Një reflektim mbi rastin e Kaon Krasniqit, një 14-vjeçar që ndërton platforma me inteligjencë artificiale
Në një realitet ku shumica e adoleshentëve përfshihen në rutinën e zakonshme shkollore dhe angazhimin në rrjete sociale, rasti i Kaon Krasniqit nga Prishtina shfaqet si një përjashtim frymëzues. Në moshën 14-vjeçare, Kaoni nuk është vetëm një nxënës i dalluar, por edhe një zhvillues i platformave teknologjike të bazuara në inteligjencë artificiale (AI) – një arritje që tejkalon jo vetëm moshatarët e tij, por edhe shumë të rritur në këtë fushë.
Ky artikull merr shkas nga shembulli i Kaonit për të ngritur një debat më të gjerë: si duhet t’i identifikojë dhe t’i përkrahë shoqëria fëmijët me dhunti të veçanta?
Talenti i hershëm – një dhuratë me sfida të shumta
Në literaturën psikologjike, dhuntia e lartë kognitive përshkruhet si një formë e inteligjencës së avancuar, që shpesh shfaqet herët dhe manifestohet në fusha të ndryshme- shkencë, art, muzikë, teknologji. Sipas psikologëve zhvillimorë, kjo dhunti shpesh shoqërohet me ndjeshmëri emocionale të lartë, aftësi të jashtëzakonshme për përqendrim, si dhe nevojë të vazhdueshme për sfida intelektuale.
Rasti i Kaonit është ilustrues: në vend që të jetë thjesht përdorues i teknologjisë, ai është krijues aktiv i saj, duke ndërtuar platforma që përdorin AI për të analizuar të dhëna, për të mësuar nga ndërveprimi me përdoruesit dhe për të ofruar zgjidhje inteligjente në fusha të ndryshme.
Mirëpo, ndërsa dhuntia është një bekim, ajo shpesh përbën edhe sfidë. Fëmijët me potencial të lartë ndihen të pakuptuar në mjedise arsimore të standardizuara dhe përballen me vështirësi sociale dhe emocionale.
Dr. Maria S. Gallagher, psikologe e zhvillimit, nënvizon:
“Fëmijët me dhunti të veçanta kërkojnë më shumë sesa një klasë tradicionale. Ata kanë nevojë për ambiente që përputhen me ritmin dhe thellësinë e mendimit të tyre, përndryshe rrezikojnë të ndihen të izoluar.”
Sistemi arsimor dhe përgjegjësia shoqërore
Psikologjia edukative ofron disa parime themelore për përkrahjen efektive të fëmijëve me dhunti:
1. Identifikimi i hershëm
Shumë talente mbeten të fshehura për shkak të qasjes standardizuese të sistemeve arsimore. Përdorimi i testeve psikometrike dhe vlerësimeve të diferencuara ndihmon në zbulimin dhe mbështetjen në kohë të këtyre fëmijëve.
Siç thekson Prof. David Feldman, specialist në edukimin e të talentuarve:
“Identifikimi dhe përkrahja e hershme e talenteve nuk është thjesht një investim në individ, por në të ardhmen e shoqërisë. Në një botë në transformim të shpejtë, arsimi duhet të jetë fleksibël dhe krijues.”
2. Arsim i përshtatur
Këta fëmijë nuk duhet të mbahen në korniza standarde. Ata kanë nevojë për programe të individualizuara, përfshirje në projekte ndërdisiplinore, punë praktike dhe ekspozim ndaj botës reale të dijes dhe inovacionit.
3. Mbështetje emocionale dhe psikologjike
Ndjeshmëria e lartë dhe pritshmëritë që shpesh i shoqërojnë këta fëmijë mund të sjellin presion psikologjik. Prandaj, përfshirja e këshillimit psikologjik të specializuar është esenciale. “Presioni për të qenë gjithmonë ‘më i miri’ dhe ndjenja e vetmisë janë të zakonshme tek fëmijët me dhunti të larta. Kujdesi emocional është po aq i rëndësishëm sa mbështetja akademike.”
4. Mentorim dhe rrjete kreative
Roli i mentorëve është i pazëvendësueshëm. Kontakti me profesionistë të fushave ku shfaqet dhuntia, i ndihmon fëmijët të orientohen, të marrin shembuj frymëzues dhe të zhvillojnë aftësi jetësore.
Nga një rast individual në një thirrje kolektive
Rasti i Kaon Krasniqit nuk duhet parë vetëm si histori suksesi personale, por si shtysë për të rishikuar qasjen tonë shoqërore dhe institucionale ndaj fëmijëve me dhunti të veçanta. Shoqëria jonë nuk ka luksin të shpërdorojë potencialin e tyre.
Sot është Kaoni- nesër mund të jenë shumë të tjerë, nëse ndërtojmë një sistem që nuk sheh vetëm nota dhe rregulla, por edhe mundësi dhe vizion.
Ky shkrim është pjesë e një qasjeje studimore më të gjerë për rikonceptimin e edukimit në shekullin XXI, në funksion të zhvillimit të potencialeve të jashtëzakonshme te fëmijët dhe të rinjtë.
Autori ështëProf. Ass. Dr. – Kolegji Heimerer, Fakultetit i Shkencave Sociale dhe Psikologjike
AlbanianEducation.net