E premte, 20 Shtator, 2024

Nga Marsida Simo: Drejtuesit në Shqipëri janë shumë bosa e pak lidera

- Advertisement1-

Nga Marsida Simo (Sociologe/Trajnere komunikimi)


“Mos harroni ndryshimin midis një shefi dhe një lideri; një shef thotë: “Shko!” – një lider thotë: “Le të shkojmë!” – E.M. Kelly

- Advertisement -

Të gjesh një punë në vendin tonë është një proces i vështirë, që përgjithësisht njihet se si shkon situata nga kërkimi deri te finalizimi i kontratës. Por imagjinoni sikur pas pak kohësh në atë punë të kuptosh që shefi po të nxin jetën. Thuhet jetën sepse në vendin e punës kalojmë mesatarisht më shumë orë sesa në familje. Kjo nuk ka të bëjë shumë nëse punon në një kompani private apo publike, por me një edukim shumë të pakët që kemi ne si shoqëri mbi lidershipin. Imazhi i drejtuesit shoqërohet me dikë të ashpër, të egër, që nuk i qesh buza, që flet prerë, që shprehet me ndonjë fjalë nga ato të vetat që të djegë mirë, të ngarkon me lloj lloj punësh dhe nuk të thotë kurrë sa mirë e bëre, të thotë sa herë që është e mundur që qëndrimi jot në punë është prej tij, që po të jep bukën e përditshme, e me qindra situata të tilla.

Ky imazh i të bërit drejtuesin me dhunë e egërsi, është fare mirë e trashëguar që nga komunizmi, ku me të drejtë dikur nuk kishte as arsim apo kualifikim të marrëdhënieve njerëzore dhe pretendimet për humanizëm ishin të papërfillshme. Brigadieri i dikurshëm shkaktonte jo pak herë panik te punonjësit të cilët më tepër sesa respekt kishin një frikë e ndërthurur me inat.

Cilat janë disa nga karakteristikat e shefit dhe liderit

1. Liderat janë qenie njerëzore të dhembshur, shefat janë të ftohtë.
Shumë shefa qëndrojnë të zënë në zyrat e tyre dhe mezi ndërveprojnë me stafin. Lideri del nga ajo derë dhe i përshëndet punonjësit, madje dhe i pyet sesi janë.

2. Liderat thonë “Ne”; shefat thonë “Unë”.
Aftësitë më të mira tregohen kur drejtuesit përfshihen në punët që janë caktuar. Nëse ata qëndrojnë larg nuk do arrijnë ta kuptojnë dhe gjykimi i tyre do të jetë jo i duhur.

3. Liderat zhvillojnë dhe investojnë në njerëz; shefat (bosët) përdorin njerëzit.
Të investosh në staf do të thotë më shumë përfitime në të ardhmen. Askush nuk di gjithçka ndaj nëse pretendohet profesionalizëm punonjësit kanë nevojë për tu zhvilluar.

- Advertisement -rrrrrrr

4. Lideri punon shumë dhe ndërfutet në punë, shefat i lënë të tjerët të bëjnë punën.
Dëgjohen shpesh zëra të rinjsh që duan të bëhen shefa vetëm se kanë dëshirë të urdhërojnë dhe mos të bëjnë asgjë. Por kjo mendësi duhet të ndryshojë sepse drejtuesi sugjerohet të përfshihet në detyrën e dhënë dhe rezultatet do të jenë më të shkëlqyera.

5. Lideri vendos njerëzit të parët, ndërsa shefat vendosin rezultatet e para.
Shefat tradicionalë kanë idetë e tyre dhe nuk para janë të hapur për risi. Injorimi i mendimeve të punonjësve, për hir të traditës së kompanisë nuk do të ishte e dobishme për një organizatë, kompani, institucion etj.

Çfarë ndodh kur shefi dominon me paaftësitë e tij?

Drejtuesi i punës, ndikon aq shumë në përvojën e punës dhe ecurinë e saj. Ata ndihmojnë të përcaktoni se cilat projekte do të punoni, me kë punoni, dhe kur/nëse promovoheni. Ata janë gjithashtu personi që ka të ngjarë të jetë në gjendje t’ju ndihmojë kur keni një problem. Një drejtues i cili nuk shikon aftësitë ndërpersonale, humb çdo ditë pikë nga punëmarrësi i tij. Këto pikë duhen përkthyer në më pak efektivitet në punë, dashuri për punën, produktivitet etj. Madje mund të ketë edhe nga ata punonjës të cilët kanë një punë që i përputhet profesionit të tij, por nuk përshtaten dot me funksionimin e asaj kompanie duke u larguar një herë e mirë.

Sipas një studimi të Gallup në shoqërinë amerikane, 75 % e njerëzve që janë larguar nga puna, ishte për arsye të drejtuesve të tyre. Kjo na bën të mendojmë sa e rëndësishme është drejtimi dhe fryma që injekton drejtuesi duke zgjedhur të sillet si shef apo si lider.

Në shoqërinë tonë, studime të tilla nuk janë periodike, kryesisht janë të fokusuara te ana ligjore e ndërtimit të marrëdhënies midis këtyre dy palëve. Nëse do të kishim më shumë të dhëna për këtë aspekt do të mundnim të shihnim gjendjen aktuale dhe shqetësimet që mund të kenë punëmarrësit. Mos harrojmë që edhe besimi te sindikatat ka rënë ndjeshëm vitet e fundit.

Në një sondazh që kam zhvilluar në rrjete sociale, ndjekësit i kam pyetur:

Drejtuesi i një vendi pune në Shqipëri sillet më shumë si lider apo si shef?

86% e pjesëmarrësve në këtë pyetësor ishin me mendimin se drejtuesi sillet më shumë si shef. Pjesa tjetër 14 % janë me idenë se përgjithësisht në vendin tonë ka lidera.

Pavarësisht se ka një diferencë shumë të madhe në këto përgjigje, duhet marrë ana pozitive e shifrave. 14% e atyre që janë të kënaqur nda drejtuesi i tyre, nënkupton se në vendin tonë ka nisur një frymë e re lidershipi edhe pse me ritme të ngadalta. Interesante në këtë pyetësor është edhe fakti që personat që kanë vetë një post drejtues janë pozicionuar nga ana e liderit kur i janë përgjigjur pyetjes.

Përse na duhen liderat?

Aftësitë e liderit shpesh mendohen si të lindura, por duhet theksuar se sot ka mjaftueshëm trajnime dhe seminare për të nxitur cilindo të aftësohet në këtë drejtim. Sot nuk mjafton të jesh vetëm profesionist, por ndër të tjera të kesh aftësi ndërpersonale, të komunikosh, si dhe të bashkëpunosh në grup. Aktualisht në vendin tonë ka dhe kompani të mëdha që operojnë prej vitesh në treg dhe janë rritur falë investimeve në burime njerëzore. Një punonjës i kënaqur e kryen punën e tij me dëshirë dhe përkushtim. Një punonjës i frustruar në vendin e punës, do urrejë çdo moment qëndrimin në atë kompani.

Gjatë një interviste me D. 42 vjeçe, punonjëse në një institucion shtetëror tregon se tre vitet e punës për të ishin një tmerr i vërtetë. “Shefi im vinte dhe na përgjonte prapa derës, e kishim si hije gjatë gjithë kohës. Fliste me ironi, na ofendonte dhe nuk na thoshte një fjalë të mirë kurrë. Sa herë më përmendte se po na mbante dhe duhet t`ja dinim atij për nder bukën që hanim. Me të e kishin mirë vetëm personat që i thurnin lavde e fjalë të bukura”

B, 38 vjeçe ka punuar në një kompani private para disa vitesh, para se të ikte në një shtet tjetër. Ajo shprehet: “Në rastin tim, drejtori ishte një lider dhe shok i mirë. Madje e urrente karrigen e drejtorit. Por dua të theksoj se personi në fjalë ishte besimtar.”

Përjetimet mund të jenë të shumta dhe nga më të ndryshme, por ajo që biem dakort përgjithësisht është se puna, nuk na sjell vetëm të ardhura, por edhe kënaqësi shpirtërore për të kuptuar se sa vlejmë. Puna është një mjet i zhvillimeve dhe jo robërisë njerëzore. Për tu përmbushur këto nevoja duhet të mos harrojmë të bëjmë maksimumin në punën tonë kur jemi punëmarrës, dhe të jemi sa më shumë njerëzor kur “hipim” në postin drejtues. /Albanian Education

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Bajram Abdiu”, në Bicaj të Kukësit e renovuar tërësisht – nxënësit do të mësojnë me kushte dinjitoze

Shkolla "Bajram Abdiu", në Bicaj të Kukësit, është renovuar komplet. Pamjet i ka ndarë...

Agim Baçi: Mësojuni fëmijëve se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një histori dhe përvojë më vete

A e dini se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një...

Ben Gavazaj, nxënësi nga Prizreni që la Amerikën dhe u kthye në Kosovë

Ben Gavazaj, është nxënës i klasës së katërt në shkollën "min Duraku në Prizren....

Ekspertët: Çfarë masash duhet të marrin shkollat që nxënësit të ushqehen patjetër me një vakt të marrë nga shtëpia?

Ekspertët e huaj ngrenë alarmin: Është shumë e rëndësishme që fëmijët të marrin vakt...