Në vitet e fundit, përdorimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në procesin mësimor është kthyer në një kërkesë bashkekohore e domosdoshme për të rritur cilësinë e orës mesimore, për ta bërë mësimin më tërheqës dhe për ta përshtatur për të gjitha stilet e të nxënit.
Udhëzimet për Arsimin e Mesëm të Ulët (AMU) parashikojnë që rreth 15% e orëve mësimore të zhvillohen përmes teknologjisë digjitale, duke sjellë një transformim të dukshëm në mënyrën e të mësuarit dhe të mësimdhënies.
Pavarësisht sfidave, mësuesit i janë përgjigjur me përkushtim këtij ndryshimi. Shumë prej tyre kanë nisur nga zero në përdorimin e mjeteve digjitale, shpesh pa trajnimet e nevojshme, me mungesë pajisjesh dhe, në jo pak raste, pa akses të qëndrueshëm në internet në klasa.
Vështirësi shtesë ka sjellë edhe përdorimi i platformave për krijimin e ushtrimeve interaktive, një pjesë e të cilave janë me pagesë dhe jo gjithmonë të përballueshme. Megjithatë, përkushtimi dhe kreativiteti i mësuesve kanë bërë të mundur realizimin e orëve mësimore digjitale cilësore edhe në kushte jo të favorshme.
Në këtë realitet, bëhet e domosdoshme ruajtja dhe vlerësimi i kësaj pune krijuese. Çdo vit krijohen materiale të shumta digjitale – video mësimore, ushtrime interaktive dhe përmbajtje didaktike – të cilat shpesh humbasin ose mbeten të pashfrytëzuara nga të tjerët.
Pikërisht këtu lind nevoja për krijimin e vidiotekave në shkolla. Një vidiotekë shkollore do të shërbente si një arkiv i përbashkët, ku mësuesit mund të depozitojnë dhe të ndajnë materialet e tyre digjitale. Ky fond do të pasurohej vazhdimisht dhe do të ishte në dispozicion të të gjithë stafit pedagogjik.
Një nismë e tillë do të shmangte humbjen e punës krijuese, do të lehtësonte punën e përditshme të mësuesve, do të nxiste bashkëpunimin dhe do të rriste ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies.
Në përfundim, krijimi i vidiotekave në shkolla nuk është thjesht një ide inovative, por një domosdoshmëri për një sistem arsimor modern, bashkëpunues dhe të qëndrueshëm.