Të jesh pjesë e arsimit do të thotë të përballesh çdo ditë me sprova të reja, do të thotë të përjetosh çdo ditë ndryshime e të bëhesh pjesë e një rrugëtimi të mbushur me ulje e ngritje mjaft të shpeshta. Por ajo çka ia vlen janë frytet e kësaj pune, vlera e pamasë që ka përkushtimi, vullneti e durimi.
Vetë arsimi, në themelet e tij, është një luftë, një sfidë, që pavarësisht vështirësive me të cilat mund të përballet, gjithnjë ia del të jetë fitimtar e me një qëllim tepër hyjnor e fisnik: të përgatitë për rrugëtimin jetësor e për t’u bërë pjesë e shoqërisë qytetarë të denjë e mbartës të vlerave njerëzore, krahas formimit të përgjithshëm në shumë fusha dhe profile të tjera. Për ne si mësues, të qenurit në frontin e parë të kësaj sfide, ka kërkuar gjithnjë punë, përkushtim e në të njëjtën kohë, të qenurit sa më të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe të cilën mbartim në këtë rrugëtim ku nuk mungojnë ulje-ngritjet e në të njëjtën kohë, nuk mungon edhe dëshira e vullneti për të përqafuar tendencat dhe qasjet e reja, me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies, por edhe të mësimnxënies paralelisht.
Dy vjeçari i fundit ka qenë një nga sfidat më të mëdha globale, sfidë që nuk mund të linte pa prekur edhe arsimin. Pandemia zëvendësoi thuajse gjithçka: klasat, nxënësit e mësuesit me ekranet inteligjente dhe internetin. Mësimi online bëri të mundur që teknologjia të gërshetohej edhe më tepër me procesin e mësimdhënies, duke i kthyer ato në pjesë të pandara të njëra-tjetrës. Integrimi i teknologjisë në arsim solli përdorimin e domosdoshëm të pajisjeve digjitale me akses në internet, jo vetëm gjatë periudhës së karantinimit, por edhe përgjatë periudhave të mëtejshme e kjo për faktin se kompetenca digjitale është një nga kompetencat për zhvillimin e mësimit. Po ashtu, integrimi i teknologjisë përfshin edhe krijimin e laboratorëve kompjuterik, ku nxënësit mund të zhvillojnë orë mësimore të profileve të ndryshme e në të njëjtën kohë t’i shfrytëzojë këto ambiente për zhvillimin e aktiviteteve dhe veprimtarive të ndryshme të organizuara nga shkolla. E gjithë kjo nxit tek nxënësit të punuarit në mënyrë bashkëpunuese nëpërmjet lojërave dhe metodave interaktive, i njeh ata me teknologjitë e reja dhe po ashtu, i nxit ata të kërkojnë të njihen me avantazhet dhe disavantazhet që sjell teknologjia dhe digjitalizimi global.
Që procesi i mësimdhënies të jetë sa më cilësor e produktiv, është mjaft e rëndësishme e në të njëjtën kohë, e nevojshme që në proces të shkrihen tendencat, qasjet, inovacionet e reja. Kështu, përdorimi i metodave krijuese, mësimdhënia dhe nxitja e të mësuarit përmes arteve, zhvillimi i sa më shumë orëve të edukimit muzikor dhe edukimit artistik, janë praktika të cilat synojnë që të rrisin shkallën e kreativitetit dhe imagjinatës tek nxënësit, duke i çuar ata drejt rrugës së përfitimit të dijes dhe njohurive përmes praktikës, krijimit dhe së bukurës, sa më larg proceseve të të mësuarit në mënyrë mekanike.
Që nxënësit ta ndjejnë dijen si një dëshirë dhe nevojë për të ecur përpara lind nevoja për krijimin dhe zhvillimin e sa më shumë aktiviteteve jashtëshkollore e ndërlëndore, me qëllim që vetë shkolla dhe edukimi të shihet prej nxënësve nga një tjetër prizëm, një prizëm i mbushur me ngjyra dhe shtysë për realizimin e ëndrrave dhe prioriteteve.
Ajo çka i’a vlen të theksohet është edhe rëndësia që i jepet shumëgjuhësisë, si një bazë mjaft e fortë për edukimin e brezave. Këtu mund të përmendim edhe mësimin e anglishtes si gjuhë të parë, por edhe mësimi i gjuhëve të tjera të huaja si italishtja apo frëngjishtja. Ajo çka ne si mësues i kushtojmë mjaft rëndësi, prej vetë peshës që mban në formimin e nxënësve, është vetë metodika e të punuarit të nxënësve, ku si një metodë mjaft frytdhënëse, mund të cilësojmë të punuarit në grup. Të punuarit në grup, ndarja e mendimeve, ideve, të dëgjuarit kritik, analiza dhe përpunimi i informacionit të marrë nga bashkëmoshatarët e në fund përcaktimi dhe realizimi i detyrave të dhëna, edukon tek nxënësit të punuarit interaktiv, frymën e bashkëpunimit dhe arritjeve të përbashkëta, të menduarin kritik dhe po ashtu vetëbesimin dhe vetëvlerësimin. Vitet e fundit një rëndësi shumë të madhe po merr edhe zhvillimi i sa më shumë orëve edukim fizik e kjo për faktin se është tepër e rëndësishme që të kuptohet se sa shumë përfitime kemi prej aktivitetit fizik, si në aspektin shëndetësor, po ashtu edhe në atë shpirtëror dhe emocional. E së fundmi, ajo çka po vjen si një ndihmesë e madhe për zhvillimin e proceseve mësimore të shëndetshme, është vetë ofrimi i shërbimit psiko-social në institucionet e arsimit parauniversitar.
Duke qenë të informuar rreth problematikave sociale që ekzistojnë dhe ndikimi që ato kanë tek fëmijët dhe adoleshentët, mund të themi me plotë bindje se pa ndihmën e madhe të atyre çka përfitohen prej shërbimit psiko-social, si mësimdhënia po ashtu edhe mësimnxënies, do të hasnin vështirësi të panumërta e në fund secila palë, si mësuesit po ashtu edhe nxënësit, nuk do të arrinin rezultatet e pritshme.
Të jesh pjesë e arsimit do të thotë të përballesh çdo ditë me sprova të reja, me vështirësi të reja, do të thotë të përjetosh çdo ditë ndryshime e të bësh pjesë e një rrugëtimi të mbushur me ulje e ngritje mjaft të shpeshta. Por ajo çka ia vlen të përmendet mbi gjithçka tjetër është fundi i këtij rrugëtimi, frytet e kësaj pune, që çdo ditë e më tepër të mëson se sa vlerë të pamasë ka përkushtimi, vullneti e durimi.
Asgjë nuk mund të arrihet pa luftuar e pa u përpjekur për t’i bërë ballë pengesave që shfaqen, por ama është më se e sigurt se suksesi i vërtetë, e në këtë rast, suksesi i vërtetë i një mësuesi, arrihet pikërisht atëherë kur nga bankat e shkollës dalin në jetë jo vetëm shkencëtarë, gjuhëtarë, politikanë e filozofë, por mbi të gjitha dalin njerëz të pasur në vlera, të cilët një ditë do të jenë të aftë t’i japin shoqërisë një tjetër trajtë e të tjera ngjyra. Çdo mësues e ka fituar këtë sfidë në momentin që ka arritur të ketë këtë sukses.
© Portali Shkollor-