Orari i konsultimeve në procesin mësimor përbën një hallkë thelbësore në komunikimin e rregullt ndërmjet arsimtarit dhe prindit. Përmes këtyre konsultimeve, shkolla synon të informojë familjet për ecurinë, nevojat dhe sfidat e fëmijëve, duke krijuar kështu një partneritet të domosdoshëm për zhvillimin e tyre.
Nga përvoja në arsim vërehetv shpesh që në klasat 1–5 prindërit janë shumë të pranishëm, të kujdesshëm dhe aktivë në konsultime. Kjo lidhet me faktin se fëmijët në këtë moshë janë më të vegjël dhe kërkojnë mbikëqyrje më të afërt. Mirëpo, me kalimin e kohës – sidomos në klasat më të larta dhe fazën e adoleshencës – pjesëmarrja e prindërve bie dukshëm., kjo është periudha kur nxënësit kanë më shumë nevojë për udhëzim, kontroll dhe mbështetje emocionale.
Adoleshenca sjell sfida të reja: ndryshime emocionale, rritje të përgjegjësive, vështirësi akademike dhe ndikime të shumta nga shoqëria. Pikërisht për këto arsye kujdesi dhe angazhimi i prindërve duhet të jetë edhe më i madh se në fazën fillestare. Mungesa e prindërve në konsultime shoqërohet shpesh me rënie të disiplinës, motivimit dhe suksesit të nxënësve.
Prandaj, prania e prindit në orarin e konsultimeve nuk duhet parë si detyrim formal, por si pjesë e natyrshme e rolit prindëror. Shkolla dhe mësuesit janë udhëheqësit profesionalë të procesit mësimor, por edukimi i vërtetë, mbështetja morale dhe formimi i karakterit fillon dhe vazhdon në familje. Vetëm përmes një bashkëpunimi të qëndrueshëm prind–shkollë mund të ndërtojmë një mjedis të sigurt dhe përkrahës për fëmijët tanë, në çdo fazë të zhvillimit të tyre.