E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Nga Irida Xhura: Pse (s’) bëhem mësues/e

- Advertisement1-

Dita e mësuesit afron për pak e natyrshëm kthehet vëmendja te mësuesia. Ky profesion i
pakohë, i domosdoshëm, i (pa)vlerësuar.

(Sot do t’më shihni të vendos mes kllapash pjesëza mohuese, të cilat i japin fjalës kuptim të kundërt dhe që tregojnë dualizmin e përditshëm të një mësuesi.)

- Advertisement -

Statistikat  tregojnë se të rinjtë po zgjedhin gjithmonë e më pak fusha studimi që lidhen me mësuesinë. Auditorët po pranojnë në bankat e tyre edhe studentë me mesatare shumë të ulët, që degët të mos mbyllen e që të plotësohen kërkesat e tregut. Meqenëse është fakt se mësuesit janë ata që përgatisin çdo profesion tjetër, janë të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm, pse nuk zgjidhet mësuesia?

Këtu do të rendis disa nga shkaqet që janë tregues të realitetit:

1. Të ardhura të ulëta

2. Cënueshmëri

3. Mundësi të kufizuara për rritje në karrierë

4. Punë me fëmijë/adoleshentë

- Advertisement -rrrrrrr

5. Presion administrativ

6. Mungesë burimesh

Le ta nisim nga paga.

Paga mujore bruto e mësuesit është 70,000-71,000 lekë dhe kjo është e ndryshueshme në
varësi të vjetërsisë së punës dhe të kualifikimeve. Vërtet mësuesit duhet të punojnë me
ndërgjegje e me pasion, por ato kanë nevoja si të gjithë njerëzit e tjerë. Kjo pagë është në raport krejt të zhdrejtë me punën e me rëndësinë e tyre.

Cënueshmëri nga prindërit dhe nga nxënësit. Vlerësimi për punën e mësuesit dhe për
rolin e tij në formimin e shoqërisë është tronditur tepër këto vitet e fundit. Prindërit po edukojnë te fëmijët e tyre vetëdijen mbi të drejtat, duke harruar t’u mësojnë atyre detyrimet, rregullat, disiplinën, mirënjohjen e respektin. Vlera këto që po tkurren deri në bjerrje.

Mosbesimi dhe përçmimi po vrasin çdo ditë pasionin dhe dashurinë që mësuesi ka për punën e vet.

Mësuesit ndihen të pamotivuar! Familja dhe shkolla duhet të veprojnë si një mendje e vetme, të krijohen vlera të vërteta bashkëpunimi, për një qëllim të përbashkët: Edukimin!
(Duhet thënë, se lëndë si Qytetaria, Filozofia, Sociologjia, Psikologjia, Arti dhe Muzika,
zhvillohen 1-2 herë në javë, duke krijuar kështu boshllëqe në formimin shpirtëror dhe qytetar të nxënësit.)

Mësuesia është një profesion që të lë përgjithmonë nxënës. Zhvillimet në çdo fushë të
jetës kërkojnë përditësimin e mësuesve me metoda e teknika të reja që të sigurojnë sukses në punën me nxënësit. Mësuesit duhet të kalojnë në disa testime që u japin atyre kualifikime dhe kjo zgjat deri në 20 vjet pasi ke filluar punë. Mundësitë për karrierë janë të cunguara dhe rrugët për rritje janë plot me burokraci e mungesë transparence.

Nga ana tjetër puna me fëmijë e me adoleshentë është sa përmbushëse aq edhe sfiduese.
Mësuesit hasen çdo ditë me sfidat emocionale dhe me ato të sjelljes së nxënësve. Ata së pari duhet të jenë psikologë, edukatorë e më pas mësimdhënës. Përfshirja është sa shpirtërore aq edhe fizike. Këtu vlen të shtohet edhe rëndësia e përfaqësimit të modelit edukativ nga ana e mësuesit.

Disa episode kanë dëshmuar se jo çdokush mund të jetë mësues dhe këto dëmtojnë jo vetëm nxënësin, por edhe imazhin e mësuesit në shoqëri.

Burokracitë e panumërta të sistemit tonë arsimor dhe ndryshimet e herëpashershme, po i
shterrojnë energjitë e mësuesve duke u vrarë atyre kreativitetin. Risitë në sistem (SMIP-i, moda e fundit) kërkojnë përditësim me teknologjinë, trajnime dhe kushte të përshtatshme.

A u trajnuan mësuesit për këto risi? A ka kompjutera, internet, laboratorë në çdo shkollë?
(Ju përgjigjen e gjeni po të hidhni një hap larg perimetrit të qendrës së kryeqytetit.)

Zgjidhja e krizës për staf arsimor do të vijë nëse i ushqejmë të rinjtë me dashuri për këtë
profesion dhe nëse u japim atyre arsye të qenësishme për t’u përfshirë në fushën e mësimdhënies.

Kjo lipset të fillojë me motivimin e mësuesve aktualë dhe me kujdesin ndaj nevojave të tyre.

Ç’po presim?

©AlbanianEducation Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Nagavci i ndan bursë djalit të sekretares së MASHT-it

Para pak ditësh, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të ndante bursa për...

Përfundimi i gjysmëvjetorit të parë – mesazh nga Behare Kryeziu, drejtoreshë e shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren

MESAZH NGA DREJTORESHA E SHKOLLËS ME RASTIN E PËRFUNDIMIT TË GJYSMËVJETORIT TË PARË DHE...

Rrahman Jasharaj: Murati dhe Qeveria e idhnakëve dinë edhe më zi

Për tri ditë me radhë Ministri Murati bashkë me Kryeministrin Kurti e me bashkëpunëtorë...

Mësuesja nga Ferizaj: Kemi nevojë për me u përmbushë më shumë

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, sot ka pirë kafe me një mësimdhënëse...