( Dy fjalë zemre për Profesor Ridvan Dibrën)
Ka njerëz që hynë në jetën tonë pa bujë, pa kërkuar vëmendje, por që mbeten aty përgjithmonë, si një dritë e butë që nuk shuhet as nga koha, as nga harresa.
Profesor Ridvan Dibra është një nga ata njerëz, që i rezistojnë kohës, bash si gurtë e çmuar, që me kalimin e viteve ju rritet vlera dhe bëhen më të kërkuar.
Si ish-studente e tij, nuk mund të mos ndalem sot për të ndarë atë pjesë njerëzore, që nuk shkruhet në kurrikula, që nuk lexohet në libra, por që mbetet thellë në kujtesën dhe shpirtin e të gjjthë atyre studentëve që e kanë dëgjuar, parë dhe ndjerë nga afër prezencën e një shpirti të madh.
Çdo orë leksioni me Profesorin ishte më shumë se një mësim, ishte një përjetim. Një takim me fjalën e kultivuar, me mendimin e kthjellët dhe me heshtjen e mençur. Ai nuk fliste me zë të lartë. Nuk kishte nevojë. Fjala e tij vinte e qetë, e butë, por e ngulitur si gurë themeli në ndërgjegjen tonë. Fjalë që nuk të mësonin thjesht analizën e tekstit, por që të shoqëronin në analizën e vetvetes.
Profesor Dibra është njeriu që dashuron artin në çdo shkronjë dhe këtë dashuri e shpërndan me bujari, pa kursim. Ai nuk ka mbajtur thjeshtë leksione,por ka ndarë ndjesi, ka ndarë copëza jete prej shpirtit.
Profesor Dibra nuk predikonte si shumë të tjerër,por frymëzonte për një botë më të mirë.
Ai ka një mënyrë të vetën, të heshtur dhe të thellë, për të rrënjosur brenda nesh një dashuri të madhe për letërsinë, për bukurinë e gjuhës, për forcën e mendimit dhe për ndershmërinë e ndjenjës.
Unë nuk do shkruaj për librat e Profesorit, sepse është folur shumë dhe me të drejtë do të vazhdohet të flitet, sepse një shpirt i bukur ka aftësinë të reflektojë bukuri në personazhe, në stil, në mesazhet që përcjell dhe në veprat që nguliten në kujtesën kolektive.
Profesor Ridvan Dibra është një nga ata njerëz që ka ndikuar thellësisht në shumë breza studentësh të gjuhë-letërsisë dhe për këtë meriton një mirënjohje të madhe.
Sot, tek e dëgjoja përsëri të fliste në konferencë, më pushtoi një buzëqeshje që vinte nga kujtimet e atyre viteve studentore kur çdo fjali e tij ishte një dritare e re dhe më erdhi ndër mend një mendim: nuk janë gjithmonë librat që ndërtojnë njeriun, por shpesh janë njerëzit që ndërtojnë librat dhe Profesor Ridvan Dibra është një nga ata shkrimtarë, që nuk ka gdhendur vetëm letërsi elitare, por ka formuar edhe lexuesin e tij, qoftë si student, qoftë si lexues i lirë.
Veprat e tij janë lexuar dhe do vazhdojnë të lexohen, sepse janë ndërtuar me një shpirt të thellë dhe një intelekt të ndershëm.
Por për ne si ish-studentët, ai mbetet para së gjithash një poet i heshtur i jetës, që në shpirtin e secilit prej nesh mbolli nga një lule të vogël “Art”.
Një lule që, në një botë të ashpër, na kujton se ndjeshmëria është forcë, që bukuria është rezistencë dhe se shpresa kur lidhet me fjalën, lulëzon përtej kohës dhe lë gjurmë ndër vepra.
Ndaj vepra e Profesorit nuk mbetet thjesht një zë, por bëhet frymë që endet nëpër udhët e jetës dhe ndriçon si fari, në një trashëgimni që rrit breza.
Faleminderit Profesor Ridvan Dibra 🙏🏻