“Sfida më e madhe e teknologjisë është që ne të mbetemi njerëzorë.”
Njeriu është një qenie në evolucion të vazhdueshëm dhe arsimi nuk përjashtohet nga ky proces. Teknologjia është tashmë pjesë e çdo aspekti të jetës sonë dhe, rrjedhimisht, edhe e realitetit shkollor. Sfida më e madhe me të cilën përballemi sot si mësues është fakti se teknologjia ka prekur çdo moshë, veçanërisht grupmoshat nën 18 vjeç. Të rriturit, në përgjithësi, janë më selektivë në përdorimin e teknologjisë. Por nxënësit tanë gjithçka që shohin, dëgjojnë dhe lexojnë e marrin ashtu siç u serviret, duke interpretuar më pas në çdo ambient ku ndodhen. Një nga këto ambiente është edhe shkolla.
Në klasa, gjithnjë e më shpesh, vërejmë një komunikim të improvizuar, të ndikuar fort nga gjuha e rrjeteve sociale si Facebook apo TikTok. Ky fenomen është shqetësues dhe kërkon vëmendje serioze. Në takimet mes kolegësh shpesh ndalemi te ankesat, por rrallëherë te zgjidhjet. Dëgjohet shpesh mendimi se mësuesi është i pambrojtur përballë këtij realiteti. Takimet me psikologun e shkollës japin rezultate të përkohshme, ndërsa situata pas një kohe rikthehet. Edhe bashkëbisedimi me prindërit nuk është gjithmonë frytdhënës; shpesh dëgjojmë shprehjen: “Nuk kemi ç’të bëjmë.”
A ishim të papërgatitur për këtë sfidë? Apo thjesht nuk kemi gjetur mënyrën e duhur për ta menaxhuar? Pyetjet janë të shumta dhe të hapura, por një gjë është e qartë: ndërsa kërkojmë shkaqet, duhet paralelisht të punojmë për zgjidhjet.
Zgjidhja, në mendimin tim, nis me ndërgjegjësimin. Nxënësit duhet të udhëhiqen për të kuptuar anët pozitive dhe anët negative të teknologjisë. Në kohën në të cilën jetojmë, teknologjia është e domosdoshme për punët që kryejmë, por ajo duhet të jetë mjet, jo qëllim. Si mësues kemi një rol kyç në këtë proces. Nuk duhet që teknologjia të marrë në dorë jetën e nxënësve tanë, por ata ta përdorin për t’ua lehtësuar dhe pasuruar mësimin.
Teknologjia është një mjet i fuqishëm. Ajo mund të na ofrojë botën ose të na largojë prej saj. Ajo hap derën e dijes, por mësimi fillon vetëm atëherë kur nxënësi mendon. Sfida e teknologjisë nuk është vetëm e nxënësve tanë, por edhe e jona. Prandaj ky shkrim nuk synon të japë përgjigje përfundimtare, por të hapë një diskutim mes nesh si mësues. Vetëm duke reflektuar së bashku, duke ndarë përvoja dhe duke bashkëpunuar, mund të gjejmë mënyra më të mira për ta përballuar këtë sfidë të shekullit të ri.
Sa më e avancuar teknologjia, aq më e madhe bëhet përgjegjësia jonë si edukatore!

Autorja është mësuese në shkollen “1Maji” – Piskove (ZAV Përmet-Këlcyrë)