Në këtë trajtim të Festës së Mësuesit, kam zgjedhur ta ndërtoj mesazhin e urimit si një partiturë muzikore, duke përdorur termat italianë të interpretimit për të simbolizuar fazat e procesit edukativ. Kjo menyre e lidh drejtpërdrejt profesionin tim si mësuese muzike me figurën e mësuesit në përgjithësi, duke e paraqitur edukimin si një kompozim që ndërtohet gradualisht.
Shkrimi nis me Pianissimo (shumë butë), për të përfaqësuar fillimin e rrugëtimit arsimor: një ze i vetëm, i pasigurt, që ka nevojë për mbështetje. Ky moment simbolizon nxënësin në hapat e parë të dijes.
Vazhdon me Andante (me ritëm të qetë, të matur), që përfaqëson procesin e qëndrueshëm të të mësuarit. Edukimi kërkon kohë, durim dhe një ritëm të balancuar, ku mësuesi udhëheq dhe mban strukturën.
Në pjesën qendrore vendoset Forte (me zë të fortë), si theksim i rolit të mësuesit-dirigjent. Këtu evidentohet forca formuese e tij: jo vetëm në ndërtimin e dijes, por në formimin e karakterit dhe vetëbesimit.
Më tej, koncepti zhvillohet në Crescendo (rritje graduale e zërit), për të treguar rritjen e korit dhe paralelisht rritjen e nxënësve. Secili mbetet individualitet, por bashkimi i tyre krijon harmoni. Kjo është metafora e një klase funksionale dhe e një shoqërie të shëndetshme.
Në fund, mbyllja realizohet me Dolçe (ëmbël, butësisht), duke e kthyer këngën në një akt mirënjohjeje. Toni i butë përfaqëson respektin dhe falënderimin për figurën e mësuesit, i cili ndërton të ardhmen.
Në këtë mënyrë, Festa e Mësuesit është trajtuar jo thjesht si një urim tradicional, por si një kompozim simbolik ku edukimi paraqitet si nje gjini muzikore, në rastin tonë simfoni. Çdo term muzikor shërben si metaforë për një etapë të formimit, duke theksuar se mësuesi është dirigjenti që harmonizon zëra, karaktere dhe ëndrra.
Sepse, ashtu si në muzikë, edhe në arsim, harmonia lind nga drejtimi, durimi dhe besimi.
Gezuar festen mesues te dashur!
Autorja është mësuese muzike dhe drejtuese kori.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara