Edukimi i fëmijëve në shkollë dhe edukimi në familje janë një proces i pandarë. Në organizimin e punës me familjet e nxënësve, shkolla niset nga një unitet detyrash, realizimi i të cilave ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin harmonik e të gjithanshëm të personalitetit të fëmijës.
Ndihmesa e familjes në edukimin e fëmijëve dhe njëkohësisht rritja e përgjegjësisë së saj në edukimin e brezit që rritet, janë të mundur në sajë të një pune sistematike e të organizuar, në formimin e aftësive e shprehive pedagogjike të nxenesve.
Është shumë e rëndësishme që ende pa hyrë fëmijët në shkollë, e sidomos në vitin e parë të shkollës, që prindërit të bëhet bashkëpjesëtarë të procesit edukativo-arsimor.
Për këtë arsye institucionet shkollore e kanë të domosdoshme të instalojnë një bashkëpunim të ngushtë shkollë-familje. Si kusht i domosdoshëm për lindjen e këtij bashkëpunimi është kualifikimi i familjes.
Shkolla e ka për detyrë të bashkëpunojë me prindërit për ngritjen e kulturës së tyre pedagogjike. Pavarësisht nga niveli arsimor e kulturor i prindërve, shkolla ka fushën e vet për lartësimin kulturor të tyre.Familja është shkalla e parë shoqërore në jetën e njeriut.
Ajo që në moshat e hershme drejton njohuritë, shkathtesite, dëshirat e ndjenjat e fëmijëve.
Nën drejtimin e prindërve, fëmija fiton përvojën e parë nga jeta, njohuritë elementare në veprimtaritë që e rrethojnë, njohuritë dhe shprehitë e jetës në shoqëri.

Autori është mësimdhënës në shkollën “Fetah Sylejmani” në Dragash