Nga Marsida Simo (Sociologe)
Ata prindër kanë një fëmijë dhe dëshira e tyre është ta arsimojnë, por dëshira nuk mjafton…
Teuta ka pasur probleme me shikimin që në klasë të parë, por prindërit nuk kanë mundur ta vizitonin. Ajo bëri si bëri e mbylli edhe klasën e pestë sepse mësuesja e saj nuk mund ta ngelte, sepse fundja është vajzë. Arsimi 9- vjeçar vijoi me shumë probleme të tjera, edhe pse Teuta përpiqej të mësonte mekanikisht. Kur erdhi në Tiranë, mësueset e saj e kuptuan që ajo çdo fjalë e shkruante me gabime, por përderisa erdhi deri në këtë klasë nuk mund ta ngelnin. Fajin ia adresuan mësueses së fillores.
Altini nuk ka pasur kurrë dëshirë shkollën. Prindërit e tij punonin thuajse gjithë ditën. Përveç dy motrave të tjera që duhet të kujdeseshin, mos dëshirën e Altinit, e përshtatën me një shkollë private. Ndërsa gjimnazin ai e kreu në një shkollë publike dhe qeshte kur mësuesit i kërkonin të qëndronte drejt në bankë dhe duhej të kishte vëmendjen. Ai i thoshte shpesh që s’ka bërë ndonjëherë mësim tamam. Nëse ishte e nevojshme edhe shkollën e lartë do e bënte në privat.
Frenkli ngeli në tre lëndë në klasën e dhjetë. Prindërit menduan që klasën ta përsëriste në një shkollë tjetër. Edhe atë vit, Frenkli ngeli, madje në 4 lëndë. Dëshira për shkollën sa vinte e zbehej. Vitin e tretë prindërit ngulmuan ta rifillonte klasën e dhjetë sepse ai do kishte zënë mend, por Frenkli përkeqësohej edhe më shumë.
Blerta kishte jetuar në Greqi pasi prindërit kishin gjetur punë atje. Pas krizës në këtë vend, vendosën të ktheheshin në Shqipëri. Blertës i duhej të përshtatej me shumë ndryshime, ndër të tjera edhe me gjuhën. Shoqëria i dukej shumë e vështirë, ambienti i shkollës jo komod. Të gjitha këto e çuan në humbje të interesit për mësimet. Prindërit do donin të paktën të kalonte klasën sepse një punë do ia gjenin më vonë.
Ymeri jetonte me gjyshërit sepse dy prindërit ishin në emigrim. Gjithë ditën ishte i ikur nga shtëpia dhe mësimet as nuk i prekte me dorë. Duke qenë se nuk kishte asnjë argëtim më të mirë, orën e mësimit e kthente në lojë.
Ola çdo javë do mungonte dy ose tre orë sepse nëna e saj ikte shumë herët për punë. Ajo duhej të kujdesej për motrën e vogël. E bënte gati dhe e çonte në kopsht. Mungesat e penalizuan disa herë deri sa ajo e konsideronte shkollën një ferr që duhet ta mbyllte sa më parë.
Klaudio dhe Dani hynë një mbrëmje në zyrat e informatikës së shkollës dhe vodhën dy kompjutera. Jo se kishin nevojë për para, por menduan ta provonin njëherë. Kamerat i zbuluan, por ndaj tyre nuk u vu asnjë masë.
Kur diskutohet për sjelljen dhe normat në shoqëri gjatë orës mësimore, pak nxënës janë te interesuar. Një pjesë e prindërve i kanë mësuar fëmijët qe këto janë lëndë jo të rëndësishme. Do apo nuk do mësuesja do e vendosë një notë kaluese. Më rëndësi ka matematika, gjuha e fizika. Kujt i hyjnë në punë komunikimi, zbatimi i ligjeve dhe edukata?
Madje në 9- vjeçare, lëndën ´Edukata shoqërore´ jepet nga mësues të lëndëve të tjera si e si për të mbuluar normën e mësuesit. Nëse nxënësi nuk mëson konceptet e qytetarisë nga mësuesi përkatës, nuk do e kuptojë asnjëherë rëndësinë e lëndës në vijim.
Kur mësuesi shpjegon marrëdhënien njerëzore, aspektin psikologjik, empatinë, tolerancën, një pjesë e nxënësve qeshin dhe shprehen se të gjitha këto nuk kanë rëndësi. Për shumë nxënës, paraja vlen më shumë nga të gjitha.
Ikin 12 vite jetë në shkollë dhe një pjesë e nxënësve hyjnë e dalin nga shkolla sepse e konsiderojnë si detyrim. Prindërit duan që fëmija ta mbarojë atë “copë” shkollë se nuk duan të duken keq në sytë e farefisit. Shpenzojnë para, e më kot e kanë sepse kanë blerë injorancën me mbishkrimin dëftesë.
Mësuesit mbyllin njërin sy, e ndonjëherë te dy veshët, sepse mendojnë se nuk do e ndryshojnë dot botën. Edhe ata marrin pjesë në këtë analfabetizëm duke diplomuar injorantë.