Jemi në përfundim të gjysmëvjetorit të parë, një periudhë thelbësore për secilin mësimdhënës dhe për vetë procesin arsimor.
Kjo është koha kur duhet të përqendrohemi me përkushtim të plotë në vlerësimin e nxënësve, në analizën e arritjeve të tyre dhe në planifikimin e hapave të mëtejmë për suksesin e çdo fëmije.
Në këtë fazë të ndjeshme, angazhimi i mësimdhënësve në aktivitetet dhe fushatat politike jo vetëm që i largon nga misioni i tyre profesional, por edhe dëmton cilësinë e procesit mësimor. Mësimdhënësi duhet të jetë shembull i paanshmërisë, përkushtimit dhe fokusit në edukim, jo pjesë e garave politike.
Partitë politike le të zhvillojnë fushatat e tyre, por le të mos e prekin dhe pengojnë punën e shenjtë të arsimit. Le të kujdesen për politikat arsimore, për përmirësimin e kushteve në shkolla, për mbështetjen profesionale të mësimdhënësve dhe për investimet që çojnë përpara sistemin arsimor – aty ku vërtet kanë përgjegjësi.
Arsimi nuk duhet të jetë as skenë, as mjet i politikës ditore. Detyra dhe nderi i mësimdhënësit është të jetë pranë nxënësit, sidomos në ditë si këto, kur përgatitet vlerësimi gjysmëvjetor.