Nga Manushaqe Hoxha Laçi: Mësuesi mes mungesës së familjes dhe plagëve të një brezi

- Advertisement5 -

Një pjesë e brezit të sotëm po rritet mes mungesës së vëmendjes, problemeve familjare dhe ngarkesës emocionale që reflektohet në sjelljen dhe mungesën e përkushtimit ndaj mësimit.

- paragrafi 1 -

Ndërkohë, mësuesi po detyrohet të mbajë jo vetëm barrën e dijes, por edhe rolin e prindit, duke u bërë mbështetje shpirtërore për shumë fëmijë. E megjithatë, kjo sakrificë e heshtur shpesh nuk vlerësohet dhe nuk respektohet sa duhet.

- Advertisement - M1

Arsimi nuk është një proces që nis e mbaron brenda mureve të shkollës. Ai fillon shumë më herët, në mjedisin më të parë ku formohet njeriu, në familje, aty ku fëmija mëson të dojë, të dëgjojë dhe të ndihet i sigurt. Nëse kjo bazë është e shëndetshme, çdo hap i mëtejshëm në shkollë bëhet më i lehtë. Nëse jo, çdo gjë tjetër nis të ndërtohet mbi një themel të brishtë.

Nxënësi nuk është thjesht një figurë në bankë apo një emër në regjistër. Ai është një botë e tërë në formim, i ndikuar thellë nga ajo që përjeton jashtë shkollës. Në mënyrë ideale, prindërit duhet të jenë udhëheqësit e parë, mbështetja emocionale dhe shembulli më i afërt. Por realiteti i sotëm shpesh është ndryshe.

Një pjesë e prindërve janë fizikisht ose emocionalisht të munguar në jetën e fëmijëve të tyre. Disa janë të detyruar të emigrojnë për arsye ekonomike, duke lënë pas fëmijë që rriten me mungesën e përditshme të përqafimit prindëror. Të tjerë punojnë me orare të gjata dhe të lodhshme, saqë koha për komunikim me fëmijën reduktohet në minimum. Ka edhe raste kur brenda familjes ka konflikte të vazhdueshme, ndarje, apo tensione që e bëjnë ambientin emocionalisht të pasigurt për fëmijën. Në të gjitha këto situata, fëmija mbetet pa një udhëzim të qëndrueshëm emocional.

- Advertisement - m2

673399827 2675106369535058 6960193856793082120 n

Kjo mungesë nuk mbetet pa pasoja. Ajo shfaqet në sjelljen e fëmijës, në mënyrën si ai reagon, në mungesën e përqendrimit dhe në raportin me shkollën dhe mësimin. Pikërisht këtu, roli i mësuesit fillon të zgjerohet natyrshëm përtej detyrës së tij të zakonshme.

Mësuesi nuk është më vetëm transmetues i dijes. Ai shpesh bëhet edhe mbështetje emocionale, udhërrëfyes dhe në shumë raste, një figurë zëvendësuese prindërore. Është ai që vëren ndryshimet e vogla në sjelljen e një nxënësi, që kupton kur një fëmijë nuk është thjesht i pa përgatitur, por i ngarkuar. Ai përpiqet të dëgjojë atë që nuk thuhet me fjalë dhe të mbushë, sa të mundet, boshllëqet që familja nuk ka arritur t’i plotësojë.

Në këtë realitet, edhe një pjesë e brezit të sotëm mbart një ngarkesë të madhe emocionale. Shpesh ata perceptohen si të shpërqendruar, të papërgjegjshëm, të rrembyer apo të painteresuar për mësimin. Por pas kësaj sjelljeje mund të fshihen histori të padukshme: stres familjar, mungesë vëmendjeje, tensione në shtëpi, apo një ndjenjë e thellë pasigurie. Ata shpesh nuk janë thjesht “të papërkushtuar”, por të mbingarkuar emocionalisht, dhe këtë ngarkesë e shfaqin në mënyrën e tyre të sjelljes.

Kjo e vendos mësuesin në një pozitë edhe më të ndërlikuar. Ai duhet të kuptojë jo vetëm nivelin e dijes, por edhe gjendjen emocionale të nxënësit. Ai duhet të dallojë kur një mungesë përqendrimi nuk vjen nga mungesa e vullnetit, por nga një shqetësim i brendshëm. Dhe në shumë raste, ai bëhet personi i vetëm që i jep fëmijës një ndjenjë stabiliteti dhe kuptimi.

Ky rol nuk është i lehtë. Mësuesi përpiqet të mbajë ekuilibrin mes mësimdhënies dhe mbështetjes njerëzore, duke u bërë shpesh një figurë e dytë familjare brenda klasës. Ai jep durim, mirëkuptim dhe përkrahje në një kohë kur shumë fëmijë nuk e gjejnë këtë në shtëpi.

Megjithatë, kjo nuk duhet të shihet si një zëvendësim i familjes, por si një sinjal i qartë se familja dhe shkolla duhet të bashkëpunojnë më ngushtë. Sepse as mësuesi nuk mund të mbajë i vetëm peshën e mungesës emocionale të një brezi të tërë.

Fëmijët kanë nevojë për të dyja: për dashurinë dhe praninë e prindërve, dhe për udhëheqjen dhe mbështetjen e mësuesit. Vetëm atëherë ata mund të rriten të balancuar, të kuptuar dhe të përgatitur për jetën.

Arsimi nuk është vetëm mësim. Është një rrjet i ndërlikuar marrëdhëniesh njerëzore, ku çdo mungesë lë gjurmë dhe çdo kujdes mund të bëjë diferencën.

Autorja është mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has

Shqip | English