Nga Lendita Uka Ibishi: Kur hapat e vegjël kërkojnë duar të mëdha

- Advertisement5 -

Në bankat e para të shkollës fillon një rrugëtim i ri, i mbushur me emocione, sfida dhe ëndrra të vogla që rriten çdo ditë.

- paragrafi 1 -

Në këtë fillim të brishtë, prania e prindit është si një dritë e ngrohtë që ndriçon rrugën e fëmijës. Nuk është rastësi që në klasat 1 deri në 5, interesimi i prindërve është më i madh – sepse aty lind çdo gjë: shkronja e parë, fjala e parë, suksesi i parë.

- Advertisement - M1

Në këto vite, fëmijët nuk mësojnë vetëm të lexojnë e të shkruajnë, por mësojnë edhe të besojnë në veten e tyre. Dhe kush ua ushqen këtë besim? Janë prindërit, që me durim ulen pranë tyre, që gëzohen për një notë të mirë dhe që i përqafojnë edhe kur gabojnë. Çdo detyrë e bërë bashkë, çdo fjalë inkurajuese, bëhet një kujtim i paharrueshëm dhe një gur themeli për të ardhmen.

Por, me kalimin e viteve, diçka ndryshon. Fëmijët rriten, bëhen më të pavarur dhe shpesh duket sikur nuk kanë më nevojë për të njëjtën përkujdesje. Prindërit tërhiqen pak nga pak, ndoshta duke menduar se tani gjithçka është më e lehtë. Por e vërteta është ndryshe. Edhe pse nuk e shprehin gjithmonë, fëmijët e klasave më të larta kanë po aq nevojë për mbështetje, për një fjalë të mirë, për një sy që i ndjek me dashuri.

Ndonjëherë, një pyetje e thjeshtë “Si kalove sot?” mund të thotë më shumë se çdo ndihmë në detyra. Një buzëqeshje, një përqafim, një moment i kaluar bashkë ,këto janë gjërat që i japin forcë fëmijës të ecë përpara, edhe kur rruga bëhet më e vështirë.

- Advertisement - m2

Prandaj, interesimi i prindërve nuk duhet të jetë vetëm për fillimet, por për çdo hap të rrugës. Sepse fëmijët, pavarësisht moshës, gjithmonë kanë nevojë për duart që i mbajtën fort në fillim. Dhe ato duar, nuk duhet të largohen kurrë plotësisht.