1.
Dihet mirëfilli se arsimi shqip ka pësuar ndryshime drastike në etapa të ndryshme historike, gjithherë në varësi të përpjekjes për të ndjekur hapin e kohës, ndonëse brenda një hapësire të kufizuar. Kjo ka krijuar dy probleme thelbësore: krizën e kulturës së mendësisë shoqërore dhe mungesës së kulturës institucionale.
2.
Në vazhdën e orvatjeve për kontekstualizimin e sistemit arsimor, jo rrallë herë ka pasur keqkuptime konceptuale e keqinterpretime tekstuale përgjatë implementimit nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm arsimorë. Gjë që ka shkaktuar shkarje e boshllëk në mes teorisë e praktikës.
3.
Në rendin e kësaj çështjeje, shmangia, në rastin më të keq zbehja e mendimit të subjekteve përbrenda arsimit, ka bërë që reformat të shndërrohen në formalizma sipërfaqësorë, ani se janë domosdoshmëri për kohën, si dhe shihen shpeshherë si të vonuara, me të drejtë.
4.
Ngarendja pas objektivitetit, konkretizimit, të qenët specifik përkundrejt subjektivitetit, abstraktes, të përgjithshmes kanë “trupëzuar” sistemin arsimor, aq shumë sa është ngurtësuar, pra, ka humbur fluiditetin.
5.
Këto premisa rrezikojnë të lëkundin frymën humane, edhe pse e dijmë se arsimi i takon njerëzores, është dhe mbetet vetëm për njeriun. Pra, gabueshmëria është shpirti i tij. Këtu qëndron e tërë çështja, i gjithë kompleksiteti.
6.
Prandaj!
E them sërish:
Ndaj, duhet t’i vihet peshë dhe t’i kushtohet rëndësi e posaçme mendimit të subjekteve për dhe brenda arsimit. Subjektiviteti është pjesë qenësore e arsimit. Pa të nuk bën! Krijimi i mjedisit subjektiv ngjallë mendimin kritik e krijues, debatet e diskutimet konstruktive, reformat përmbajtësore, deri te sigurimi i cilësisë.
7.
Përndryshe:
Pse duhet të kemi mendim për arsimin?!
Pse duhet të bëjmë pyetje për arsimin?!
Kush na dëgjon, kur flasim për arsimin?!
Përse duhet të konsiderohen subjekt i arsimit nxënësi, mësimdhënësi, prindi, drejtori, eksperti, etj.?!
A duhet të mendojmë për arsimin?!
Çfarë duhet të mendojmë për arsimin?!
Çfarë na nevojitet arsimi?!
Kujt i nevojitet arsimi?!
Nëse jo për arsimin, çfarë na duhet mendimi?!
