Nga Manushaqe Hoxha Laçi: Kur nota zëvendëson dijen – një krizë e heshtur në arsim

- Advertisement -

Në një kohë kur teknologjia dhe informacioni janë gjithmonë më afër nesh, arsimi po përballet me një krizë të heshtur, por të thellë. Dija po zbehet, ndërsa nota po mbivlerësohet. Me fjalë të thjeshta, nxënësit po përdorin teknologjinë jo për të nxënë, por për të marrë vlerësime maksimale. Kjo e ka kthyer arsimin në një sistem ku dija realisht zëvendësohet nga kërkesa për të marrë pikët më të larta.

- paragrafi 1 -

Në dukje, teknologjia i ka lehtësuar shumë gjëra nxënësve: çdo informacion është një klikim larg, përmbledhjet janë të gatshme në internet, zgjidhjet e ushtrimeve janë në platformat si YouTube, TikTok dhe aplikacione si Photomath. Megjithatë, lehtësia e aksesit nuk është e barabartë me kuptimin e thellë dhe këtu nënkuptohet problemi kryesor.

- Advertisement -

Sot, shumë nxënës e përdorin teknologjinë për të kopjuar, për të marrë përgjigje të gatshme apo për të ndërtuar ese që nuk i kanë shkruar vetë. ChatGPT, Google dhe aplikacione të tjera janë bërë mjete për të kaluar nëpër provime, jo për të zhvilluar mendjen. Nxënësit kërkojnë përgjigjet e duhura për të marrë pikët, duke shpërfillur thelbin e mësimit dhe pa e kuptuar të vërtetën që fshihet pas përgjigjeve.

Ky është një shembull i dukshëm i arsimimit për nota, jo për njohuri. Të rinjtë janë më të fokusuar te rezultati përfundimtar sesa në rrugën që duhet të ndjekin për ta arritur atë. Si pasojë, dija nuk përvetësohet dhe shpesh harrohet menjëherë pas testit. Nuk ka asnjë përpjekje për të thelluar njohuritë, vetëm për t’i marrë ato sa më shpejt dhe më lehtë
Manushaqe Hoxha Laçi
Kjo situatë nxit një mësim të shpejtë dhe mekanik. Pjesa më e madhe e nxënësve nuk mësojnë më për të fituar një kompetencë të vërtetë, por për të kaluar provimet. Një shembull i thjeshtë mund të jetë eseja e letërsisë që shumë nxënës e kopjojnë nga interneti, pa lexuar fare tekstin e kërkuar. Ky nuk është vetëm një problem etik, por një alarm për funksionimin e sistemit tonë arsimor.

Për më tepër, dija është kthyer në një mjet për të arritur nota, dhe jo një burim zhvillimi personal. Maturantët që marrin nota të shkëlqyera shpesh nuk janë në gjendje të shpjegojnë konceptet bazë të lëndëve, sepse gjatë gjithë kohës kanë qenë të përqendruar tek strategjitë për të marrë pikë, jo për të kuptuar thelbin e lëndës.

- Advertisement -

Teorikisht, teknologjia mund të jetë një aleat i fuqishëm për të ndihmuar mësimin. Kur përdoret në mënyrë të mençur, ajo mund të inkurajojë nxënësit të eksplorojnë thellë një temë, të krijojnë projekte ose të mësojnë në mënyrë të personalizuar. Por kur përdoret vetëm për të shmangur përpjekjen mendore, ajo e dobëson atë që arsimi duhet të forcojë: aftësinë për të menduar.

Në thelb, sistemi ynë arsimor mat më shumë çfarë dinë nxënësit përkohësisht, sesa sa janë të aftë të kuptojnë dhe të përdorin atë që mësojnë. Ky është problemi kryesor: nota ka marrë rolin kryesor, duke e shtyrë dijen jashtë skenës.

William Butler Yeats thotë: “Arsimi nuk është mbushja e një ene, por ndezja e një zjarri.” Por në sistemin tonë arsimor, dhe jo vetëm, po përjetojmë një krizë të heshtur. Dija po humbet vlerën e saj reale, ndërsa nota po vendoset në qendër të gjithçkaje. Nxënësit mësojnë për provim, jo për të kuptuar; për të marrë 10-ën, jo për të ndërtuar të ardhmen e tyre mbi themele të sigurta.

Në këtë mënyrë, shkrimi i përmendur më sipër është shumë i rëndësishëm për të kuptuar që dija është shumë më shumë se informacioni që memorizohet për një test. Ajo është aftësia për të kuptuar, për të menduar kritikisht, për të lidhur koncepte dhe për të parë botën në mënyrë të thelluar. Megjithatë, kjo lloj dijeje ende nuk vlerësohet si duhet.

Nxënësit shpesh ndihen të detyruar të përqendrohen në formulare, përmbledhje dhe struktura që mund të garantojnë nota të larta. Kjo nuk ndodh sepse ata nuk janë të aftë të mendojnë thellë, por sepse sistemi nuk u ofron mundësinë, hapësirën dhe vlerësimin për të bërë një gjë të tillë.

Nota ka marrë një rol të pashmangshëm, dhe është bërë një qëllim në vetvete. Ajo përcakton gjithçka: pranimin në universitete, bursat, vlerësimin nga mësuesit, dhe shpesh edhe respektin në familje. Ky fenomen është më i dukshëm në provimet e maturës shtetërore, ku një rezultat mund të përcaktojë fatin e një të riu, pavarësisht potencialit të tij të vërtetë
Manushaqe Hoxha Laçi
Por ka gjithashtu mundësi për ndryshim. Disa mësues, shpesh të veçuar, punojnë jashtë kornizave tradicionale, duke inkurajuar projekte, kërkime dhe diskutime kritike në klasë. Edhe pse disa nxënës nuk kanë qenë të shkëlqyer në nota, ata kanë arritur suksese të jashtëzakonshme në fushat e teknologjisë, artit dhe ndërmarrësisë, shpesh përmes formave alternative të të mësuarit si kurset online, praktikat dhe vetë-studimi.

Një model i njohur dhe i suksesshëm është ai i Finlandës, ku nxënësit nuk testohen masivisht, por vlerësohen gjatë gjithë vitit në mënyrë individuale. Mësuesit kanë lirinë për të përshtatur mësimdhënien, dhe vëmendja përqendrohet te procesi, jo te rezultati përfundimtar.

Për të ndryshuar këtë realitet, është e domosdoshme të:

Rishikohen mënyrat e vlerësimit dhe të orientohen më shumë drejt aftësive analitike dhe krijuese.

Edukimi i përdorimit të teknologjisë duhet të bëhet me qëllimin që ajo të mbështesë procesin e të nxënit, dhe jo ta zëvendësojë atë.

Kultura e vlerësimit të dijes duhet të ndryshohet, duke i dhënë vlerë përmbajtjes dhe jo thjesht numrit të notës.

Zbutja e peshës së notës veçanërisht në provimet përfundimtare.

Diversifikimi i formave të vlerësimit, përfshirë projekte, ese, debate dhe punë praktike.
Inkurajimi i mësimit të bazuar në kërkim dhe zgjidhjen e problemeve.

Trajnimi i mësuesve për të mbështetur mendimin kritik, sesa riprodhimin e fakteve.
Ndërgjegjësimi i prindërve që të mos e barazojnë notën me vlerën e fëmijës.

Për mendimin tim personal më kryesorja është zbutja e peshës së notës së provimeve përfundimtare dhe ndërgjegjësimi i prindërve që të mos kërkojnë nota të pamerituara për fëmijët e tyre.

Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri që mendon, krijon dhe inovaton, nuk mund të vazhdojmë ta mbysim dijen me numra. Nota mund të hapë një derë, por është dija ajo që të mban brenda.

Dhe ndoshta është koha jo për të pyetur: “Çfarë ke marrë në provim?” por: “Çfarë ke kuptuar?”

Autorja është mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has