjet, trajtimi i detajuar i të cilave kërkon studim të thellë, shoqëruar me hulumtim kualitativ e kuantitativ, por megjithatë do të përpiqem të shtroj një analizë të një niveli më modest.

Në jetën shoqërore, politike, juridike, ekonomike, kulturore, ushtarake, arsimore e shëndetësore, asnjëherë nuk e kemi një faktor të vetëm si shkaktar të një veprimi apo mosveprimi të caktuar, përkundrazi, kemi shumëllojshmëri shkaqesh të shoqëruara me shumëllojshmëri pasojash. Pa dyshim se edhe “analfabetizmi funksional” apo performanca e jo e mirë e nxënësve nuk mund të bëjë përjashtim nga ky rregull. Prandaj, faktorët historik, politik, ekonomik, teknologjik, gjeografik, klimatik, arsimor, shoqëror, demografik, kulturor, fetar, familjar dhe individual, të gjithë së bashku ndikojnë në prodhimin e situatave, sjelljeve e performancave të caktuara të individëve dhe grupeve shoqërore. Duke qenë kështu, rezultatet jo të kënaqshme të nxënësve në arsimin parauniversitar nuk vijnë thjeshtë si rezultat i mësimdhënësve të tyre, por si rrjedhojë e një vargu faktorësh shumëdimensional.

Radhitja e Kosovës thuajse në fund të listës në testin PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve) – viti 2015, përkatësisht 2018, ka qenë shkas që të kritikohet me tone të ashpra sistemi i arsimit parauniversitar, me theks të veçantë mësimdhënësit si një nga bartësit kryesor të tij. Në mënyrë automatike dhe pa u menduar mirë, faji hidhet tek mësimdhënësit! Harrohet se ata janë vetëm zbatues të Kornizës Kurrikulare, Kurrikulave Bërthamë (niveli I, II dhe III) dhe strategjive e planprogrameve mësimore të hartuara nga Ministria e Arsimit (MASHTI), e cila së bashku me DKA është përgjegjëse për mbarëvajtjen e arsimit parauniversitar në Kosovë.

Askush nuk mund ta mohojë se gjendja në arsimin parauniversitar (hiq më mirë nuk qëndron as arsimi universitar) nuk është kënaqshme. Por gjithashtu askush nuk duhet të presë përmirësim cilësor për një kohë të shkurtër. Kemi parasysh se kritikët janë të prirur që “përmirësimin” ta shohin në krahasim me vendet e zhvilluara, ndërsa optimistët në krahasim me të kaluarën e pazhvilluar.

Ajo që po bëhet është krahasimi i Kosovës me vendet me zhvillim të lartë. Por neglizhohen shumë faktorë historik, politik, ekonomik, industrial, intelektual, ushtarak, kulturor e gjeografik, të cilët kanë qenë indikator të ngritjes së këtyre vendeve. Nuk ju bëhet analizë kronologjike e sociologjike rrethanave dhe proceseve që kanë quar në zhvillimin arsimor të vendeve perëndimore dhe disa vendeve nga Azia e largët, por thjeshtë me dëshpërim shikohen statistikat përfundimtare. Nuk kujtohet fakti se vetëm 23 vjet i kemi nga përfundimi i luftës dhe 14 vjet nga pavarësia. Nuk do të ishte praktikë e mirë dhe nuk kemi kapacitet të sjellim mësimdhënës nga vendet perëndimore, të cilët as për trefishin e pagës së një mësimdhënësi të Kosovës nuk do të pranonin të punonin. Si ka mundësi të çalojmë në çdo fushë tjetër, ndërsa të presim të lulëzojë arsimi!? Mësimdhënësit dhe çdo kategori tjetër nuk mund të jenë tjetër veçse produkt i shoqërisë.

- Advertisement -rrrrrrr

Duke qenë se për t’i matur arritjet tona si shtet, jemi duke u krahasuar me vendet më të zhvilluara perëndimore, padyshim se pritshmëritë s’mund të jenë të larta, për aq kohë sa trendi i progresit të tyre ka krijuar një hendek dhe distancë konstante e cila është vështirë të ngushtohet.

Pastaj pse të mos krahasohen edhe kategori të tjera shoqërore, kulturore, ekonomike, politike, shëndetësore, etj!? Le të krahasohet edhe gjendja e rënduar ekonomike, sociale, kulturore, teknologjike, infrastrukturore, ushtarake me atë të vendeve perëndimore! Në secilën prej këtyre fushave/sektorëve ne jemi shumë më mbrapa, andaj edhe sistemi arsimor s’mund të bëjë përjashtim!

Rezultatet e dukshme dhe të prekshme të arsimit nuk mund të vijnë pas një viti, dekade, strategjie e reforme të caktuar, por ato rrjedhin si shprehje e përpjekjeve serioze dhe të pandalshme nga të gjithë akterët kompetent e profesionistë.

Në vijim do të përmenden dy grupe faktorësh të përgjithshëm, të cilët në mënyrë direkte apo indirekte ndikojnë në arsimin parauniversitar:

  • Faktori historik – Historikisht Ballkani ka qenë mbrapa vendeve të zhvilluara perëndimore, ndërkohë që në këtë rajon gjeografik sërish Kosova ka qenë në fund të listës. Pastaj lufta e freskët 1998/99 ka lënë pasoja të mëdha në vendin tonë.
  • Ekonomia – Gjendja jo e mirë ekonomike ndikon në performancën e ulët te nxënësit dhe mësimdhënësit. Një mësimdhënës që e ka hallin si t’i sigurojë të ardhurat për familjen, si ta shlyejë këstin mujor të kredisë bankare dhe si ta gjejë një punë të dytë për ta përballuar koston e jetesës, (ose që është duke punuar një punë të dytë në profesion tjetër), natyrisht se e ka të vështirë të sjellë rezultate produktive.
  • Dhuna në familje – Dhuna në familje, psikike apo fizike qoftë, ndikon tek performanca e ulët e nxënësve. Edhe nëse fëmijët nuk përjetojnë dhunë, por janë prezent kur ajo ushtrohet në familje, krijohet një ndjenjë e pakëndshme dhe ulje e disponimit për mësim.
  • Mosfunksionimi i trekëndëshit mësimdhënës-nxënës-prind – Përgjithësisht pjesa më e madhe e prindërve vetëm deri në klasën e pestë shprehin interesim më të lartë për fëmijët e tyre përgjatë procesit mësimor. Ky interesim fillon të bie në arsimin e mesëm të ulët, dhe ulet ndjeshëm në arsimin e mesëm të lartë. Kjo qasje e prindit për fëmijën është sinjal se me kalimin e viteve edhe angazhimi në mësim fillon të bie.
  • Teknologjia – Telefoni mobil, rrjetet sociale, TV, kompjuteri, laptop-i, sony play station, etj. janë faktorë me rëndësi që kanë ulur theksueshëm interesimin për lexim dhe mësim. Dobia që njerëzit kanë nga interneti është e pakontestueshme, por edhe dëmet nga keqpërdorimi dhe abuzimi me të mund të jenë të pariparueshme, andaj prindërit janë përgjegjësit kryesor për fëmijët e tyre se si do ta përdorin atë.
  • Mungesa e bibliotekave – Po të kishte çdo qytet nga 5-10 bibilioteka (përveç atyre të studentëve) në të cilat fëmijët dhe të rinjtë do ta kalonin një pjesë të kohës, do të kishte përmirësim të theksuar në arsimin parauniversitar dhe atë universitar. Duhet të promovohet dhe kultivohet një mentalitet që e vendosë arsimimin në qendër të vëmendjes, ku të kuptohet se vetëm nëpërmjet tij do të mund të ndërtojmë institucione e institute shoqërore e shkencore të avancuara.
  • Trajtim jo dinjitoz i mësimdhënësit – Mësimdhënësit sot nuk e gëzojnë respektin që e kishin dikur. Nënçmimi, fyerjet dhe përbuzjet që disa prindër dhe qytetarë ua bëjnë mësimdhënësve në rrjetet sociale, është një shembull mjaft i keq për nxënësit, të cilëve iu irritohet figura e mësimdhënësit ende pa i takuar në shkollë. Nëse sot kemi kritika të ashpra joracionale për mësimdhënësit, atëherë si presim që fëmijët do t’i trajtojnë me respekt mësimdhënësit e tyre. Është e pandershme të humbet respekti ndaj figurës së mësimdhënësit duke u bazuar në disa raste të izoluara.
  • Sjelljet devijante – Bullizmi, duhani, alkooli e drogat e lehta janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në performancë të dobët të nxënësve. Është krijuar një mentalitet skajshmërisht i gabuar tek një pjesë e nxënësve se duke qenë përdorues i njërës nga këto produkte je në trend me kohën. Kjo mendësi natyrisht se e zhvendos dhe shpërqendron thellë vëmendjen nga leximi e mësimi, ulë në masë të lartë produktivitetin në mësimnxënie dhe nxitë agresivitet, intolerancë dhe dhunë.
  • Individi – Përgjegjësia individuale asnjëherë nuk mund të mohohet. Një pjesë e nxënësve e shohin arsimimin si barrë dhe jo si një mundësi për socializim, edukim, njohuri, shkathtësi, vlera dhe zhvillim të kompetencave siç i parasheh Korniza Kurrikulare e Kosovës 2016. Një numër i konsiderueshëm i nxënësve profilin në arsimin e mesëm të lartë nuk e zgjedhin në bazë të afinitetit apo prirjes së tyre, por në bazë të imponimit indirekt nga familja e shoqëria, apo edhe të nxitur nga faktorë gjeografik (kur shkolla është më afër), por edhe si rezultat se nuk i përmbushin kriteret për ndonjë profil tjetër. Duke qenë kështu një pjesë e nxënësve nuk shkojnë në shkollë me vullnet, prandaj edhe shumëfish më shumë lexojnë mesazhe të bashkëmoshatarëve të tyre sesa libra shkollorë, më shumë lexojnë, shikojnë foto e video të padobishme, sesa lexojnë ndonjë artikull apo përcjellin ndonjë dokumentar që i mëson për jetën, shkencën, natyrën, shoqërinë, etj!?
  • Motivimi i nxënësve – Për ngritjen e motivit të jashtëm jemi përgjegjës të gjithë si shoqëri dhe shtet. Vlerësimi i drejtë e transparent, respekti, lëvdatat dhe shpërblimet i motivojnë nxënësit. Garat shkollore në nivel komunal dhe shtetëror që do të rezultonin me shpërblime për nxënësit që tregojnë suksese të larta në lëndët përkatëse, gjithashtu do t’i kontribuonin këtij qëllimi. Pastaj punësimi në bazë të meritokracisë dhe profesionalizmit, ulja e nivelit të korrupsionit, zhvillimi ekonomik, politik, shëndetësor e kulturor janë motivues tjerë të jashtëm që ndikojnë tek nxënësit. Por, përveç motivit të jashtëm ekziston edhe motivi i brendshëm si një forcë e shtytëse e individit për ta realizuar një veprimtari me përkushtim të lartë si përmbushje e vetvetes. Që ta stimulojnë motivimin e brendshëm, nxënësit duhet t’i shtrojnë vetvetes qëllime e objektiva dhe të punojnë me përkushtim drejt realizimit të tyre.
  • Familja – Përgjegjësia e familjes është e një rëndësie të veçantë. Nëse tek prindërit arsimi nuk zë një pozitë meritore, atëherë neglizhenca e fëmijëve karshi mësimit nuk do të jetë tjetër veçse reflektim i situatës së krijuar në familje. Andaj edhe nga prindërit duhet të ketë një kujdes dhe interesim të vazhdueshëm për ecurinë e procesit të fëmijëve të tyre. Veç këshillave duhet të ketë edhe veprime konkrete: fëmija duhet të familjarizohet me leximin e librave sikurse me anëtarët tjerë. Kjo nënkupton se në vend të këshillave, që dikur mund të bëhen monotone, prindërit duhet të lexojnë vet në prezencë të fëmijëve të tyre dhe së bashku me ata.
  • Mungesa e gatishmërisë për të marrë përgjegjësi – Është më e lehtë të shikosh një film sesa të lexosh një libër; më e lehtë të shikosh një serial sesa të shikosh një dokumentar shkencor; më e lehtë të lexosh një lajm showbiz sesa të lexosh një artikull shkencor; më e lehtë të rrish në chat sesa të dëgjosh një emision edukativ; është më e lehtë ta duash lëndën e edukatës fizike sesa lëndën e matematikës, gjuhës shqipe, fizikës, kimisë, biologjisë apo lëndëve shoqërore; është më e lehtë të luash play station sesa të lexosh; është më e lehtë të qëndrosh në kafiteri gjatë ditës apo mbrëmjes, sesa të qëndrosh i ulur në një dhomë apo bibliotekë duke lexuar; është më e lehtë ta lexosh një libër sipërfaqësisht sesa ta lexosh me vëmendje të plotë. Thjeshtë është më e lehtë të qëndrosh pa marrë përgjegjësi sesa të marrësh përgjegjësi dhe të punosh drejt realizimit të tyre. Por si shoqëri duhet ta ngrisim vetëdijen te nxënësit se marrja e përgjegjësive shkollore i shton njohuritë e tyre, e zgjeron rezonin e arsyes, i aftëson në fusha të caktuara, i zhvillon në aspektin psikik, fizik e social, i ndërgjegjëson mbi rëndësinë e respektimit të rregullave dhe të orarit.
  • Politikat arsimore – Institucionet shtetërore duhet të rrisin kapacitetet që përmes mekanizmave të tyre të angazhohen në promovimin e arsimimit dhe mbi baza meritokratike ta mundësojë ngritjen në pozita të larta civile, politike, shoqërore, ekonomike, arsimore, kulturore, shkencore, shëndetësore dhe ushtarake.
  • Fakultetet private – Disa fakultete private pranojnë studentë pa kritere, fakt ky që jep një mesazh të keq tek nxënësit, një numër i të cilëve angazhimin e tyre e orientojnë thjeshtë drejt marrjes së diplomës.

Kur i kemi parasyshë gjithë këta faktor, të jashtëm e të brendshëm dhe ta kthejmë në përqindje përgjegjësinë e të gjithë akterëve, secili le të kalkulojë se ku dhe sa qëndron përgjegjësia e mësimdhënësve në raport me performancën e ulët të nxënësve në kontekstin tonë historik, shoqëror, politik, ekonomik e gjeografik!?

Mjeku, inxhinieri, arkitekti, bujku, polici, ushtari, gazetari, mësimdhënësi, biologu, fizikani, kimisti, avokati, prokurori, historiani, sociologu, psikologu, deputeti, qeveritari, që të gjithë kanë dalë nga bankat shkollore. Nëse pajtohemi me faktin se një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit është arsimi, atëherë nuk duhet të lejojmë që kjo shtyllë të jetë e dobët, dhe për më tepër nuk mund të presim që mbi shtylla të dobëta të ngrisim shoqëri dhe institucione të forta! Shtylla të dobëta do të mbesin nëse arsimi nuk është ndër prioritetet kryesore të shtetit, nëse arsimi ka buxhet të ulët, nëse nuk ka investime të mjaftueshme infrastrukturore e ligjore, nëse nuk hartohen reforma e strategji bashkëkohore duke pasur për bazë mundësitë e aplikimit të tyre, nëse që nga shkolla e mesme e ulët nxënësit nuk orientohen se çfarë drejtimi është i përshtatshëm të përzgjedhin në shkollën e mesme të lartë, nëse nuk ka respekt për mësimdhënësin, nëse njolloset e nëpërkëmbet dinjiteti i mësimdhënësit, nëse mësimdhënësi ka pagë të pamjaftueshme për ta përballuar koston e jetesës, nëse mësimdhënësi sapo ta mbarojë mësimin ka hall se si do t’ia dalë muajit me pagën e ulët, nëse arsimi është i politizuar (partizuar), nëse klasa ka mbi 28 nxënës, nëse nuk ka ligje e rregullore të zbatueshme për të krijuar klimë të disponueshme për mësimdhënie e mësimnxënie, nëse nuk ka drejtësi, barazi, transparencë dhe paanshmëri, nëse nuk merren masa disiplinore në përputhje me ligjet dhe Udhëzimet Administrative. Në kushte të tilla nuk ka arsye të zihemi në befasi me rezultata jo të mira në arsimin parauniversitar.

Paga të dinjitetshme

Garantimi i pagave të dinjitetshme për mësimdhënësit është obligim dhe përgjegjësi morale e ligjore për çdo shtet që arsimin e sheh si një ndër prioritetet kryesore të tij, përndryshe është krejtësisht absurde të priten rezultate të mira. Dhe prioritet nuk tregon se ke vetëm duke ndërtuar shkolla, por edhe kur bartësit e atyre shkollave trajtohen me dinjitet e respekt. Paga e dinjitetshme praktikisht do ta ndryshonte gjendjen psikike dhe emocionale të mësimdhënësit, situatë kjo e cila do të rriste motivin për punë dhe do të shndërrohej në një nga indikatorët e përmirësimit të cilësisë në arsim.

Nëse pagat duhet të kushtëzohen me performancë të mirë, atëherë kjo praktikë nuk mund të aplikohet vetëm në fushën e arsimit, por duhet të shtrihet në çdo fushë dhe sektor tjetër publik e politik. Duke qenë se si shtet kemi ngecur në çdo institucion, atëherë asnjë institucion, politik apo civil qoftë, nuk do të bënte përjashtim nga kjo praktikë. Por një shtet serioz nuk mund të funksionojë mbi një mendësi të tillë.

Si do që të jetë, vetëm pasi të jenë konsoliduar institucionet, të është funksionalizuar shteti i së drejtës dhe të jenë ngritur pagat në një nivel të dinjitetshëm për disa dekada me radhë, mund të kushtëzohet ngritja apo zbritja e tyre varësisht nga performanca dhe rezultatet e nxënësve dhe mësimdhënësve, por jo edhe në periudha tranzicioni të shtetndërtimit.

Shkolla përballë teknologjisë dhe modernitetit

Çfarë të bëjnë mësimdhënësit që nuk mund t’i përmbushin pritshmëritë e nxënësve për shkollën!? Sot për një pjesë të nxënësve shkollat nuk janë më atraktive. Kjo për arsye se ata përdorin mjete të ndryshme teknologjike si smartphone, lap top, TV, sony play station, pastaj shkojnë në kinema, dalin në kafiteri (një pjesë edhe në klube të natës), merren me sport e rekreacion, janë pjesë e kurseve të  gjuhëve të huaja, marrin informacione nga interneti, etj. Ata janë shkëputur nga bota reale dhe janë futur në vorbullën e botës virtuale, ku më tepër vlerë kanë komplimentet publike në rrjete sociale, sesa ato që shprehen sy më sy.

Të gjitha këto arritje teknologjike dhe mundësi që i ka ofruar epoka moderne, një pjesë e nxënësve i vlerësojnë më tepër se shkollat. Andaj mësimdhënësit nuk janë fajtor pse shkollat nuk mund t’i shndërrojnë në kafiteri, kinema, në vende ku luajnë sony e në fusha sporti (përveç kohës kur kanë lëndë të posaçme). Gjithashtu mësimdhënësit nuk janë fajtor përse shkollat nuk janë të pajisura me kabinete të lëndëve e fushave të caktuara, nga të cilat nxënësit do të kishin edhe punë praktike.

Përballë inovacioneve dhe mundësive që ka ofruar epoka digjitale dhe moderniteti, shkollat në përgjithësi dhe ato të Kosovës në veçanti do ta kenë vështirë t’i motivojnë nxënësit që t’i shohin shkollat me prioritet të lartë.

 

Prishtinë, 16.09.2022

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Kryeministri Kurti: Studentët dhe mësimdhënësit më të zotë i kemi në diasporë

Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur një takim me mërgimtarët në Frankfurt të Gjermanisë ku...

Rrahman Jasharaj: Do të kemi mbyllje të shkollave

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka kërkuar nga Ministria e...

21 inspektorë për 23 mijë mësues

Performanca e punës së mësimdhënësve në Kosovë është në duart e një numri të...

Raporti i ekspertëve për tekstet shkollore – Si dyshohet që u keqpërdorën 6.3 milionë euro?

Raporti i dalë nga puna e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të...