Mbrëmjet e maturës si “një dasmë pa martesë”
Mbrëmja e maturës në Kosovë është shndërruar në një ngjarje që nuk feston dijen, por dëshpërimin për t’u dukur.
Çdo vit, ajo i ngjan gjithnjë e më shumë një dasmë të madhe – me fustane të shtrenjta, makina luksoze, kamera dhe skenografi glamuroze, por me një pikëpyetje sa ka boshllëk të frikshëm brenda?!
Si një “një dasmë pa martesë”, ku “krushqit” vijnë për fotografi, jo për vlera. Kështu sikur po rezulton realiteti.
A po e ndjekin probleme më të thellë, rininë kosovare përgjatë gjithë shkollimit. Shkollat janë pasqyrë e një sistemi që po rrëshqet në disa hallka; – Një pjesë e familjes, që nuk nuk japin sa duhet për fëmijët; – Shkollat, që nuk e japin maksimumin për nxënësit; – Mediet, që nuk i kushton vëmendje dijes e arsimit, por në fund të vitit, vetëm dukjes, sikur në disa storie, “ja si duket maturantja e vitit”.
Vërtetë e kemi rininë e bukur, duan të duken sa më të bukur në këso mbrëmje, at dhe prindërit, por druaj mos na mungon një tjetër bukuri, – dija, që jep fryt të mëtutjeshëm. Vërtetë ka inteligjencë te rinia e sotme, por, duhet përpunim i saj nga faktorët e përmendur.
Dhe kur e sheh atë pamje, të kap ndjesia e sikletit – jo për atë çfarë është, por për atë çfarë është shndërruar.
Ku po i çojmë fëmijët tanë? Në një sistem ku bullizmi është bërë normë. Në familje, në shkollë, në rrjetet sociale, në përditshmëri – shumë të rinj e kalojnë adoleshencën nën presionin e talljes, krahasimit dhe përjashtimit.
Maturantë që sot mbajnë veshje me kosto të lartë financiare, a mos nesër do të zgjohen të zhgënjyer nga ajo natë “dasme”, sepse prapë do të përballen me realitetin – duke menduar nëse do ta kalojnë testin e maturës, apo duke i kërkuar prindit para për një kafe.
Po na kërcënon një realitet tjetër i hidhur, ku droga dhe jeta e natës janë kthyer në “dëfrime” të pranueshme.
Ndërkohë që mbrëmja e maturës festohet si fundi i një etape, shumë të rinj e kanë braktisur shkollën me kohë – fizikisht janë aty, por mendërisht të zhytur në depresion, në abuzim me substanca dhe të shkëputur nga çdo strukturë. Ky është problem i gjitha strukturave, por, i përket deri diku arsimimit që e menaxhon shteti. Klubet e natës janë të mbushura me adoleshentë që kërkojnë identitetin e tyre në alkool dhe tym – dikush nga dëshira, dikush nga presioni, derisa përfundojnë aty ku nuk kanë dashtë kurrë të jenë.
Në një kulturë ku veshja jashtë normales gjatë ditës po bëhet standard. Sot, një adoleshente ndjehet e pavlerë nëse nuk vishet si influencuese e rrjeteve sociale – madje edhe në shkollë.
Djemtë ndihen të detyruar të “dallohen” përmes agresivitetit apo veturave të shtrenjta që shpesh i ngasin pa patentë. Shkolla po e rrezikon autoritetin për të vendosur norma, sepse prindërit nuk janë bashkëpunues, por bashkëgarues në këtë teatër. Në një shoqëri ku ndërhyrjet estetike në fytyrë fillojnë që në moshën 16 vjet.
Vajza të reja kërkojnë buzë më të plota, hundë më të holla, lëkurë pa “defekte” – jo sepse kanë nevojë, por sepse ndjejnë detyrimin të përmbushin një standard të rremë bukurie që u është imponuar nga Instagrami.
Dhe të gjithë ne – shoqëria, familja, shkolla – po heshtim, ndërsa rinia zëvendëson vetëbesimin me silikon dhe filtra.
Mbrëmja e maturës, sado që është festë, po kthehet në alarm.
Ky spektakël njëditor është vetëm një shpërthim simbolik i gjithçkaje që kemi shtyrë nën qilim për vite me radhë. Nuk është vetëm çështje shpenzimesh apo veshjesh. Është simptomë e një shoqërie që i ka braktisur të rinjtë, por më pas kërkon të lavdërohet me ta për një natë. Prindërit që nuk kanë qenë kurrë në një mbledhje prindërore, sot veshin kostume për t’u “dukur” të kujdesshëm.
Shkollat që nuk i kanë motivuar sa duhet nxënësit për dije, sot publikojnë video nga mbrëmja – për marketing. Dhe vetë të rinjtë, të lodhur nga pritjet boshe, rreshtohen për fotografi, duke buzëqeshur për një “sukses” që nuk e ndjejnë.
Derisa të fillojmë ta trajtojmë edukimin si përkushtim afatgjatë, jo si event njëditor, do të vazhdojmë të mbajmë këso “dasma pa martesa”, fotografi pa ndjenja, buzëqeshje pa thelb. Dhe më keq akoma: do të vazhdojmë të humbim gjenerata të tëra nën dritat e rreme të një nate.
Shkrim për Albanian Education