Nga Malvina Lamçe Rista: Duke dashur më të mirën për fëmijën, po i heqim forcën për jetën

- Advertisement5 -

Duke dashur te besh me te miren per femijen tend, pa dashur ben me te keqen…. Të bësh më të mirën për fëmijën nuk do të thotë gjithmonë t’ia bësh jetën të lehtë.

- paragrafi 1 -

Shpesh, pa e kuptuar, dashuria jonë merr formën e ndërhyrjes së tepërt: ne parashikojmë çdo nevojë, zgjidhim çdo problem, shmangim çdo vështirësi. Dhe kështu, pa dashje, i heqim fëmijës mundësinë më të rëndësishme: të rritet. Fëmija që i ka të gjitha gati, nuk mëson të kërkojë. Ai që nuk përballet me vështirësi, nuk mëson të mendojë. Dhe ai që nuk gabon, nuk mëson të korrigjojë veten. Në dukje kemi krijuar një botë të sigurt për të; në thelb, kemi dobësuar aftësinë e tij për të qëndruar i fortë në botën reale.

- Advertisement - M1

Filozofikisht, rritja është një proces përballjeje. Njeriu bëhet i aftë jo duke shmangur sfidat, por duke u përballur me to. Një fëmijë që nuk ka “djegur dorën” kurrë, nuk e kupton vërtet rrezikun e zjarrit. (Kur ke Mashen, pse te djegesh doren). Ai thjesht i bindet një rregulli, por nuk ndërton vetëdije. Ndërsa përvoja, edhe kur është e vogël, edhe kur sjell pak parehati – krijon dije të brendshme, të qëndrueshme.

Praktikisht, kjo do të thotë të mësojmë të tërhiqemi pak. Të mos i lidhim gjithmonë këpucët në vend të tyre. Të mos i zgjidhim menjëherë konfliktet me shokët. Të mos i japim përgjigjet, por t’i udhëheqim drejt pyetjeve. Të tolerojmë gabimet e tyre, edhe kur na duket më e lehtë të ndërhyjmë.
Sepse autonomia nuk lind nga komoditeti, por nga përpjekja. Vetëbesimi nuk ndërtohet nga ndihma e vazhdueshme, por nga përvoja e “ia dola vetë”. Dhe përgjegjësia nuk mësohet duke u mbrojtur nga çdo pasojë, por duke përjetuar lidhjen mes veprimit dhe rezultatit.

Të lësh fëmijën të përgjigjet vetë ndaj jetës nuk është mungesë dashurie. Përkundrazi, është forma më e lartë e saj. Është besimi se ai është i aftë, edhe kur ende po mëson. Është durimi për ta parë të gabojë, dhe mençuria për të mos e shpëtuar gjithmonë.

- Advertisement - m2

Sepse një ditë, ne nuk do të jemi aty. Dhe atëherë, ajo që do ta mbajë në këmbë nuk janë gjërat që ia kemi bërë ne, por ato që ai ka mësuar t’i bëjë vetë.