Marjana Hushi
Sot, në literaturën udhëzuese për një mësimdhënie të suksesshme dhe cilësore, është parësor zhvillimi i mendimit krijues. Nuk mjafton që nxënësi vetëm të riprodhojë, duke iu përgjigjur mekanikisht pyetjeve të mësuesit. Të nxënit aktiv dhe novator është kthyer në qëllim të sistemit arsimor në vendet e zhvilluara. Në këtë rrugë përpiqet të ecë edhe shkolla jonë. Kjo sepse, zhvillimet dhe ndryshimet e vrullshme të botës në të cilën jetojmë, kërkojnë njerëz të aftë dhe krijues për të përballuar sfida globale. Kuptohet që roli më i rëndësishëm për të zgjuar tek nxënësit dëshirën për të qenë krijues, i takon shkollës dhe veçanërisht mësuesit. Ai duhet të jetë bashkëpunëtor, që jo vetëm të transmetojë njohuritë, por të ndihmojë nxënësit t”i përvetësojnë ato nëpërmjet një pune këmbëngulëse krijuese dhe kërkimore. Mësuesi më i mirë është ai që nuk kufizohet thjesht në përgatitjen profesionale, por që nxit, frymëzon dhe motivon nxënësin të zhvillojë dhe zbulojë inteligjencën e tij, të jetë aktiv dhe të kultivojë në vetvete vlerat njerëzore universale.
Krijueshmëria ka të bëjë me aftësinë e një individi, të një grupi, për të imagjinuar e ndërtuar, për të vënë në jetë një koncept, ide të re apo për të zgjidhur në mënyrë origjinale një problem. Sigurisht që në procesin e krijimit rol të rëndësishëm ka, përveç imagjinatës, edhe arsyeja. Krijueshmëria është e lidhur ngushtë me mendimin kritik.. A është e mundur që një fëmijë i ciklit të ulët dhe nëntëvjeçar të zhvillojë një mënyrë të tillë të të menduarit? Në fakt nga vëzhgimet e njerëzve kompetentë, është provuar se fëmijët janë shumë të prirur për të krijuar ide. Vetëm se atyre i duhet krijuar klima e favorshme. Është interesant vëzhgimi i studiueses dhe pedagoges së shquar Maria Montesori, e cila thotë: “Shpirti i fëmijës është absorbues, ai ka mundësinë aktive, krejtësisht krijuese, të tërheqë ndaj vetes elementet që janë të domosdoshëm për të dhe të dobishëm, t’i përvetësojë, t’i bëjë ato mishin e gjakun e vet, lëndën e tij jetësore. (Pedagogët e mëdhenj,339). Me të vërtetë mësuesi pyet veten se si t’i ndihmojë nxënësit që të plotësojnë potencialin e tyre krijues. Ai duhet të jetë i aftë t’i japë fëmijës besim dhe t’i rrisë vetëvlerësimin, të jetë vetë një person krijues, me një vizion personal të zhvilluar dita-ditës në bashkëpunim me nxënësit. Si mund të ndihmohen nxënësit për të qenë krijues? Së pari, mësuesi duhet të sjellë në klasë materialin e nevojshëm; së dyti, të paraqesë përvoja të ndryshme rreth objektit mësimor; së treti, t’i kërkohet fëmijës të shkojë përtej të dhënave; së katërti, të nxitet nxënësi për ide të reja.
Një nga mjetet e rëndësishme që mundëson dhe tërheq nxënësit për të qenë efektivë dhe krijues në orën e mësimit është kompjuteri, si dhe aksesorë të tillë si: CD, DVD, videoprojektori, etj. Duke alternuar teorinë me praktikën, nxënësi motivohet dhe nxitet për një pjesëmarrje aktive. Ora e mësimit bëhet më e bukur e zor se mund të ketë nxënës indiferent. Po në klasat tona çfarë ndodh? Nga disa vëzhgime të bëra në shkollat nëntëvjeçare, është konkluduar se më së shumti nuk shfrytëzohen mjetet që nxisin krijueshmëri. Nxënësi nuk e prek kompjuterin, përveçse në orën e informatikës. Në lëndët e tjera mësuesit nuk alternojnë mësimin teorik me zbatime praktike, siç mund të jenë punët me poëer point, apo me CD, duke punuar në sallën e kompjuterëve. Mësuesit nuk përdorin dendur mjete ilustruese, pavarësisht se u kërkojnë nxënësve punë me projekte të tilla: postera, CD, etj. Nxënësit punojnë me dëshirë në punë të tilla, por është tepër skematike mënyra e paraqitjes. Mësuesi e sheh punën, vë një notë të mirë dhe kaq.
Nuk diskutohen në klasë, nuk pasqyrohen para të gjithë nxënësve dhe nuk realizohet gjithë përfshirja. Po të diskutosh me mësuesit për atë se përse ndodh ky anashkalim, fillojnë ankohen për mungesë mjetesh dhe mungesë interesi nga nxënësit adoleshentë. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, por a bëhen përpjekje për ta ndryshuar realitetin? Teoria e bashkëpunimit mësues-mësues dhe integrimi ndërlëndor janë parime specifikisht të rëndësishme, që duhen praktikuar në shkollat tona dhe jo të mbeten veç në stadin teorik. Konkretisht, në lëndë e gjuhës shqipe, ekzistojnë mënyra të ndryshme për të ndryshuar rutinën dhe për të arritur një stad të nxëni kritik dhe krijues. Gjuha përbën bazën e shkollës sonë, ndaj mësuesit të kësaj lënde i nevojitet vizion dhe krijueshmëri e lartë.Si mund të veprohet në disa raste praktike? Gjuhë shqipe, kl. 6. Do të zhvillohet në rubrikën të lexuarit, analiza kuptimore e poezisë “Mëngjes”e autorit Lasgush Poradeci. Përveç përgatitjes së temës në plan ditar, lind pyetja se si të angazhohen nxënësit sa më mirë. Përgatiten në poëer- point pamje të liqenit, foto që fiksojnë çaste të ndryshme kohore (natën, agimin, ditën), me zogj që fluturojnë mbi sipërfaqen e tij, një varkë që vozit, pemët që pasqyrohen në ujin e qetë… Përfshihet klasa në diskutim:
-Çfarë shihni? -Çfarë ndieni para një natyre të tillë? – Cilët elemente të fotove ju bëjnë më tepër përshtypje? -Përse? – A keni ju në vendlindjen tuaj liqen?- A keni parë së afërmi një liqen? Pamjet vizive u japin ngacmim nxënësve dhe nxisin liri mendimi. Më pas lexohet poezia duke bërë lidhjen kuptimore me pamjet: liqeni natën, liqeni në agim, liqeni ditën. Ndryshimet e ngjyrave sjellin te nxënësit gjendje shpirtërore të ndryshme. Ata e kanë më të lehtë fazën e të shkruarit në etapën e tretë dhe japin larmi përshkrimesh. Kënaqësi të veçantë i jep nxënësit leximi i krijimit të vet. Është me vend t’ia japim këtë shans.
Në tema të caktuara nxënësit mund të punojnë vetë në kompjuter gjatë orës së mësimit. Psh.: Shkrimi biografik , gjuha shqipe, kl. 9.
Në bashkëpunim me mësuesen e informatikës, kjo orë zhvillohet në sallën e kompjuterëve. Puna organizohet në grupe prej 3-4 nxënësish. Secili grup zgjedh një personalitet të shquar dhe grumbullon nga interneti të dhëna për jetën e tij, si data, vende, veprimtari, etj; ngjarje nga jeta personale dhe foto. Këto të dhëna nxënësit i organizojnë në formën e shkrimit biografik në kompjuter, me anë të programit Mikrosoft Ëord. Realizohet materiali në format reviste prej 3-4 faqesh dhe nxënësit shohin dhe vlerësojnë punën e njëri-tjetrit. Klasa në këtë rast është një vend i lirë dhe me shumë krijueshmëri. Në një orë të tillë mësimi arrihet:
-Gjithëpërfshirja e nxënësve, ku nxënësit “e fjetur” bëhen aktivë dhe lider; integrimi ndërlëndor: gjuhë shqipe, informatikë, njohuri kulturore, estetikë; realizohen punë shumë të mira krijuese.
Po një orë diktimi, si mund të realizohet me anë të mjeteve auditive dhe shkrimit nga vetë nxënësit? Zgjidhet një orë e lirë dhe sigurohen mjetet e nevojshme: DVD, kompjuter, videoprojektor, fletore. Përmes videoprojektorit nxënësit dëgjojnë një këngë dhe shohin videoklipin e saj. U kërkohet të shkruajnë në fletore përmbajtjen e këngës, duke respektuar gjuhën standarde dhe rregullat drejtshkrimore. Fjalët e këngës dhe pamjet vizive mundësojnë një situatë të këndshme dhe tërheqëse. Drejtohen nxënësit, duke i ndihmuar për paqartësitë. Në dhjetë minutat e fundit lexohen dy diktime dhe fletoret mblidhen për korrigjim. Në një orë të organizuar në këtë mënyrë mundësohet praktikimi i disa shprehive të domosdoshme gjuhësore: -shprehitë e të dëgjuarit, e të parit, e të lexuarit, e të folurit dhe shprehitë e të shkruarit. Realizohet gjithë-përfshirje dhe nxënësi kalon një përvojë ndryshe dhe mbresëlënëse, që nxit fantazinë dhe dëshirën për të punuar. Vëmendje të veçantë kërkojnë fëmijët që fshehin brenda tyre talente të ndryshme. Kjo kategori nxënësish shfaq një potencial të fuqishëm, por u duhet motivimi i duhur. Nëse lihen pas dore ata nuk japin ide.
Të kujtojmë këtu teorinë e inteligjencave të shumëfishta sipas Gardnerit. Një nxënës mund të mos shfaqet sistematik, por talenti i tij mund të shkëlqejë në një fushë të caktuar të potencialit njerëzor, si në vizatim, aktrim, kërcim, programe kompjuterike, shkrime letrare. Ana dhe Andrea janë nxënës në klasën e tetë. Ata nuk kanë përparim shumë të mirë në mësime. Por Ana është një kërcimtare e shkëlqyer dhe me angazhimin e mësueses kujdestare dhe me ndihmën e pasionuar të mësueses së fizkulturës, ajo që në klasën e gjashtë është pjesë e grupit të aerobisë në shkollë. Ana tashmë përfaqëson jo vetëm shkollën, por edhe qytetin e saj në konkurse të ndryshme midis shkollave. Ndërsa Andrea ka talent në aktrim. Kur bëhen aktivitete kulturore në shkollën e tij, luan rolet kryesore në pjesë teatrale dhe ndihet i kënaqur në skena të tilla të improvizuara. Nëse nuk do të zbuloheshin dhe përkraheshin nga mësues të përkushtuar e të vëmendshëm, nxënës të tillë do të mbeteshin thjesht të zakonshëm.