Nga Lon Laska: Kur fëmija dështon të regjistrohet në fakultet: Si të jemi përkrahja e duhur si prindër?

- Advertisement -

Nga Prof. Ass. Dr. Lon Laska – Kolegji Heimerer, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Psikologjike

- paragrafi 1 -

Dështimi për të hyrë në fakultet është një ndër ato momente kur ëndrrat, frika dhe pritshmëritë përplasen në një realitet të vështirë për t’u përtypur, veçanërisht për një të ri që ka shpresuar shumë dhe ka dhënë maksimumin e vet.

- Advertisement -

Shpesh, ky dështim nuk dhemb vetëm për atë që nuk ia doli – por edhe për mënyrën se si e trajtojmë ne, si prindër.

Në vend që të bëhemi burim presioni apo zhgënjimi, ky është momenti kur fëmija ka më shumë nevojë për ne si mbështetje, jo si gjykim. Ja si mund të jemi përkrahja e duhur në këto situata:

Dëgjojeni me zemër, jo vetëm me veshë.

- Advertisement -

Lejoni fëmijën të flasë për ndjenjat e tij pa e ndërprerë apo gjykuar. Ai/ajo mund të ndjehet i/e turpëruar, i/e pafuqishëm/me apo zhgënjyer. Ju jeni personi i parë që duhet ta bëjë të ndjejë siguri-jo frikë nga kritikat.

Mos e bëni dështimin “etiketë”.

Një provim i dështuar, një aplikim i refuzuar apo një plan që nuk u realizua, nuk e përcaktojnë të ardhmen e fëmijës tuaj. Jeta është e mbushur me shtigje të ndryshme.

Njerëzit e suksesshëm shpesh janë ata që kanë ditur të dështojnë me guxim dhe të ngrihen me mësim.

Reflektoni së bashku…çfarë donte ai/ajo vërtet?

Ndonjëherë fëmijët ndjekin një rrugë jo sepse e duan, por sepse mendojnë se “duhet”. Mos e quani dështim një drejtim të ri: ndoshta ky është momenti kur ai/ajo do kuptojë se dëshiron diçka tjetër, më të përshtatshme dhe më të vërtetë.

Ndihmojeni të ndërtojë një plan B (që mund të bëhet plan A).

Riaplikimi vitin tjetër, ndjekja e një kursi profesional, punë praktike, vullnetarizëm, udhëtime edukuese, ose një vit pauzë për t’u riorientuar, të gjitha janë alternativa të vlefshme. Asgjë nuk humbet kur njeriu ka qëllim, përkrahje dhe kohë për të reflektuar.

Mos harroni ta përgëzoni për përpjekjen.

Edhe nëse nuk ia doli, fakti që provoi është një akt guximi. Duhet ta dijë që jeni krenarë për të, jo vetëm kur ka rezultate, por edhe kur përpiqet dhe nuk dorëzohet.

Ju nuk jeni aty për të jetuar ëndrrat tuaja në vend të fëmijëve, por për t’i ndihmuar ata të gjejnë rrugën e tyre, edhe nëse është ndryshe nga ajo që keni menduar.

Të mbështesësh një fëmijë në një moment dështimi, është një prej formave më të fuqishme të dashurisë prindërore. Jo gjithmonë do të kenë suksesin që ne dëshirojmë për ta, por nëse e kanë përkrahjen tonë, do kenë gjithmonë kurajon për të provuar përsëri.

Le të ndërtojmë një kulturë ku dështimi nuk është turp, por një hap përpara. Ku prindërit janë aty për të ngritur, jo për të rënduar. Ku të rinjtë mësojnë se suksesi nuk matet me nota, por me përkushtim dhe vullnet për të ecur përpara. /AlbanianEducaion.net/.