Nga Majlinda Berati: Pse nuk duhet të krahasojmë nxënësit?

- Advertisement -

Krahasimi i nxënësve është një praktikë që duket e padëmshme, por në thelb krijon më shumë dëm sesa dobi.

- paragrafi 1 -

Çdo fëmijë ka ritmin, aftësitë dhe mënyrën e vet të të menduarit. Kur i vëmë përballë njëri-tjetrit, humbasim pikërisht atë që është më e vlefshme: individualitetin. Krahasimi e zhvendos vëmendjen nga përpjekja tek rezultati, nga zhvillimi personal tek gara, duke krijuar një klimë ku frika nga gabimi bëhet më e madhe se dëshira për të mësuar.

- Advertisement -

Një nxënës mund të quhet “më i dobët”, një tjetër “më i miri”, si sikur vlera e tyre të ishte e pandryshueshme. Këto etiketime ndikojnë drejtpërdrejt në vetëbesimin e tyre: njëri dorëzohet sepse ndjehet inferior, tjetri i trembet humbjes së statusit. Në të dyja rastet, procesi i të nxënit dëmtohet.

Shkolla duhet të jetë një mjedis ku fëmijët rriten sipas potencialit të tyre, jo sipas një gare të pabarabartë. Ajo që ka rëndësi është që sot të jenë pak më të mirë se dje, jo më të mirë se njëri-tjetri. Kur fokusi kalon tek progresi personal, nxënësit fillojnë të shohin veten si individë që mund të zhvillohen, jo si pjesë të një renditjeje.

Prandaj, në vend të krahasimeve, duhet të nxisim vëmendjen, durimin, përkushtimin dhe besimin se secili mund të arrijë suksesin në mënyrën e vet. Vetëm kështu krijojmë një kulturë të shëndetshme mësimi, ku çdo nxënës ndihet i vlerësuar dhe i aftë.

- Advertisement -

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara