“Kurrë mos i jep një fëmije një libër të cilin nuk e ke lexuar vetë.”
(George Bernard Shaw)
Libri është miku më i mirë i fëmijës, udhërrëfyes në botën e dijes, imagjinatës dhe vlerave njerëzore. Thënia e George Bernard Shaw-t na kujton se udhëzimi i fëmijës drejt leximit është një përgjegjësi e madhe, e cila nuk duhet marrë lehtë nga prindi apo mësuesi. Ai që ia jep librin fëmijës duhet më parë ta ketë lexuar vetë, për të ditur çfarë mesazhi, çfarë vlere dhe çfarë ndikimi sjell ai libër.
Në shkollë, nxënësit tanë lexojnë lektyra të ndryshme si përralla, tregime, fabula dhe romane për fëmijë, të cilat janë zgjedhur pikërisht për moshën, botëkuptimin dhe nevojat e tyre shpirtërore. Kur mësuesi i njeh këto libra, ai mund t’i udhëheqë nxënësit drejt kuptimit të thellë të ngjarjeve, personazheve dhe mësimeve që përmbajnë. Nxënësi nuk lexon thjesht një tekst, por formon karakterin, ndjenjat dhe mendimet e tij.
Një libër i zgjedhur mirë mund ta mësojë fëmijën të jetë i drejtë, i durueshëm, i guximshëm, i sinqertë dhe i dashur ndaj të tjerëve. Për shembull, shumë nga lektyrat që ne u japim nxënësve flasin për miqësinë, familjen, atdhedashurinë dhe respektin, vlera që ndërtojnë njeriun e së nesërmes. Prandaj, ai që ia jep librin fëmijës duhet të dijë nëse këto vlera janë të pranishme në të.
Nëse një fëmijë lexon një libër të papërshtatshëm, ai mund të ngatërrohet, të humbasë interesin për leximin ose të marrë mesazhe të gabuara. Përkundrazi, kur libri zgjidhet me kujdes dhe me dashuri, fëmija fillon ta dojë librin, shkollën dhe dijen. Kështu, leximi bëhet kënaqësi dhe jo detyrë.
Prandaj,para se t’ia japim librin fëmijës, duhet ta kemi lexuar vetë, sepse në duart tona ndodhet formimi i mendjes dhe zemrës së tij. Vetëm kështu ne mund ta rrisim një brez që mendon, ndjen dhe vepron drejt.