E hënë, 25 Nëntor, 2024

Nga Lindita Treska dhe Tomi Treska: Mësuesit dhe sistemi i sotëm i arsimit shqiptar

- Advertisement1-

Roli, misioni, funksionet dhe përgjegjësitë e mësuesit kujdestar të klasës në sistemin e sotëm të arsimit shqiptar…

Nga Lindita Treska dhe Prof. asoc. dr. Tomi Treska

- Advertisement -

Sot mendimi pedagogjik është ndarë për sa i përket subjektit të arsimit. “Prapa çdo shkolle e çdo nxënësi është një numër bindjesh – një filozofi që ndikon, se çfarë dhe si duhen mësuar nxënësi. Këto bindje ose filozofi lidhen direkt me pyetjet e metafizikës, epistemologjisë dhe aksiologjisë: Ç’është realiteti? Si e njohim ne? Ç`është me vlerë?”. (Sadker Pollack Myra, Sadker Miller Davis, 1995:243). Përgjigjet e këtyre pyetjeve formojnë bazat e filozofive të ndryshme arsimore, pesë prej të cilave janë: Esencializmi, i cili përqendrohet në dhënien e dijeve që janë esenciale për qytetarë prodhimtarë. Esencializmi beson në një bërthamë të fortë njohurish dhe standarde të larta akademike. (Sadker Pollack Myra, Sadker Miller Davis, 1995:243).

Perenializmi, filozofia që beson se të vërtetat universale ekzistojnë dhe se arsimi duhet të jetë proces i studimit të këtyre të vërtetave përmes një serie librash të mëdhenj (që mbështetet në idenë se studimi i veprave të mendimtarëve drejtues të Qytetërimit Perëndimor është rruga më e mire për një arsim të përgjithshëm). (Sadker Pollack Myra, Sadker Miller Davis, 1995:243).

Në të kundërt, Progresivizmi, beson se dijet janë përherë në ndryshim dhe për pasojë trajtimi më i mirë i arsimit do të ishte përvetësimi i shkathtësive problemzgjidhëse përmes zbulimit dhe eksperimentimit. (Sadker Pollack Myra, Sadker Miller Davis, 1995:243).

Filozofia e Ekzistencializmit, beson se nuk ekziston realitet universal, përkundrazi realiteti është ai ç`ka percepton nxënësi. (Sadker Pollack Myra, Sadker Miller Davis, 1995:243).

Filozofia e Biheiviorizmit beson se bota fizike është i vetmi realitet dhe se njerëzit reagojnë ndaj stimujve të jashtëm. (Sadker Pollack Myra, Sadker Miller Davis, 1995:243).

Në një shkollë të bazuar mbi secilën prej këtyre filozofive arsimore apo kombinimit të tyre, mësuesit strukturojnë ambientin për të stimuluar direkt të mësuarin. Këto filozofi gjejnë zbatim në mënyrën se si zhvillohet një sistem arsimor i caktuar apo vetë shkolla, si perceptohen programet, si mësohen nxënësit dhe se ç’lloj mësuesi duhet “të prodhojmë”.

- Advertisement -rrrrrrr

Gjithsesi sistemet arsimore gjithnjë kanë funksionuar duke patur një mision qytetërues.

Formimi i qytetarit rezulton në edukimin që njeriu merr në shkollë dhe në të gjitha përvojat e tjera që merr nga jeta. Do të thotë se qytetari formohet, edukohet, kultivohet gjatë gjithë jetës.

Këshilli i Evropës i ka dhënë rëndësi prioritare Edukimit për Qytetarinë Demokratike (EQD). EQD-ja ka rëndësi kyçe për të garantuar që gjeneratat e ardhshme të qytetarëve të rinj të jenë të përgatitur dhe të aftësuar të luajnë rolin e tyre demokratik në komunitetin e tyre, në shoqërinë e tyre më të gjerë dhe në kuadër të Europës në tërësi. (Backman, E., & Trafford, B 2007:4)

Shkolla ka detyrimin t’i njohë dhe përgatisë nxënësit me mënyrën demokratike të jetesës.

Natyra e marrëdhënies dhe gërshetimit ndërmjet dimensioneve të edukimit-arsimimit-formimit ka qenë në qendër të reflektimit pedagogjik dhe sipas metodave teorike ka argumentuar arsyet pse një dimension kryeson mbi të tjerat.

Modeli i shkollës shqiptare

Didaktët kanë rënë dakord, se të mësuarit është procesi i përvetësimit të arsimit e bashkë me të edhe i një edukate të caktuar. (Dibra, G & Taipi,M & Halluni, E. 2013:13).

Sipas mendimit tim, filozofia që përfaqëson shkollën shqiptare mbi arsimin është një ndërthurje e disa filozofive: e Perenializmit, Ekzistencializmit, Bihejviorizmit dhe Progresivizmit.

Veçanërisht filozofia Progresiviste gjen fushë zbatimi më të gjerë në arsimin shqiptar. Ky mendim buron mbas analizës së thelluar e krahasuese mes filozofive të sipërmendura dhe kuadrit ligjor të arsimit parauniversitar shqiptar, kryesisht të Dispozitave Normative që janë aktualisht në fuqi në Republikën e Shqipërisë, miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës-MASH (sot Ministria e Arsimit dhe Sporteve-MAS) në vitin 2013. Në nenin 84 të Dispozitave Normative “Mësuesi kujdestar i klasës”, përkatësisht në pikat 3, 4 dhe 6, theksi vihet më së shumti në raportet e ndërtimit të marrëdhënieve bashkëpunuese që vendos mësuesi kujdestar me nxënësit, psiokologun, punonjësin social, këshillin e prindërve të klasës, mësuesit që zhvillojnë mësim në klasën e tij të kujdestarisë, qeverinë e nxënësve etj. Ky bashkëpunim eliminon rolin e tij autoritarist siç deklarojnë në fakt shkollat tradicionale (Perenializmi, Esencializmi), sipas të cilave në qendër vendosej mësuesi dhe ku vendimmarrja për çdo aspekt lihet në dorë të tij. Fryma e bashkëpunimit bën të mundur ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive në interes të së mirës së përbashkët. Po në këtë nen, pika 1, 2 dhe 4 “Mbi bashkëpunimin e mësuesit kujdestar me prindërit”, shpaloset sërish filozofia progresiviste e cila e vendos mësuesin si një udhërrëfyes në zgjidhjen e problemeve dhe në planifikimin e veprimtarive, e cila duhet të realizohet së bashku mësues-nxënës-prindër.

Çfarë duhet kuptuar me “Mësues kujdestar i klasës”?

Sot ekzistojnë disa tipa (lloje) të Mësuesit kujdestar (“The class teacher at the school: roles, responsibilities, work system”; http://paidagogos.com/?p=7836#): Mësues lënde, i cili njëkohësisht kryen dhe detyrën e mësuesit kujdestar; Mësues kujdestar, i liruar nga punët e tjera të veprimtarisë mësimdhënëse, që bën vetëm punën edukative me nxënësit e klasës; Kurator i klasës i cili kuron një lloj pune të caktuar në klasë; Tutor, mbrojtës (përkrahës) i klasës, ose një drejtues i nxënësve të klasës për të plotësuar një veprimtari të përcaktuar paraprakisht.

Në Shqipëri gjejmë të zbatuar tipin e parë të mësuesit kujdestar, pra mësuesin e lëndës, i cili njëkohësisht kryen edhe detyrën e mësuesit kujdestar. Sipas Dispozitave Normative 2013, Mësuesi kujdestar i klasës është një mësues i shkollës, një nga mësuesit lëndor të klasës, i cili ngarkohet që të kujdeset për një klasë të caktuar për ta ndihmuar atë gjatë gjithë vitit shkollor në punën mësimore dhe edukative. Mësuesi i ciklit fillor është mësuesi kujdestar i klasës së tij. Mësuesi kujdestar është mësuesi më i afërt i nxënësve të klasës.

Roli i mësuesit kujdestar klase sot në Shqipëri

Sipas Nenit 84 të Dispozitave Normative – Mësuesi kujdestar ka një rol të rëndësishëm që nga klasa e parë deri në klasë të dymbëdhjetë. Mësuesi kujdestar i klasës caktohet nga drejtori i shkollës për çdo klasë jo me vonë se 5 ditë para datës së fillimit të mësimeve të vitit shkollor dhe për mësuesit e rinj kujdestar, jo më vonë se 15 ditë para fillimit të vitit shkollor.

Veprimtaria e mësuesit kujdestar të klasës është e gjerë dhe e shumanshme.

Mësuesi kujdestar përkujdeset posaçërisht: të krijojë atmosferë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në mes nxënësve me njëri-tjetrin brenda klasës, me nxënësit e tjerë të klasave paralele, me nxënësit e klasave më të ulëta e më të larta; të ndërtojë marrëdhëniet të barabarta mes djemve e vajzave me qëllim forcimin e ndjenjës së kolektivitetit e mirësjelljes reciproke në veprimtari dhe mësim; të bashkëpunojë me psikologun ose punonjësin social për nxënësit me aftësi të kufizuara, për nxënësit me vështirësi në të nxënë, për të sapoardhurit dhe nxënësit me shqetësime të sjelljes; të bashkëpunojë rregullisht me prindërit për mbarëvajtjen e shkollës nga nxënësit; për frekuentim sa më të rregullt; të informojë nxënësit dhe prindërit e tyre rreth: kurrikulës me zgjedhje (të detyruar dhe të lirë) që shkolla u ofron; rreth opsioneve të karrierës së nxënësit me përfundimin e gjimnazit; të bashkëpunojë me mësuesit lëndorë që nxënësit të mos mbingarkohen me përgatitje të shumta për provime.

Përgjegjësitë e Mësuesit kujdestar të klasës.

Bashkëpunimi i Mësuesit kujdestar të klasës me nxënësit e klasës në kujdestari.
Në librin “Pedagogjia”, profesor Musa Kraja shkruan: “Komunikimi i mësuesit kujdestar me nxënësit është një çështje themelore, në të cilën ndërthuren koncepte, parime dhe norma kryesore të pedagogjisë. Mësuesi kujdestar dhe nxënësi janë dy bashkëpunëtorë të ngushtë gjatë gjithë viteve të shkollimit. Për të kryer detyrat e tyre, ata duhet të sigurojnë një bashkëpunim të ngushtë, marrëdhënie të drejta mes tyre për të ndihmuar ndërsjelltasi njëri-tjetrin. Këto marrëdhënie i shohim në dy fronte kryesore. Në procesin mësimor, d.m.th., brenda orës së mësimit dhe në aspektet jashtë këtij procesi, që në të vërtetë janë vazhdim i tij, si dhe në veprimtaritë edukative. Është e vështirë ti ndash këto dy fronte të marrëdhënieve midis mësuesit kujdestar dhe nxënësve. Aq sa është e rëndësishme marrëdhënia në orën e mësimit po aq e rëndësishme është edhe marrëdhënia jashtë orës së mësimit”(Kraja,2012:244). Sipas nenit 86 të Dispozitave Normative të arsimit parauniversitar mësuesi kujdestar është i detyruar të njohë secilin nxënës, me prirjet që ka secili prej tyre për pjesëmarrje në olimpiada apo gara të ndryshme.

Po ashtu në fund të vitit shkollor mësuesi kujdestar shpall tre nxënësit e klasës me mesatare më të lartë vjetore. Mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës u japin këtyre nxënësve certifikatën “Më të mirët e vitit në mësime” (në klasën …në shkollë). Ky vlerësim shënohet në dëftesën e klasës.

Mësuesi kujdestar ndërmjetëson në zgjidhjen e problemeve te përditshme mes dy nxënësve ose dy grupe nxënësish, ose me anë të impaktit të tij, ose me anë të masave disiplinore të sqaruara në nenin 108 “Veprimet e përshkallëzuara për shkeljet e nxënësit”. Sjelljet problematike të nxënësve mund të shkaktohen nga shumë faktorë. Mësuesi kujdestar duhet të përcaktojë mirë se çfarë e shkakton sjelljen. Ky është hapi i parë për të parandaluar sjelljet problematike. Disa nga faktorët e këtyre sjelljeve janë: mjedisi familjar, grupet e moshatarëve, pasionet shoqërore dhe faktorë të tjerë brenda dhe jashtë shkollës”(Karaj,2008:2) Masat disiplinore ndaj nxënësve, përgjithësisht, paraprihen me veprime të përshkallëzuara nga mësuesi kujdestar dhe komisioni i disiplinës, duke pasur parasysh udhëzimet e mëposhtme: Mësuesi lëndor e këshillon nxënësin individualisht; Mësuesi kujdestar kërkon takim me të paktën njërin prind të nxënësit, në prani të nxënësit; Mësuesi kujdestar kërkon ndihmën e psikologut ose punonjësit social për të shqyrtuar shkaqet e sjelljes së nxënësit; Mësuesi kujdestar kërkon mbledhjen e këshillit të prindërve të klasës në prani të nxënësit dhe prindit të tij; Me kërkesën e mësuesit kujdestar ose të drejtorit të shkollës, nxënësi i kërkon të falur atij ose atyre që janë prekur nga sjellja e tij (me gojë, me shkrim, në prani të mësuesit kujdestar, në prani të të gjithë mësuesve lëndorë, ose të drejtorit, ose të komisionit të disiplinës, vetëm ose bashkë me prindërit e tij). Raste të rralla shkojnë deri në Këshillin e Disiplinës që sipas nenit 109, “Në mbledhjen e komisionit të disiplinës merr pjesë nxënësi (nxënësit), për të cilët shqyrtohet shkelja, mësuesi (mësuesit) kujdestar i nxënësve, psikologu e punonjësi social dhe të tjerë që ftohen nga komisioni; ftohen të marrin pjesë prindërit e nxënësit”.

Një nga problemet që shqetëson sot shkollën është numri i madh i mungesave që bëjnë nxënësit gjatë vitit shkollor. Sipas Dispozitave normative 2013, një nga detyrat e mësuesit kujdestar të klasës është dhënia leje dhe justifikimi i mungesave të nxënësve të klasës që ka në kujdestari.

Kjo detyrë rrit kompetencat e mësuesit i cili është në kontakt të drejtpërdrejt me nxënësin dhe e njeh mirë atë. Sa më i mirë të jetë komunikimi mësues kujdestar – nxënës – prind, aq më i mirë është frekuentimi i nxënësve në shkollë duke mos lënë hapësira për abuzim.

Mungesat e nxënësit janë të arsyeshme kur justifikohen me raport mjekësor ose prindi ka kërkuar leje paraprakisht dhe më pas ka paraqitur një shënim sqarues. Prindi e paraqet arsyetimin për mungesat e fëmijë së tij te Mësuesi kujdestar. Arsyetimet me shkrim të prindit ruhen nga mësuesi kujdestar për 1 (një) vit shkollor. Sipas nenit 89 të Dispozitave Normative, Mësuesi kujdestar ka të drejtë të vlerësojë si të arsyeshme/të paarsyeshme mungesa deri në dy ditë gjatë një muaji. Për mungesa më të gjata se dy ditë, vlerësimi bëhet me shkrim nga drejtori/nëndrejtori i shkollës dhe i dorëzohet Mësuesit kujdestar. Brenda javës së parë të çdo muaji, mësuesi kujdestar i dorëzon drejtorit/nëndrejtorit të shkollës tabelën e mungesave mujore të klasës, të ndara në: gjithsej, të arsyeshme, të paarsyeshme, mungesa 1-3−orëshe. Me lejen e mësuesit kujdestar ose stafit drejtues (pasi ka komunikuar me prindin nëpërmjet celularit të shkollës) nxënësi mund të largohet nga shkolla brenda orarit mësimor. Kur një nxënës sëmuret ose pëson aksident,- sipas Nenit 116 të Dispozitave normative – mësuesi kujdestar ose një drejtues i institucionit arsimor njofton menjëherë prindin.

Bashkëpunimi i Mësuesit kujdestar të klasës me prindërit e klasës në kujdestari.
Bashkëpunimi midis shkollës dhe familjes duhet të lidhet me ndjenjën e përgjegjësisë së ndërsjellët, në mënyrë që të sigurohet suksesi në zhvillim tërësor të fëmijës. Lidhja mësues kujdestar-prind duhet të bazohet në frymën e mirëbesimit që krijon një komunikim të efektshëm. Mësuesi kujdestar duhet t’i kthejë prindërit në konsulentë, për të kuptuar veçoritë individuale të gjithsecilit. Është e rëndësishme që mësuesi të dëgjojë dhe të mbajë mend të gjithë informacionet që përcjellin prindërit për fëmijët e tyre. Sipas Nenit 84: Shkolla dhe Familja, janë dy institucione të rëndësishme dhe bashkërisht të interesuara drejtpërsëdrejti për mirërritje, edukim dhe arsimim. Komunikimi dhe bashkëpunimi shkollë/prind(familje), kur zhvillohet në mënyrë sistematike, dhe strukturohet në mënyrë profesionale kthehet në një faktor favorizues për suksesin e fëmijës/nxënësit, i cili në fakt është sukses jo vetëm i nxënësit, por edhe i shkollës dhe familjes.

“Mënyra si shkolla e sheh fëmijën reflektohen në mënyrën si shkolla e sheh familjen e nxënësit. Nëse mësuesit e shohin fëmijën thjesht si nxënës, ata janë duke e parë familjen të shkëputur nga shkolla. Nëse mësuesit e shohin nxënësin si fëmijë ata janë duke e konsideruar së bashku familjen dhe komunitetin si partnerë të shkollës në edukimin dhe zhvillimin e nxënësit”(Sadker Pollack Myra, Sadker Miller Davis,1995:243). Shkolla e vlerëson rëndësinë që ka prindi si mësues i parë dhe si njohës i fëmijës së tij. Prindërit konsiderohen partner të mësuesve gjatë procesit të arsimimit edukimit të fëmijëve. Që në takimin e parë Mësuesi kujdestar i njeh prindërit dhe nxënësit me: kushtet e shëndetit dhe të sigurisë në institucion; me nenet e Dispozitave Normative që shtjellojnë të drejtat dhe detyrimet e prindërve e të nxënësve dhe detyrimet e punonjësve të institucionit arsimor ndaj prindërve e nxënësve; me rregulloren e brendshme të institucionit; me kurrikulën me zgjedhje; me mundësitë e karrierës së fëmijës pas përfundimit të një niveli arsimor;

me procedurat e zhdëmtimeve dhe procedurat e ankimit. Për një bashkëpunim afatgjatë, Mësuesi kujdestar i njeh prindërit me planin e punës edukative që ka hartuar me nxënësit, në mënyrë, që të tërheqë mendimet dhe vërejtjet e tyre, dhe, mbi të gjitha, të sigurojë edhe ndihmën e prindërve në zbatimin praktik të tij. Këshilli i prindërve të klasës, që zgjidhet që në takimin e parë, është një mbështetje aktive e Mësuesit kujdestar në organizimin dhe bashkëpunimin me prindërit e klasës për problemet e edukimit e arsimimit. Mësuesi kujdestar fton në mbledhje të përgjithshme të gjithë prindërit, bashkë me nxënësit ose pa ta, të paktën një herë në tre muaj, ku parashtron çështje që i takojnë klasës në tërësi; shtjellon tema rreth rolit të prindërve në suksesin e fëmijëve të tyre. Mësuesi kujdestar e ka të ndaluar që në mbledhjet me prindërit të përmendë me emër nxënës të klasës për mosarritje ose arritje të tyre. Informacioni për nxënësin i jepet vetëm prindërve të tij. Sipas Nenit 97 të Dispozitave Normative Mësuesi ndihmës ose Mësuesi kujdestar informon prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara (AK) për shërbimet shtetërore shëndetësore rehabilituese që u ofrohen këtyre fëmijëve. Afrimi dhe ndihma që u jep Mësuesi kujdestar fëmijëve me AK ka rëndësi të madhe për mbarëvajtjen dhe përparimin e tyre në shkollë.

Çfarë përgjegjësie ka Mësuesi kujdestar në lidhje me dokumentacionin shkollor?
Sipas Nenit 84 të Dispozitave Normative Mësuesi kujdestar ka për detyrë të plotësojë faqet e regjistrit të klasës. Në fund të çdo dite ai hedh në fletën përkatëse të regjistrit mungesat dhe në fund të javës dhe të muajit i paraqet me shkrim nëndrejtorit përkatës, duke vazhduar me këtë rregull deri në fund të vitit shkollor. Regjistri plotësohet, sipas rregullave në fuqi, vetëm nga mësuesit lëndorë të klasës dhe mësuesi kujdestar i klasës. Në periudhën kur regjistri nuk përdoret në klasë, mund të merret vetëm nga mësuesi kujdestar i asaj klase, mësuesit lëndorë të asaj klase, inspektorët, që janë duke kryer inspektim në shkollë, të tjerë që janë të autorizuar me shkrim nga drejtori i shkollës. Edhe orët e kujdestarisë shënohen nga mësuesi kujdestar në një faqe të posaçme të regjistrit të klasës. Ndërsa ditari i orëve të kujdestarisë është objekt inspektimi nga ISHA. Mësuesi kujdestar përgatit për çdo nxënës edhe dëftesën e fund vitit dhe ia dorëzon prindit të tij. Në rastet e veprimtarive jashtëshkollore, sipas Nenit 102 Drejtori i institucionit arsimor ose mësuesi kujdestar njoftojnë prindin dhe kërkojnë lejen e tij me shkrim për veprimtari të nxënësit pas orarit mësimor ose veprimtari jashtëshkollore.

Sipas Nenit 119, Mësuesi kujdestar e ka detyrim t`i njohë dhe t’i këshillojë nxënësit për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e inventarit dhe mjediseve shkollore. Për dëmtimin/vjedhjen e pronës publike në institucionin arsimor nga nxënësit, Drejtori/nëndrejtori, harton procesverbalin, ku përshkruan ngjarjen dhe dëmin. Mësuesi kujdestar njofton prindërit e nxënësit.

Në arsimin fillor, karakteristikat e nxënësit hartohen nga mësuesi i tij. Përtej arsimit fillor, mësuesi kujdestar këshillohet me mësuesit e tjerë të nxënësit. Në gjimnaz mësuesi kujdestar mban shënim për çdo nxënës numrin e krediteve që ka fituar në çdo vit shkollor, sipas një formati të gatshëm.

Në Nenin 110 përcaktohet se në rast të moszbatimit te Dispozitave Normative, merren këto masa: Komisioni i disiplinës i institucionit arsimor vendos masën disiplinore për mësuesin, kur konstaton shkelje të legjislacionit në fuqi, ose të Dispozitave Normative, të rregullores së brendshme të institucionit; shkelje të etikës e të sjelljes në institucion; mosarritje të nxënësve, të përcaktuara në mënyrë objektive, si: testimet e drejtorisë së institucionit ose të njësisë arsimore vendore, rezultatet në provimet kombëtare, vlerësimi i ISHA.

Masat e përshkallëzuara që komisioni i disiplinës vendos për mësuesin ose nëndrejtorin, janë: Qortim; Vërejtje; Paralajmërim për largim nga puna. Masa është e shlyer kur një periudhë gjashtëmujore komisioni i disiplinës nuk ka shqyrtuar shkelje tjetër të mësuesit/nëndrejtorit.

Intervista të drejtpërdrejta me drejtues shkollash dhe mësues kujdestarë të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnaze.

Gjetjet kryesore të realizuara gjatë intervistave të drejtpërdrejta dhe të thelluara me drejtues shkollash dhe mësuesi kujdestarë të disa shkollave 9-vjeçare dhe gjimnaze tregojnë se puna e Mësuesit kujdestar nëpër shkolla, roli, misioni, funksioni dhe përgjegjësia, mbështeten në një vlerësimin tradicional më tepër sesa në njohjen apo interpretimin e bazës ligjore ekzistuese. Mësuesi kujdestar i klasës është një menaxhues i mirë i klasës, është koordinatori që lidh klasën me drejtorinë e shkollës e me mësuesit lëndor të klasës, është koordinator që lidh shkollën me familjen. Përgjigjet e të intervistuarve bazohen në njohjen e Rregullores se shkollës ku pasqyrohet më shumë neni 84 dhe më pak Nenet 86, 89, 108, 112, shtojca 9 në Dispozitat Normative 2013.

Në lidhje me pyetjen: “Ç’bën konkretisht Mësuesi kujdestar i klasës sot?”

Përgjigjet e të intervistuarve tregojnë se mësuesi kujdestar sot kontrollon çdo ditë paraqitjen e nxënësve në shkollë në orarin e caktuar. Kujdeset për hyrjen e nxënësve të kujdestarisë në shkollë e klasë, për qëndrimin e tyre në shkollë e klasë sipas orarit mësimor, për respektimin e rregullit gjatë pushimeve mes orëve të mësimit. Përgjigjet për marrëdhëniet e nxënësve me mësuesit e lëndëve që japin mësim, ose me mësuesit zëvendësues. Kujdeset për marrëdhëniet e nxënësve me njëri-tjetrin brenda klasës, marrëdhëniet me nxënësit e tjerë të klasave paralele, më nxënësit e klasave më të ulëta e më të larta. Plotëson çdo ditë regjistrin, kontrollon mirëmbajtja e klasës me bazën materiale të saj. Sipas të intervistuarve kjo është puna rutinë e përditshme e mësuesit kujdestar, e cila pasohet me të tjera përgjegjësi brenda javës apo muajit si: realizimin e orës edukative sipas planit vjetor, zgjidhja e ndonjë problemi moshor ose institucional, monitorimi i rezultateve mësimore të të gjithë nxënësve, shoqërimi në veprimtaritë pas mësimit, përgatitja për takimin me prindërit dhe gatishmëria për t’u përgjigjur edhe në rast se takohet jashtë mjedisit të shkollës me prindër që nuk vijnë në takimin e planifikuar etj. Në lidhje me pyetjen: “Sa vlerësohet dhe si çmohet kjo punë?” Të intervistuarit janë të mendimit se këtu ka vend për të diskutuar e për t’u parë. Kjo çështje lidhet me pyetjen tonë kërkimore: A do të zgjidhen të gjitha këto përgjegjësi që i atribuon kuadri ekzistues ligjor ekzistues rolit të Mësuesit kujdestar nëpërmjet ridimensionim të rolit të tij, apo roli i tij me kalimin e kohës do të zëvendësohet me hallka të tjera të edukimit? Mbështetur në trajtimin teorik, në modele jashtë Shqipërisë dhe në perceptimin dhe rekomandimet e të intervistuarve, unë mendoj se në kushtet e vendit tonë, më e përshtatshme shtrohet nevoja e ridimensionimit të rolit të mësuesit kujdestar, duhet të trajtohet parë në tre kuptime: në përgjigje të nevojave të sistemit aktual arsimor shqiptar (në qendër të të cilit vendoset nxënësi); në identifikimin e modeleve më të përparuara perëndimore të rolit, përgatitjes dhe profilit të mësuesit kujdestar; në identifikimin e modelit më të përshtatshëm në funksion të shkollës shqiptare sot pa anashkaluar edhe përvojën apo praktikën e përditshme dhe traditën pozitive shqiptare. Ridimensionimi i rolit të mësuesit kujdestar lidhet dhe me edukimin global. Edukimi globalist sot është një nevojë jetike, një mjet për të përballuar jetën kudo që të hedhë ajo.

Në librin “Mësimdhënia me në qendër nxënësin” thuhet: “Qëllimet e përgjithshme të arsimit tonë të shpallura në dokumentet zyrtare kombëtare nënvizojnë se arsimi ynë do të synojë të përgatisë nxënës të aftë të jetojnë e të përballojnë këtë botë globale gjithnjë në rritje dhe të jenë qytetarë pjesëmarrës efektivë, që kontribuojnë për një të ardhme më të mirë”. Dhe më poshtë vijon citimi: “Edukimi global nxit mësuesit dhe nxënësit të bëjnë një shikim të gjerë të problemeve dhe të çështjeve: Ta shohin veten si qytetarë globalë me të gjitha përgjegjësitë që shoqërojnë këtë pozicion dhe po ashtu, ta shohin veten si pjesëtarë të komunitetit apo të vendit përkatës; Të kuptojnë problemet kyçe që e shoqërojnë botën sot- dhunimi mjedisor, varfëria, mohimi i të drejtave etj. dhe të luajnë pjesën e tyre në gjetjen e zgjidhjeve krijuese; Të mendojnë në mënyrë konstruktive për të ardhmen dhe për rolin e tyre për modelimin e saj si dhe të nxënë nga e kaluara”( Grup autorësh, 2008:92).

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Vdes mësuesja e biologjisë, Shukrane Hadri nga Prizreni

Ka vdekur mësuesja e biologjisë, Shukrane Hadri, nga Prizreni. Ajo edukoi breza të tërë,...

Nga Prishtina në Obiliq për të mësuar

Në Gjimnazin ‘’17 SHKURTI’’ në Obiliq po vijojnë mësimin nxënës edhe të kryeqytetit. Kjo...

“1.70 me 2.40 cm” – Nxënësi nga Skenderaj punon flamurin me 4000 mijë copëza letre

I riu nga Skenderaj, Fatjon Gashi, e ka punuar flamurin e Shqipërisë me 4000...

Sot ora e parë e mësimit në Prishtinë i dedikohet “Dhunës me bazë gjinore”

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka njoftuar se në të...