Arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e çdo kombi. Në Kosovë, ky themel, megjithëse është vendosur me përkushtim pas luftës, vazhdon të përballet me sfida të shumta që pengojnë zhvillimin e tij të mirëfilltë. Shpresa për një sistem arsimor të drejtë, modern dhe cilësor është ende e gjallë, por realiteti shpesh është ndryshe nga vizioni.
Pas vitit 1999, arsimi në Kosovë mori një drejtim të ri – me synimin për të ndërtuar një sistem të hapur, të standardizuar dhe të barabartë për të gjithë. Megjithatë, reformat e njëpasnjëshme, shpesh të papërfunduara ose të imponuara pa ndërtuar kapacitete adekuate, krijuan më shumë pështjellim sesa stabilitet. Mungesa e një strategjie afatgjate të qëndrueshme ka bërë që mësimdhënësit, nxënësit dhe institucionet të mbesin shpesh në mjegull.
Në qendër të këtij sistemi qëndron mësimdhënësi, figura që duhet të jetë shtylla e dijes dhe formimit të brezave të rinj. Por, mësimdhënësit kosovarë, përballen me kushte të vështira pune, paga të pamjaftueshme, mungesë trajnimesh të vazhdueshme dhe shpeshherë me mungesë mbështetje morale dhe institucionale. Respekti për profesionin e mësuesit është zbehur, jo për shkak të mungesës së vlerës së tyre, por për shkak të mungesës së përkushtimit shtetëror në fuqizimin e këtij roli jetik.
Nga ana tjetër, nxënësit shpesh mësojnë në shkolla me infrastrukturë të amortizuar, me mungesë librash cilësorë, pajisjesh digjitale dhe burimesh pedagogjike moderne. Kurrikula bazohet në parime bashkëkohore, por zbatimi i saj ngec në mungesë të përgatitjes profesionale dhe teknike. Vlerësimi i nxënësve shpesh nuk mat aftësitë reale, por më shumë përpiqet të përmbushë forma administrative të një sistemi që kërkon shifra, jo cilësi.
Një tjetër plagë është largimi i të rinjve nga vendi. Mungesa e perspektivës dhe e besimit në sistem, i shtyn shumë të rinj të braktisin shkollën ose të largohen jashtë për arsim më të mirë. E kjo, në mënyrë të drejtpërdrejtë, e zbraz Kosovën nga potenciali i saj më i çmuar – dija dhe rinia.
Për të ndryshuar këtë realitet, nuk mjaftojnë vetëm ligje të reja apo strategji të bukura në letër. Nevojitet vullnet politik, investim serioz, përfshirje e shoqërisë civile dhe mbi të gjitha, kthimi i dinjitetit në arsim. Mësuesit duhet të ndihen të respektuar dhe të përgatitur. Nxënësit duhet të frymëzohen për të menduar lirshëm e kritikisht, jo të mësojnë mekanikisht. Shkollat duhet të jenë qendra dijesh, jo vetëm ndërtesa formale.
Arsimi është pasqyrë e shoqërisë. E nëse kjo pasqyrë na tregon fytyrën e lodhur të një sistemi që rënkon nën peshën e papërgjegjësisë, atëherë është koha të ndërhyjmë me mendje të kthjellët dhe zemër të përkushtuar. Sepse, pa arsim të mirë, nuk ka zhvillim, nuk ka drejtësi, nuk ka shtet. /AlbanianEducation.net/.