Nga Malvina Lamçe Rista: Mjaft me lëndë të djathtësisë, të gjitha lëndët janë themel i edukimit

- Advertisement -

Në sistemin tonë arsimor parauniversitar, një ndarje e heshtur, por shumë e dëmshme, po zë gjithnjë e më shumë vend: ndarja e lëndëve në “të rëndësishme” dhe “të parëndësishme” – apo, siç thuhet në mënyrë jozyrtare e shqetësuese, në lëndë kryesore dhe “lëndë të djathtësisë”…

- paragrafi 1 -

Në këtë hierarki të paqenë, lëndë të tilla si qytetaria, muzika, arti pamor, edukata shoqërore, filozofia apo edukimi etik shpesh cilësohen si “të dorës së dytë”, thuajse zbukurime fakultative që mund të anashkalohen pa pasoja. Por kjo mënyrë të menduari është jo vetëm e padrejtë, por edhe tejet e rrezikshme për formimin e brezave të rinj.

- Advertisement -

Së pari, është e rëndësishme të kuptojmë se çdo lëndë në një program shkollor ekziston për një arsye të fortë edukative. Nuk ka lëndë të panevojshme. Qytetaria nuk është thjesht një orë mësimi për të plotësuar kalendarin, por është një përpjekje për të edukuar nxënës të ndërgjegjshëm për të drejtat dhe detyrimet e tyre, për demokracinë, për të mirën e përbashkët. A nuk është kjo një nga nevojat më emergjente në shoqërinë tonë?

Kur injorojmë lëndë që nuk kanë provim kombëtar, por kanë vlerë jetike në formimin e qytetarit të së nesërmes, ne po krijojmë gjenerata që mund të dinë të zgjidhin ekuacione, por nuk dinë të zgjidhin konflikte. Mund të lexojnë një paragraf në anglisht, por nuk arrijnë të lexojnë realitetin shoqëror që i rrethon. Mund të njohin datat historike, por nuk dinë të respektojnë tjetrin apo të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën demokratike të vendit.
Fakti që disa lëndë nuk maten me testime të standardizuara nuk i bën ato më pak të rëndësishme. Edukimi nuk është vetëm për të kaluar provime. Është për të ndërtuar personalitete, për të edukuar ndjeshmëri, për të zhvilluar mendimin kritik, kreativitetin dhe vetëdijen shoqërore – aspekte që shpesh pikërisht lëndët “e neglizhuara” i zhvillojnë më mirë se kushdo tjetër.

Sistemi ynë arsimor ka nevojë për një ndryshim thelbësor të mënyrës së të menduarit. Të gjitha lëndët duhet të respektohen, të mbështeten dhe të zhvillohen me seriozitet të njëjtë. Mësuesit që japin këto lëndë nuk janë më pak të rëndësishëm, por shpesh janë pikërisht ata që bëjnë ndryshimin në formimin e njeriut të plotë – atij që di, por edhe kupton, ndjen, mendon dhe vepron me përgjegjësi.

- Advertisement -

Në vend të ndarjes në “të djathta” dhe “të majta”, në vend të renditjes hierarkike, është koha të kthejmë vëmendjen nga cilësia e përmbajtjes në vlerën që sjell për jetën reale. Sepse edukimi i vërtetë nuk është ai që ndjek vetëm lëndët që “duhet të kalohen”, por ai që përgatit nxënësit për jetën që duhet jetuar me përgjegjësi, dinjitet dhe ndjeshmëri.

AlbanianEducation.net