Nga Maliq Fetahu: Riktheni respektin për mësimdhënësin

- Advertisement5 -

Rikthimi i respektit për mësimdhënësin është një nga sfidat më serioze të arsimit bashkëkohor në Kosovë.

- paragrafi 1 -

Në vend që mësimdhënësi të trajtohet si shtyllë e sistemit arsimor, ai shpesh gjendet i nëpërkëmbur, i pambrojtur dhe i fajësuar për dështime që burojnë nga politika të gabuara dhe vendimmarrje të shkëputura nga realiteti shkollor.

- Advertisement - M1

Mësimdhënësi nuk është vetëm zbatues i kurrikulës, por formues i mendjes kritike, i vlerave qytetare dhe i përgjegjësisë shoqërore. Megjithatë, autoriteti i tij profesional është zbehur nga ndërhyrjet e vazhdueshme politike, nga mungesa e mbështetjes institucionale dhe nga një diskurs publik që shpesh e paraqet mësimdhënësin si hallkën më të dobët të sistemit. Ky qasje është jo vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme për të ardhmen e arsimit.

Një ndër problemet kryesore mbetet mungesa e politikave të qëndrueshme arsimore. Reformat e shpeshta, të papërgatitura dhe të pa konsultuara me mësimdhënësit, kanë krijuar pasiguri dhe konfuzion në shkolla. Insistimi për llogaridhënie të njëanshme, pa krijuar kushte reale pune, pa trajnim cilësor dhe pa mbështetje profesionale, e ka shndërruar mësimdhënësin në objekt kontrolli, jo në subjekt zhvillimi.

Respekti për mësimdhënësin nuk mund të rikthehet me fjalë boshe apo deklarata publike. Ai rikthehet vetëm përmes veprimit konkret: duke garantuar dinjitet profesional, duke mbrojtur autoritetin e tij në klasë, duke ndalur presionet administrative dhe duke e përfshirë realisht në hartimin dhe zbatimin e politikave arsimore. Po ashtu, prindërit duhet të kuptojnë se shkolla nuk është shërbim klientelist, por institucion edukativ, ku bashkëpunimi dhe respekti janë themel.

- Advertisement - m2

Një shoqëri që nuk e respekton mësimdhënësin, në thelb mohon vlerën e dijes dhe arsimit. Prandaj, rikthimi i respektit për mësimdhënësin është përgjegjësi institucionale, shoqërore dhe morale. Pa mësimdhënës të respektuar, nuk mund të ketë arsim cilësor, e pa arsim cilësor nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm dhe as të ardhme të sigurt.

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara