Nga Miranda Agolli: Fjala, pasqyra e karakterit

- Advertisement5 -

Si mësuese e gjuhës shqipe, çdo ditë në klasë vërej se sfida më e madhe nuk është mungesa e njohurive, por mënyra se si nxënësit shprehen.

- paragrafi 1 -

Fjalia po shkurtohet, fjalori po varfërohet dhe mendimi shpesh mbetet jo i qartë dhe i papërfunduar. Ky realitet më shtyn të ngre një shqetësim që na përket të gjithëve: a po humbet gjuha e bukur tek të rinjtë tanë?

- Advertisement -

Gjuha është pasqyra më e ndershme e mendimit dhe e shpirtit të njeriut. Nëpërmjet saj ne shprehim jo vetëm atë që dimë, por edhe atë që jemi.

Në klasë, në rrjete sociale, në komunikimin e përditshëm, vërehet një varfërim i fjalorit, një ngut për të thënë shumë me pak fjalë, shpesh pa kujdes për formën, kuptimin apo bukurinë e shprehjes. Fjala e shkruar po shndërrohet në shenja të shkurtra, ndërsa fjala e folur, në shpërthime të shpejta emocionesh, pa thellësi dhe pa finesë.

Nuk është se të rinjtë nuk kanë çfarë të thonë. Përkundrazi. Ata kanë mendime, ndjeshmëri, revoltë, ëndrra. Por shpesh u mungon mjeti për t’i shprehur bukur, qartë dhe me kulturë. Dhe këtu nis përgjegjësia jonë si mësues, si prindër, si shoqëri.

- Advertisement -

Gjuha nuk është thjesht lëndë mësimore. Ajo është edukim. Është mënyrë të menduari.

Është respekt ndaj vetes dhe ndaj tjetrit. Një nxënës që mëson të shprehet bukur, mëson edhe të mendojë më qartë, të dëgjojë më me durim, të debatojë pa fyer, të kundërshtojë pa ulur tjetrin.

Rrjetet sociale dhe komunikimi i shpejtë kanë sjellë ndryshime të mëdha, por nuk duhet të pranojmë që shpejtësia të vrasë bukurinë. Fjalët kanë peshë. Kanë histori. Kanë shpirt. Dhe gjuha shqipe, me pasurinë e saj, meriton të flitet e të shkruhet me dashuri dhe kujdes.

Shkolla ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces. Jo vetëm duke mësuar rregulla drejtshkrimore apo analiza teksti, por duke kultivuar dashurinë për fjalën e bukur, për librin, për mendimin e formuluar mirë. Por edhe familja është po aq e rëndësishme: fjala që dëgjon fëmija në shtëpi është mësimi i tij i parë gjuhësor.

Të rinjtë nuk duhet qortuar për mënyrën si flasin, por udhëzuar. Duhet t’u japim modele të mira, t’i nxisim të lexojnë, të shkruajnë, të flasin pa frikë, por me përgjegjësi. Sepse gjuha nuk humbet papritur, ajo venitet kur nuk ushqehet.

Të ruash gjuhën e bukur nuk është nostalgji. Është investim për të ardhmen. Një shoqëri që flet bukur, mendon bukur. Dhe një brez që mëson të përdorë fjalën me dinjitet, ndërton marrëdhënie më njerëzore, më të shëndetshme, më të qëndrueshme.
Le t’ua rikujtojmë fëmijëve tanë se fjala ka forcë. Se fjala ndërton, por edhe shkatërron. Dhe se gjuha e bukur nuk është luks: është KULTURË, IDENTITET dhe RESPEKT

608417360 1246108380758399 2938906962311101258 n