Të gjitha idetë dhe këshillat e trajtuara më poshtë kanë dalë nga diskutimi me 100 nxënës, me të cilët mësuesi Luan Stafasani zhvillon mësim.
Meqenëse me konfliktet ndeshemi çdo ditë në shkollë, është mirë të përpiqemi t’i parandalojmë ose t’i shmangim duke zbatuar teknika e taktika konkrete.
Sipas fjalorit të sotëm të gjuhës shqipe konflikti është një mosmarrëveshje e thellë ndërmjet dy palëve që mund të çojë deri në konflikte të rënda, është përplasje pikëpamjesh, qëndrimesh dhe interesash të shumta dhe si fjalë vjen nga latinishtja.
Konflikti shkollor përfaqëson një reagim shumë herë të qëllimshëm që ndesh mësues dhe nxënës ose drejtues shkolle dhe mund të jetë me fjalë, psikologjik, e shumë herë edhe fizik.
Duke qenë se shkolla është një vend ku mblidhen e bashkëjetojnë për gjashtë orë shumë nxënës e pak mësues, në pesë ditë të javës, është e pashmangshme situata konfliktuale dhe ajo vetëm mund të minimizohet, por kurrë nuk mund të shuhet, aq më tepër në Shqipëri, që është një vend konfliktual e shoqëror e polarizues prej vitit 1990.
Meqenëse me konfliktet ndeshemi çdo ditë në shkollë, është mirë të përpiqemi t’i parandalojmë e t’i shmangim duke zbatuar teknika e taktika në funksion të amortizimit të konfliktit.
1-Të angazhojmë veten në punë, sepse puna mposht çdo gjë. Duke e zënë veten me punë mundësia për t’u përfshirë në konflikte pakësohet.
2-Të mbash qëndrimin e duhur në shkollë në përputhje me rregulloren e saj. Të krijon mundësinë të mos gjendesh asnjëherë “pozicion jashtë loje” ose shumë rrallë dhe nuk e bën veten subjekt konflikti.
3-Të mbajmë pastër mjedisin ku mësojmë. Edhe ky është një rregull të cilin nëse e zbatojmë siç; duhet na ndihmon ne dhe të tjerët të mos krijojmë situata konfilktuale. Nuk duhet harruar se mjedisi është dora e padukshme që formëson sjelljen njerëzore.
4-Të dëgjojmë fjalën e mësuesit sepse ai na orienton si duhet në rrugën që duhet të ndjekim për parandalimin e konflikteve. Është si puna e trajnerit në lojë, na mëson si të luajmë.
5-Të respektojmë mësuesit dhe nxënësit e klasës sepse nëse do japim respekt patjetër që do të na kthehet.
6-Të mendojmë para se të veprojmë është teknikë shumë rezultative, që na ruan nga kurthi i konflikteve.
7-Të mos debatosh me mësuesit në klasë. Duhet të gjesh kohën dhe vendin e duhur për t’u sqaruar. Nëse e shmang debatin në klasë dhe e le atë për një moment tjetër, je i ruajtur nga konflikti.
8-Të mos përdorësh fjalor të papërshtatshëm sepse është rasti t’i përqasim thënien “Gjuha kocka s’ka, po kocka thyen”.
9- Të jesh tolerant, i interesuar dhe i përqendruar në mësim. Këto cilësi gjithmonë krijojnë një korace mbrojtëse ndaj situatave konfliktuale.
10- Të mos i kushtojmë rëndësi fjalëve pa vlerë. “Një sy qorr e një vesh shurdh”-, do thuhej ndryshe. Të falim, të harrojmë. Ca njerëz e fjalë duhen lënë mënjanë.
11- Të kuptosh vendin ku je e nga se rrethohesh. Është një teknikë shumë dobiprurëse që të ndihmon t’i shmangësh konfliktet.
12- Të jesh i edukuar, i qetë dhe i komunikueshëm janë armë të fuqishme që të sigurojnë fitoren gjithnjë në situata krize konfliktuale.
13- Të shoqërohesh me njerëzit e duhur. Ata kanë gjithnjë synime të qarta dhe të japin ndjesi pozitive, e çdo gjë të duket më e lehtë.
14- Mos u përfshi në debate të panevojshme. Të marrin shumë kohë, energji e të lodhin mendërisht.
15- Të ruajmë pronën e përbashkët. Nëse çdo gjë në klasë a shkollë e ruajmë sikur të jetë e jona dhe nuk e dëmtojmë kemi evituar situata të mundshme konfliktuale.
16-Të mos mbajmë sende të ndaluara në klasë. Mbajtja e tyre na ekspozon, na bën objekte të situatave konfliktuale.
17-Të përmbushim detyrimet që na takojnë.
18-Të mos dalim pa arsye të forta nga klasa. Si teknikë, duhet të kalisim durimin dhe rrisim rezistencën e qëndrueshmërinë.
19- Të jemi bashkëpunues me njeri-tjetrin. Bashkëpunimi siguron mbarësi e lehtësi gjatë procesit mësimor.
20- Të kemi paraqitje korrekte. “Veshja është shprehja e parë e vetes” dhe mburojë e fortë ndaj shigjetave të konfliktit.
21- Të kujdesemi për higjienën personale. Vihet re një reagim negativ që çon deri në konflikt fizik e verbal prej personave me të cilët bashkëjetojmë në klasë, të cilët kanë një kujdes të ulët ndaj higjienës personale.
22- Të mos bullizojmë në mënyrë kibernetike, verbale e fizike. Këto veprime shpesh kthehen në kundërveprim (efekt bumerang) ndaj atyre që i bëjnë.
23- Të pranojmë gabimin që bëjmë. “Koka e falur nuk pritet” është ajo që gjithmonë duhet të kujtojmë.
24- Mësuesi duhet të dijë të “notojë”. Si teknikë sugjeron që mësuesi duhet të ketë përgatitje fizike e psikike të admirueshme, të dijë të përballojë e të sillet në çdo situatë sado të vështirë në dukje.
25- Kur situata është e acaruar, mësuesi duhet të shmangë vlerësimet negative me fjalë e notë. Eksperienca ka treguar se një mënyrë e tillë e të vepruarit i “hedh më shumë benzinë zjarrit” të konfliktit.
26- Të gjejmë kohën e mundësinë për të folur me personin me të cilin kemi krijuar situatë konfliktuale. “Mirësjellja s’kushton asgjë, por blen gjithçka”.
27- Ta lemë në rënie të lirë konfliktin pa iu përgjigjur. Të tregojmë vetëpërmbajtje, qetësi, të numërojmë deri në 10-të para se t’i biem ndesh konfliktit.
28- Të njohim personin me të cilin komunikojmë dhe në varësi të natyrës së tij të zgjedhim fjalët që i adresojmë. Nuk duhet harruar që “Të flasësh me ca njerëz është si të mbash ferra lakuriq” apo “Shëndet e gëzuar i thua, i duket plaç”
29- Duke iu dhënë rëndësinë e duhur gjërave. Të edukojmë veten, të rendim pas prioriteteve e gjërave më të rëndësishme.
30- Të ruajmë distancën e duhur me këdo e kurdo. Na krijon mundësinë e shmangies së konflikteve e rreziqeve.
P.S.Të gjitha idetë në çështjet e trajtuara më lart kanë dalë nga diskutimi me 100 nxënës me të cilët zhvilloj mësim.
Shkruar nga mësuesi Luan Stafasani
© Portali Shkollor