Në një shoqëri që ka gjithnjë e më shumë nevojë për udhëheqës moralë, frymëzues dhe modelues karakteri, mësuesi mbetet një figurë e pazëvendësueshme. Por shpesh, zëri i tij humbet në zhurmën e sistemeve të ngarkuara, në tensionet e përditshme, në lodhjen që askush nuk e sheh. Pyetja e parë që duhet t’i bëjmë vetes është: kush do ta kuptojë mësuesin, nëse nuk e bëjmë ne: prindërit, nxënësit, kolegët, shoqëria?
Mësuesi nuk është vetëm një shpërndarës njohurish, por është një prind i dytë, një udhëzues, një këshilltar, një mik i heshtur që përballon shumë më tepër sesa ç’është shkruar në kontratën e tij të punës. Dhe pikërisht për këtë arsye, duhet ta kuptojmë që edhe mësuesi është njeri me halle, sfida, shqetësime, net pa gjumë, fëmijë për të ushqyer dhe mendime që i rëndojnë shpirtin. Po, ai ka një mision të shenjtë, por kjo nuk e bën imun ndaj vështirësive të jetës.
A ka mësuesi stres? Jo vetëm që ka, por shpesh ai stres është i shumëfishtë: nga njëra anë presioni për të dhënë mësim cilësor; nga ana tjetër mungesa e kushteve, mungesa e mirëkuptimit nga prindërit, vonesat në pagesa, mungesa e mbështetjes institucionale. Dhe pastaj vjen lodhja emocionale të menaxhosh një klasë me shumë nxënës, secili me historinë, karakterin dhe problemet e veta, është një barrë e madhe që rrallë vlerësohet realisht.
Si mund ta ndihmojmë mësuesin? Nuk është e nevojshme të bëjmë gjëra të mëdha. Mjafton ta dëgjojmë, t’i themi “faleminderit”, të mos e paragjykojmë, të jemi pranë tij kur ka nevojë. Nxënësit mund të tregojnë respekt e bashkëpunim. Prindërit mund të ndërtojnë një marrëdhënie dialogu dhe jo sulmi. Institucionet mund ta shohin si aleat, jo si hallkë që thjesht duhet të “funksionojë”.
Një çështje tjetër shumë thelbësore është ngarkesa mësimore. A duhet të ulet? Po, në shumë raste është jetike. Një mësues i mbingarkuar me orë nuk ka hapësirë për frymëzim, kreativitet apo qetësi mendore. Kur mësimdhënia kthehet në lodhje fizike dhe mendore, ajo humbet thelbin e vet.
Po ashtu, numri i nxënësve në klasë është një faktor kyç në cilësinë e arsimit. Një klasë me shumë nxënës nuk lejon ndjekje individuale, nuk lejon komunikim real dhe e bën mësuesin thjesht një kontrollues zhurmash, jo një edukator. Të reduktosh numrin e nxënësve në klasë është të japësh më shumë hapësirë për mendim, zhvillim dhe respekt të ndërsjellë.
Një tjetër çështje që shpesh anashkalohet është mësuesi kujdestar. A duhet të ketë më pak orë mësimi se ata që nuk kanë kujdestari? Absolutisht po. Kujdestaria nuk është një titull, është një punë e përditshme, një lidhje që kërkon energji emocionale, takime me prindër, ndjekje të sjelljes dhe përparimit të nxënësve. Është një barrë shtesë që duhet kompensuar me lehtësim në ngarkesë.
Mësuesit nuk kërkojnë mëshirë. Ata kërkojnë mirëkuptim. Kërkojnë të dëgjohen. Të mos paragjykohen kur janë të lodhur, të mos merren si “fajtorë” kur sistemi ka dështime. Ata nuk janë thjesht përçues të rregullave, por shpirtra që e duan atë që bëjnë dhe nëse do të dëgjoheshin më shpesh, ndoshta edhe zgjidhjet do të ishin më të afërta.
Çfarë mund të bëjmë për ta bërë më të mirë situatën për ta?
E para, është të ndryshojmë këndvështrimin. Mësuesi nuk është një shërbëtor i dijes që “duhet t’i bëjë të gjitha vetë”. Ai është një bashkëudhëtar në rrugën e dijes, që ka nevojë për mbështetje.
E dyta, është që sistematikisht të rishikohen politikat arsimore: të ulen normat, të rishikohet pagesa, të shtohen burimet dhe të respektohet më shumë koha dhe energjia e tyre.
Sepse nëse rënkon zemra e mësuesit, lëndohet dhe vajton e ardhmja. Nëse mësuesi zhgënjehet, nxënësi nuk ka ku të gjejë dritë. Nëse ai largohet emocionalisht nga misioni i tij, brezat që vijnë do rriten me më pak dashuri, më pak udhëzim dhe më shumë pasiguri.
Prandaj, nëse duam të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur, duhet të fillojmë duke dëgjuar ata që ndriçojnë rrugën: mësuesit.
Autorja e shkrimit është mësuese kimie në gjimnazin:”Skënderbeu” Krumë, Has.
@albanianEducation.net