Bullizmi në shkollë përfshin dhunë të përsëritur fizike ose psikologjike, ku një individ a grup synon të lëndojë të tjerët.
Llojet e bullizmit përfshijnë dhunë fizike, verbale, elektronike dhe përjashtim social.
Parandalimi kërkon ndërgjegjësim nga mësuesit dhe prindërit për të krijuar një ambient më të sigurt.
“Unë nuk jam çfarë më ka ndodhur. Unë jam çfarë zgjedh të jem” Carl Jung
Kërkimet më të shumta rreth bullizmit janë bërë në një kontekst shkollor, prandaj përkufizimi më i pranuar gjerësisht për bullizmin është dhënë nga studiuesi australian Ken Rigby (2002), sipas të cilit: “Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin + një veprim që lëndon + një disbalancë në forcë midis personave + një përsëritje (në mënyrë tipike) + një përdorim i padrejtë i forcës + një kënaqësi e dukshme e agresorit si edhe një ndjenjë e përgjithshme e të qenit mbizotërues ndaj viktimës”. Bullizëm janë sjelljet e përsëritura, të dëmshme e agresive ndërmjet personave që ndryshojnë në nivelin e tyre të forcës dhe mund të jenë si fizike, ashtu edhe psikologjike. Ato përfshijnë goditjet, rrahjet, ngacmimet verbale, gjestet fyese, përjashtimin ose thjesht presionin për t’iu përshtatur atyre që dëshiron apo thotë bullisti. Këto karakteristika e bëjnë bullizmin jo vetëm një sjellje të dhunshme tipike dhe shumë specifike në raport me lloje të tjera të dhunës në shkollë, por gjithashtu edhe shumë të vështirë për t’u identifikuar si e tillë. Me fjalë të tjera, sjellje të dhunshme që ndodhin midis nxënësve për shkaqe të tjera, të cilat nuk përfshihen në përkufizimin e dhënë më sipër, nuk konsiderohen si bullizëm. Të tilla sjellje mund të jenë reagimet e ashpra në raste të grindjeve të provokuara nga viktima.
Format e bullizmit
Bullizmi mund të shfaqet në disa mënyra, por pesë prej tyre janë më të përhapura:
Bullizmi fizik. Përfshin të qëlluarin, shqelmat apo shkatërrimin e pronës së dikujt, ku një grup nxënësish sulmojnë një tjetër, por përgjithësisht ndodh që një nxënës më i madh, apo më i fortë dhunon një nxënës më të vogël. Bullizmi fizik nuk lidhet vetëm me dhunuesin e viktimën, por mund të ketë impakt edhe te dëshmitarët.
Bullizmi verbal. Përfshin ofendimet, talljet, të folurin racist ose si ngacmim seksual. Po ashtu, këtu përfshihet edhe kërcënimi. Viktimat e këtij lloj bullizmi mund të mos reagojnë menjëherë, por me kalimin e kohës mund ta vuajnë këtë gjë.
Bullizmi i maskuar. Zakonisht ndodh pas shpinës së viktimës dhe synon dëmtimin e reputacionit të viktimës. Gjithashtu, përfshin tregimin e historive të pakëndshme, mimikë tallëse dhe shaka të pavenda me viktimën, etj. Kjo formë është një nga format më të përdorura të bullizmit, dhe për shkak se të rriturit mund të mos kenë dijeni për ekzistencën e tij, është edhe më i vështiri për t’u kontrolluar e ndaluar.
Bullizmi elektronik. Mund të ndodhë kudo dhe në çdo kohë, falë zhvillimit të teknologjisë në shkollë dhe në shtëpi. Ky lloj bullizmi ndodh nëpërmjet mesazheve të shkruara apo në internet, dhe është shumë i vështirë të kontrollohet. Ata që ushtrojnë dhunë “të fortët”, zakonisht janë viktima të bullizmit në jetën reale dhe e drejtojnë frustrimin e tyre kundrejt viktimave, duke e fshehur privatësinë pas kompjuterit apo telefonit. Sjellja e tyre përfshin depersonalizimin e viktimës online, duke mundësuar që të tjerët të krijojnë një përshtypje negative për ta, të përhapin thashetheme, etj.
Përjashtimi. Ndodh kur “të fortët” nxisin shokët apo moshatarët e viktimës që ta përjashtojnë viktimën gjatë një loje apo aktiviteti të organizuar. Duke u përjashtuar në këtë mënyrë, viktima do ta ketë të vështirë të krijojë marrëdhënie dhe mund të vuajë izolimin në të ardhmen. Mund të ndodhë edhe që “të fortët” të kërcënojnë të ngjashmit e viktimës, që nëse nuk e përjashtojnë, do të kenë edhe ata një fat të tillë.
Çfarë karakteristikash kanë “të fortët”?
♣ Kanë besim të fortë në vete, janë impulsiv dhe agresiv.
♣ Kanë inteligjencë verbale dhe arritje shkollore të ulëta.
♣ Përgjithësisht janë pak më të rritur se viktima.
♣ Nuk janë empatikë.
♣ Përdorin bullizmin për fuqi dhe kontroll.
♣ Përdorin dhunën për zgjidhjen e konfliktit.
♣ Kanë vetëvlerësim të ulët dhe e shikojnë dhunën si një forcë pozitive.
♣ Mund të mos kenë angazhimin e prindërve në shtëpi, dhe kanë pikëpamje negative lidhur me bashkëmosharët dhe mjedisin e shkollës.
♣ Janë lehtësisht të frustrueshëm, ankthiozë dhe kanë një kohështrirje të shkurtër të përqendrimit. Këta nxënës mund të bëhen “të fortë”, pasi e shijojnë fuqinë që prodhojnë kur mërzisin të tjerët.
♣ Nuk ndjejnë empati për viktimën dhe mund të ndihen të justifikuar për sjelljen e tyre.
Përse një nxënës priret të bëhet bullist?
Njerëz të ndryshëm dhunojnë për arsye të ndryshme dhe disa dhunojnë më shumë se të tjerët.
Disa dhunojnë sepse janë të pakënaqur me veten dhe mendojnë se duke i bërë edhe të tjerët të ndihen keq, kjo do t’u sjellë kënaqësi.
Disa të tjerë dhunojnë sepse kanë një nevojë të vazhdueshme për t’u treguar të tjerëve se kush drejton. Të tjerë dhunojnë, sepse e kanë perceptuar dhunën si të vetmen formë që siguron mbijetesën në mjedisin kaotik social ku jetojnë. Shpesh, për fatin tone të keq, disa nxënës dhunojnë, sepse familjet ku jetojnë janë tolerante ndaj dhunës, ose më keq akoma. I gëzohen të qenit zot të vetes (edhe pse e bëjnë në mënyra shpeshherë të stërholluara dhe duke u përpjekur që të mos bien në sy të vetë nxënëss). Shkollat vlerësohen si mjedisi ideal për bullizmin. Ato janë institucione hierarkike, si përsa i përket statusit të stafit, ashtu edhe të nxënësve. Shkollat funksionojnë në bazë të dinamikave dhe fuqive të ndryshme.
A mund të dallosh nëse një nxënës është bullist?
Përgjithësisht, nxënësit që tregojnë sjellje bulliste kanë një vlerësim shumë të lartë për veten, ndryshe nga ç’mund të mendojnë disa njerëz. Mendimi i gabuar vjen pikërisht për shkak të faktit se pjesa më e madhe e bullistëve janë nxënës me pak interes për shkollën dhe me një performancë të ulët mësimore. Këta nxënës dhe të rinj, gjithashtu presin që gjithë të tjerët të përmbushin kërkesat e tyre dhe për më tepër, t’i kenë frikë. Këta nxënës, në përgjithësi nuk mendojnë se sa keq u bën të tjerëve dhuna e ushtruar prej tyre ose edhe në rast se e mendojnë, kjo gjë u jep kënaqësi. Sidoqoftë, sjelljet bulliste janë tregues të faktit se ata që e ushtrojnë bullizmin nuk dinë të kontrollojnë dhe të menaxhojnë agresivitetin e tyre.
Çfarë karakteristikash kanë “viktimat”?
♣ Viktimat nuk zgjidhen në mënyrë rastësore.
♣ Përgjithësisht janë individë ankthiozë, të pasigurtë dhe u mungojnë aftësitë sociale
♣ Zakonisht janë vetmitarë apo të izoluar nga grupi.
♣ Mund të jenë të vegjël apo fizikisht të dobët.
♣ Qajnë lehtësisht dhe janë jopranues.
♣ Mund të kenë probleme të të mësuarit ose fizike
Si t’i dalloni shenjat e bullizmit?
Për të dalluar nëse fëmija juaj është viktimë e bullizmit, ju duhet të kërkoni për këto shenja:
- Shenja fizike, si gërvishtje, të prera, nxirje, ankesa për dhimbje koke ose dhimbje stomaku pa shkak, gjumë i pakët, lagie të shtratit, rroba të grisura.
- Shenja emocionale, si ankth, nervozizëm, stres, palumturi, të qara, tërheqje, ndryshime të papritura në sjellje, vështirësi për t’u përqendruar, zemërohet shpejt, mban sekrete, është i palumtur edhe në fundjavë.
- Frikë e papritur për të shkuar në çerdhe/kopsht. Fëmija nuk dëshiron të shkojë në çerdhe/kopsht, qëndron afër edukatoreve, e ka të vështirë të bëjë pyetje ose t’u përgjigjet pyetjeve të edukatores, nuk merr pjesë në aktivitete, ulet vetëm, shmang kontaktin me sy kur e pyet për çerdhen ose kopshtin.
- Shenja të tjera. Fëmija thotë se po e tallin, përqeshin, kërcënojnë, dhunojnë. Mund të flasë shpesh për një nxënës që “sillet keq me të”.
Si mund ta parandalojmë bullizmin?
Normalisht që prindërit, stafi i shkollës si mësuesit apo psikologu/ia apo kujdestarë të nxënësve mund të bëjnë shumë për këtë gjë.
Pikë së pari, duhet të dimë se si t’ju flasim nxënësve për bullizmin, të sigurohemi që ata e kanë kuptuar çdo të thotë bullizëm dhe të kuptojnë se në asnjë moment nuk duhet ta pranojnë atë.
Nëse duam të ndihmojmë nxënësit, atëherë duhet të përpiqemi të jemi edhe shokët e tyre, të tregojmë interes për jetën e tyre shkollore, aktivitetet e përditshme, shokët, ecurinë e çdo dite apo edhe shqetësimet e tyre.
Të inkurajojmë nxënësit të bëjnë atë çfarë ju pëlqen është diçka që prindërit dhe mësuesit po e harrojnë shpesh, duke u kthyer në një garë prindërish e mësuesish, nxënësit janë ata që nuk zgjedhin thuajse asnjëherë çfarë realisht pëlqejnë e më pas ndeshen me reagimet e pritshmërive të tyre nëse nuk janë aty ku duhet!
Po sikur të mund t’ju modelojmë nxënësve se si mund të trajtojnë të tjerët me mirësjellje dhe respekt, dihet tashmë që nxënësit modelojnë sjelljet që shohin.
Një informacion ndihmues për të nisur bisedën me nxënësit ne klase mbi temën e bullizmit, do të ishin disa pyetje se si mund të kuptosh nga nxënësi nëse është apo jo pjesë e këtij fenomeni qoftë në pozicionin e bullizuesit apo viktimës së bullizmit. Mes tyre disa më kryesoret:
Çfarë do të thotë për ty bullizëm?
- Mund të më përshkruash se si janë nxënësit që bullizojnë? Pse mendon që ata bullizojnë? 3. Cilët janë të rriturit tek të cilët beson më shumë nëse duhet të flasësh për bullizmin?
- A je ndjerë ndonjëherë i/e trembur të shkosh në shkollë sepse kishe frikë mos bullizoheshe? Si je përpjekur ta ndryshosh apo përmirësosh këtë gjë?
- Si mendon, çfarë mund të bëjnë prindërit që bullizmi të ndalojë?
- A ke përjashtuar ndonjëherë me qëllim nga grupi nxënës të tjerë, ti ose shoke të tjerë? A mendon se ky është bullizëm? Pse po ose pse jo?
- Çfarë bën zakonisht nëse sheh një sjellje bullizuese?
- A sheh ndonjëherë nxënës në shkollën tënde që bëhen viktima të bullizmit? Nëse po, si të bën kjo të ndihesh?
- A ke ndihmuar ndonjëherë dikë që po e bullizonin? Çfarë ndodhi? Çfarë do të bëje nëse do të ndodhte sërish (www.stopbullying.gov)?
Një bashkëpunim sa më i mirë mes familjes dhe shkollës do të ishte fillim i mirë për të eliminuar këto sjellje, të cilat asnjë prind nuk do të donte t’i gjente te fëmija apo nxënësi i tij!
Sa i rëndësishëm është roli i mësuesit tek ky fenomen negativ shoqërorë?
2. Mësuesit duhet t’i përfshijnë nxënësit në vendosjen e rregullave kundër bullizmit në klasë dhe në mënyrën se si ata duhet të ndërhyjnë kur janë dëshmitarë të ngjarjeve të tilla. Nxënësit mund të marrin role drejtuese në shkollë për të promovuar një klimë respekti dhe përfshirjeje, të komunikojnë me bashkëmoshatarët rreth parandalimit të bullizmit dhe të ndihmojnë në zhvillimin e rregullave dhe të politikave kundër bullizmit në shkollë.
3 Në rastin e shfaqjes së një rasti bullizmi, ndërhyrja nga ana e mësuesit duhet të jetë e menjëhershme. Ajo duhet të fillojë që në minutën e parë që bëhemi të ndërgjegjshëm për të. Të gjithë mësuesit duhet t’u lënë nxënësve të kuptojnë se ata kujdesen për ta dhe që nuk do të lejojnë asnjë që t’i keqtrajtojë. Duke ndërhyrë menjëherë dhe duke u marrë menjëherë me agresorin, mësuesit mbështesin në këtë mënyrë viktimën dhe vëzhguesit. Mësuesit duhet të përballen me agresorin në mënyrë private. Sfidimi i agresorit në sy të bashkëmoshatarëve mund të forcojë statusin e tyre dhe mund të çojë në një agresivitet edhe më të madh.
4. Sa më shpejt mësuesit arrijnë t’i vërejnë shenjat e bullizmit, aq më pak pasoja do të ketë kjo sjellje negative te viktima dhe te agresori.
5. Mësuesit duhet ta referojnë si agresorin, edhe viktimën te psikologu apo te punonjësi social i shkollës dhe të kenë një bashkëpunim të ngushtë me këtë të fundit.
6. Mësuesit duhet të zhvillojnë strategji në nivel klase për të shpërblyer nxënësit që shfaqin sjellje pozitive dhe që ndihmojnë viktimën si për: shembull mund të shpërndajnë certifikata mirënjohjeje.
7. Mësuesit duhet të caktojnë një takim si për prindërit e viktimës, ashtu edhe të agresorit, si dhe të kërkojnë që problemi të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur. Agresorët përpiqen që t’i mohojnë veprimet dhe përgjegjësitë e tyre. Por duhet t’i kujtohet se sjellja e tyre nuk do të tolerohet dhe t’i tregohet se çfarë pritet që ata të ndryshojnë. Për agresorët është shumë e rëndësishme riedukimi i sjelljes së tyre. Kur është e mundur, prindërit e agresorit duhet të ftohen që të ndihmojnë në krijimin e një plani veprimi.
8. Mësuesit duhet të dëgjojnë me vëmendje çdo ankesë të prindërve, nëse ata raportojnë se fëmija e tyre mund të jetë viktimë e bullizmit, në mënyrë që të hetojnë nëse kjo është e vërtetë dhe shohin nëse duhet të merren hapa të menjëhershëm.
9. Edhe pasi janë marrë të gjitha masat për të ndihmuar viktimën dhe për të ndëshkuar agresorin, sjellja e agresorit dhe siguria e viktimës duhet të monitorohen përgjatë gjithë kohës. Nëse agresori/agresorja nuk e ndryshon sjelljen e tij/e saj, pavarësisht përpjekjeve të personelit të shkollës, fëmija duhet të vendoset ose në një program alternativ, ose duhet të largohet nga klasa ose shkolla.
© Portali Shkollor–