Nga Manushaqe Hoxha Laçi: Mësuesi – dinjiteti që meriton nderim

- Advertisement5 -

Mësuesi është ai që ecën përkrah jush, krah për krah me komunitetin, një zë i qetë, por i qëndrueshëm, që nuk largohet kurrë nga përgjegjësia për të ndriçuar mendjet e brezave. Ai nuk qëndron mbi askënd, por ecën mes njerëzve, si pjesë e tyre.

- paragrafi 1 -

Para se të jetë mësues, ai është njeri. Ka ditë të mira e ditë të vështira, ka lodhje, ka gëzime, ka brenga, ka shpresa. Nuk është një figurë prej guri, por është një zemër që rreh fort, një shpirt që përpiqet, një njeri që kërkon të japë më të mirën, edhe kur nuk ka shumë për të dhënë.

- Advertisement -

Mësuesi është biri apo bija e dikujt. Një prind që dikur e ka çuar për dore drejt shkollës, një familje që është krenuar me të, që ka sakrifikuar që ai të arsimohet, të ndërtojë të ardhmen e tij.

Është edhe vëlla apo motër e dikujt, pjesë e një shtëpie ku rritja e tij ka lënë gjurmë, një krah ku është mbështetur dhe një zemër ku është gëzuar.

Shpesh është edhe prind vetë, duke përballuar dyfish detyrime: të jetë udhëheqës i fëmijëve të tij dhe i fëmijëve të të tjerëve. Dhe megjithatë, nuk lodhet së dhëni dashuri, qetësi, kujdes.

- Advertisement -

Ka halle si çdo njeri. Ka fatura, ka dhimbje koke, ka shqetësime natën, ka pyetje që nuk marrin përgjigje. Por në klasë ai hyn me një buzëqeshje që shpesh lind mbi plagët e tij të heshtura.

Ka nevoja njerëzore si çdo njeri: nevojë për respekt, për dëgjim, për mirëkuptim. Për një fjali të thjeshtë: “Ju faleminderit për gjithçka që bëni!” Nevoja të vogla në dukje, por të mëdha në peshë.

Dëshiron të trajtohet me dinjitet, siç dëshiron çdo qenie njerëzore. Sepse dinjiteti nuk është luks: është e drejtë. Dhe mësuesi, më shumë se kushdo, e meriton.

Mësuesi është elita e shoqërisë. Jo sepse e thonë librat, por sepse çdo fëmijë, duke filluar nga kopshti e deri te adoleshenca, kalon nëpër duart e tij. Çdo shpresë e së ardhmes nis me një mësues.

Figura e mësuesit është e shenjtë. E tillë duhet të jetë në fjalë, në vepra, në qëndrime. E shenjtë jo sepse kërkon privilegje, por sepse mban në duar të ardhmen e fëmijëve tanë.

Mësuesi duhet të nderohet, të vendoset aty ku i përket: në piedestalin e mirënjohjes dhe respektit. Aty ku nderohen ata që e lartësojnë shoqërinë, jo me thirrje të mëdha, por me punë të përditshme.

E mbi të gjitha…ana emocionale e mësuesit duhet të ushqehet me buzëqeshjet e nxënësve, me përshëndetjet e tyre të sinqerta, me sytë që ndriçojnë kur e shohin në klasë apo në rrugë. Sepse te dashuria e nxënësve, mësuesi gjen forcën, misionin dhe arsyen për të vazhduar.

Ky është nderimi më i madh që mësuesi mund të marrë: të dijë se zemrat që ka prekur nuk e kanë harruar kurrë.

Autorja është mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has.