Pas mësimit, kur për shumëkënd dita mbaron… për ne fillojnë provat.
Një sallë me fëmijë të lodhur, çanta të hedhura anash, fytyra të zbehta pas orëve të gjata të mësimit… nxënës të 9-vjeçares, por edhe fëmijë të ciklit fillor, aq të vegjël ende… e megjithatë me një përkushtim që shpesh më prek.
Po përgatitemi për një konkurs mes shkollave të Tiranës, në bashkëpunim me Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Dhe ndonjëherë, kur i shoh kaq të vegjël përballë një skene kaq të madhe… më duket sikur mbajnë mbi supe emocione më të mëdha seç duhet për moshën e tyre.
Hyjnë në sallë të lodhur, por sapo fillon muzika, përpiqen të japin më të mirën e tyre.
Disa më pyesin: Mësuese, a mund të rrimë ulur pak? Më dhemb fyti…S’po këndoj dot më…
E megjithatë, kur u them: Hajde edhe një herë nga fillimi… ngrihen përsëri.
Sepse duan ta fitojnë atë çmim. E ndjej ankthin e tyre çdo ditë: A do fitojmë? A do jemi më të mirët?
Por ka edhe ditë të vështira… ditë kur lodhja i shpërqendron. Kur fillojnë bisedat mes tyre. Kur unë përpiqem të flas dhe ata nuk më dëgjojnë. Kur muzika humbet mes zhurmës së sallës.
Dhe po… ka momente kur mërzitem. Kur ngre zërin më fort seç duhet. Kur vendos menjëherë muzikën vetëm që t’i rikthej te prova. Jo sepse jam e ashpër… por sepse dua t’i mbaj bashkë. Dua të mos humbasim ritmin, përkushtimin, ëndrrën për të cilën po lodhemi çdo pasdite.
Pastaj i shoh përsëri… dikush rregullon pozicionin, dikush merr frymë thellë, dikush sheh nga unë sikur kërkon të më thotë: Jemi gati, mësuese…
Dhe zemërimi më ikën po aq shpejt sa më vjen.
Sepse në fund janë vetëm fëmijë. Fëmijë që lodhen. Që shpërqendrohen. Që ankohen. Por që rikthehen përsëri me gjithë zemër.
Ka prova me lot. Me nerva. Me nota që nuk dalin. Por ka edhe momente magjike… kur këndojnë unison dhe unë harroj çdo lodhje.
Dhe atëherë kuptoj se nuk po ndërtojmë vetëm një performancë… por kujtime, forcë dhe besim te vetja.
Ndoshta në fund do fitojmë një çmim… ndoshta jo. Por unë e di që këta fëmijë po mësojnë çdo ditë të mos dorëzohen. Dhe ndoshta kjo është fitorja më e bukur nga të gjitha.