Nga Lendita Uka Ibishi: Dinjiteti i mësimdhënësit – shtylla që po lëkundet e arsimit

- Advertisement5 -

Në çdo klasë ka një zë që përpiqet të mbajë rendin, dijen dhe shpresën bashkë. Është zëri i mësimdhënësit. Por sot, ky zë po lodhet. Jo sepse mungon dashuria për profesionin, por sepse po mungon dinjiteti që e mban atë në këmbë.

- paragrafi 1 -

Mësimdhënësi nuk është thjesht bartës i planprogrameve, as zbatues i reformave që ndryshojnë më shpejt se realiteti në klasë. Ai është formues karakteri, dëgjues i halleve të fëmijëve, udhërrëfyes i dijes dhe i jetës. Megjithatë, gjithnjë e më shpesh, ai gjendet i vetëm përballë pritjeve të pamundura, presionit institucional dhe një shoqërie që harron sa shumë varet nga ai.

- Advertisement - M1

Ulja e autoritetit të mësimdhënësit nuk fillon në klasë, por jashtë saj. Kur fjala e tij vihet në dyshim pa u dëgjuar, kur përgjegjësitë rriten e mbështetja zvogëlohet, atëherë edhe motivimi fillon të zbehet. Një mësimdhënës i nënvlerësuar nuk humb vetëm energjinë,humb besimin se po ndërton diçka të qëndrueshme për brezat që vijnë.

Dinjiteti i mësimdhënësit nuk matet vetëm me pagë, por me respekt, besim dhe mbrojtje profesionale. Me të drejtën për të gabuar e për t’u përmirësuar. Me përfshirjen reale në vendimmarrje dhe jo vetëm në zbatim urdhrash. Arsimi nuk mund të kërkojë cilësi të lartë, nëse ata që e mbajnë mbi supe trajtohen si numra.

Kur mësimdhënësi ndihet i respektuar, klasa bëhet vend i sigurt. Nxënësi ndien stabilitet, prindi gjen partner, shoqëria fiton qytetarë të formuar. Por kur dinjiteti i tij lëkundet, pasojat nuk duken menjëherë ,ato rriten heshturazi, brez pas brezi.

- Advertisement - m2

Nëse duam arsim të fortë, duhet së pari të forcojmë shtyllën e tij. Të dëgjojmë mësimdhënësin, ta mbrojmë dhe ta vlerësojmë. Sepse një shoqëri që nuk respekton mësuesin, rrezikon të humbë drejtimin e saj më të rëndësishëm: të ardhmen.