Në vitet e ’90-ta, kur errësira politike dhe shoqërore rëndonte mbi Kosovë, mësuesi nuk ishte thjesht bartës i dijes. Ai ishte shtyllë që mbante gjallë shpresën, zë i arsyes në kohë heshtjeje të imponuar dhe shembull i guximit pa zhurmë. Në një realitet ku shkolla u përzunë nga objektet e tyre, mësimi nuk u përzunë nga shpirti i mësuesit.
Mësuesit e asaj kohe dhanë mësim në shtëpi private, bodrume, oda e dhoma të ftohta, shpesh pa libra, pa mjete didaktike, pa pagesë të rregullt. Por ata kishin diçka më të madhe se çdo pagë: ndjenjën e misionit. Çdo orë mësimi ishte akt rezistence, çdo ditar i mbajtur fshehurazi ishte dëshmi se dija nuk mund të ndalohet me dhunë.
Ata nuk mbanin uniformë ushtarake, por ishin ushtarë të arsimit. Nuk dilnin në ballë të protestave me parulla, por formonin breza që do ta kuptonin lirinë përmes dijes. Heroizmi i tyre nuk u shkrua në kronika lufte, por në mendjet dhe zemrat e nxënësve që sot janë mjekë, inxhinierë, mësues, udhëheqës e prindër të përgjegjshëm.
Mësuesi i viteve ’90-ta e dinte se çdo fjalë e thënë në klasë ishte rrezik, por edhe shpresë. Ai sakrifikoi qetësinë familjare, sigurinë personale dhe shpesh shëndetin, për të mos lejuar që errësira të bëhej e përhershme. Në heshtje, pa lavdi dhe pa kërkuar mirënjohje, ai ruajti gjuhën, identitetin dhe të ardhmen.
Sot, kur flasim për lirinë dhe shtetin, duhet të kujtojmë se themelet e tij u ndërtuan edhe nga këta heronj të heshtur. Mësuesit e viteve ’90-ta nuk kërkuan monumente, por meritojnë kujtesë të përhershme. Sepse aty ku pushka mbron tokën, mësuesi mbron shpirtin e kombit.