Në rrugën e dijes: Një fillim i ri për të gjithë
Së bashku për një vit suksesi: me zemër, me pasion, me dije!
Udhëtimi drejt ëndrrave nis këtu: viti shkollor 2025–2026 ka filluar!
Vjeshta trokiti. Në agimin e një shtatori të ri, rrezet e diellit zgjohen mbi oborret e shkollave dhe zërat e fëmijëve si tinguj shprese ngjallin jehonën e një kapitulli të ri në udhëtimin e dijes. Një përshëndetje zemre për të gjithë ata që sot, me çantën plot ëndrra dhe emocion në sy, hedhin hapin e parë, të radhës apo të fundit në rrugëtimin arsimor.
E filloj me më të vegjlit, gonxhet dhe filizat e prindërve të tyre, yjet e sapolindur të botës së dijes. Fëmijët e kopshtit, me gishtërinjtë e vegjël të kapur fort pas dorës së njërit prind apo të dyve, si të kërkonin siguri në një botë që ende nuk e njohin, sot futen për herë të parë në një hapësirë ku ngjyrat, lodrat dhe fjalët e edukatoreve do të bëhen pjesë e jetës së tyre. Është emocioni i parë i ndarjes dhe zbulimit, i njohjes dhe rritjes dhe çdo hap i tyre është një filiz që çel.
Pastaj janë nxënësit e klasës së parë, të cilët që nga kopështi marrin flatrat dhe vrapojnë drejt shkollës si zogj që nisin fluturimin. Sytë e tyre vezullojnë nga një përzierje gëzimi, ankthi e kurioziteti. Ata nisin të lexojnë botën përtej lodrave, përtej përrallave, me germat e para, me lapsin e parë, me fjalët që do të ndërtojnë të ardhmen.
Nxënësit e klasave të gjashta të rritur pak më shumë tashmë ndjejnë peshën e një cikli që mbyllet dhe krenarinë për një tjetër që hapet. Ata s’janë më të vegjlit. Ata janë modeli i rinisë në lulëzim, me horizonte të reja në sy dhe përgjegjësi të reja në shpirt.
Ndërsa për disa ndjesia e rritjes është sfidë, për nxënësit e klasave të nënta, minimaturantëve, është krenari. Ata i shikojnë bankat me njëfarë epërsie, si për t’i thënë vetes: “Tani jam rritur.” Krahasohen me më të vegjlit dhe ndjejnë se faza e fëmijërisë po mbetet pas, ndërsa hapet dera drejt një tjetër bote, asaj të shkollës së mesme.
Në klasat e dhjeta, janë ata që sapo kanë hyrë në një etapë të re. Në një shkollë ndryshe, me mësues e shokë të rinj, me kërkesa më të mëdha dhe ëndrra që fillojnë të marrin formë. Është një udhëtim mes dilemash e zbulesash, mes lodhjes dhe përkushtimit, por mbi të gjitha, një rrugë drejt ndërtimit të vetes.
Maturantët, më të mëdhenjtë. Aty ku udha e arsimit parauniversitar mbyllet dhe ku fillon sfida për të zgjedhur rrugën e jetës. Me emocion në zemër, me kujtime në shpirt dhe me shpresë në sy, përgatiten për të fluturuar, për të lënë një botë që e kanë quajtur shtëpi për më shumë se një dekadë.
Ndërkohë, në mes të gjithë këtyre stacioneve, janë ata që ecin mes viteve në klasat e ndërmjetme të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë, fëmijë dhe të rinj që ditë pas dite ndërtojnë identitetin e tyre, që rriten e mësojnë me hapa të pandalshëm. Ata janë dëshmia se shkollimi është një proces i vazhdueshëm, një urë që na çon nga njëri cak në tjetrin, drejt së nesërmes më të ndritur.
Por askush nuk mund të ecë vetëm në këtë rrugë. Jemi ne mësuesit që mbajmë në duar dritën, që ndezim shkëndijat në mendje e zemër dhe meritojmë mirënjohjen më të thellë. Faleminderit për durimin tuaj, të nderuar kolegë, për përkushtimin tuaj, për sakrificën tuaj të përditshme. Uroj që ky vit të jetë i mbushur me suksese, dashuri dhe frymëzim për secilin prej nesh!
Prindër, ju jeni themeli i parë i çdo dite mësimi. Domosdoshmërisht duhet të jemi bashkë. Me çdo mënyrë komunikimi e ndihme, pasi duhet patjetër të ndërtojmë ura besimi, bashkëpunimi dhe përkrahjeje.
Fëmijët tuaj, nxënësit tanë, kanë nevojë për dorën tuaj dhe për fjalën tonë, për një partneritet që rrit, mbështet dhe frymëzon.
Nxënës, ju jeni qëllimi i çdo përpjekjeje. Ju jeni e ardhmja. Bashkëpunoni me ne mësuesit, me njëri-tjetrin, me prindërit dhe me librin si thesarin që ruan gjithçka që vlen, sepse dija nuk është vetëm çelësi i suksesit, por është pasuria që s’të merret kurrë.
Të rritesh në udhët e dijes do të thotë të bëhesh njeri. Jo vetëm të dish, por të kuptosh. Jo vetëm të shkruash, por të mendosh. Jo vetëm të mësosh për provime, por për jetën. Shkollimi është drita që na ndriçon rrugën edhe kur bota përreth duket e mjegullt.
Me shpresën se ky vit do të ecë përpara me zemër të hapur, me komunikim të ndershëm dhe me besim të ndërsjellë mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve, uroj për të gjithë një vit shkollor të mbushur me emocione të bukura, me përvoja që të bëhen kujtime të çmuara!
Uroj që rruga e gjatë e dijes të jetë e mbushur me surpriza pozitive, si një fletë e bardhë e një libri të ri që shkruhet me përkushtim, dashuri, vetëvlerësim dhe shpresë!
Gëzuar vitin e ri shkollor 2025–2026!
Autorja është mësuese e lëndës së kimisë në gjimnazin ”Skënderbeu”, në Krumë, Has.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara