Autor: FLORENT SELCA
________________________________________________________________________
Të qenurit mësues këto dy dekadat e fundit në Kosovë, është me të vërtetë sfiduese.
Jetojmë në hapësirë të njëjtë, por në një dimension dhe realitet krejt tjetër.
Mësuesi fisnik, i respektuar dhe i nderuar nga shoqëria, sot ngjason me një kujtim të largët utopik, të cilin e kanë jetuar mësuesit e gjeneratave të kaluara.
T’i thuash një nxënësi të viteve 80-90, se sot nxënësi ka të drejtë t’a ofendoj mësuesin, t’a përqesh atë dhe t’ia bëjë orën mësimore një katrahurë, nuk mund t’a besojnë. Ata-nxënësit e dikurshëm, mund të krijojnë iluzionin se ne mësuesit e sotëm jemi të paditur, të pazot për të menaxhuar me profesionin tonë.
Ndoshta për disa edhe mund të kenë të drejtë, por çështja qëndron tek ndryshimet shumë dimensionale të cilat kanë nevojë të një hulumtimi shumë disiplinore për t’a bërë një analizë me konkluzione që qëndrojnë më afër së vërtetës.
Të gjithë jemi konvertuar në analist të çështjeve arsimore, me fokusin e vetëm, sulmin ndaj mësuesit.
Ne nuk mundemi t’ia dalim vetëm, prandaj prindër të nderuar, na ndihmoni.
I nderuar prind, a e dinë së fëmiu yt e nxënësi im, nuk i merr librat me vete edhe pse shteti ia dhuron falas. A je në dijeni se në orën “time” ai sorollatet në klasë duke penguar shokët dhe shoqet e klasës? Sapo mbaron mësimin, ndezë cigaren pa fije turpi në oborrin e shkollës. A e kupton, se me sa mundin dhe lutjen i bëjmë që të paktën mos t’a shkatërroi orën mësimore, që me sa mund po arrijmë ta realizojmë.
A e kupton se përkundër hiperaktivitetit të fëmijës, ne nuk kemi kompetencë t’a largojmë nga ora, edhe po të na lejohet ai nuk del nga klasa, sepse i duket se po i ofendohet krenaria.
E vetmja mundësi që kemi është ajo për të cilën edhe paguhemi; këshilla, kritika dhe angazhimi në vetëdijësimin e nxënësve tanë që në shumë raste nuk po na vënë veshin fare. Kur i “kërcënojmë” se , do njoftojmë prindin për sjelljet tua, ata nuk shprehin asnjë lloj pendimi, ngase tashmë e kanë kuptuar se ju nuk ndërrmerrni asnjë veprim të kontrollit tuaj prindëror.
Ne e kemi obligim t’ju edukojmë dhe mësojmë fëmijët tuaj, por ju lutemi, na ndihmoni !
Si ka mundësi që nuk keni autoritet tek fëmijët tuaj. Si është e mundur të mos keni kontroll prindëror dhe të bini pre e kërkesave absurde të fëmijëve tuaj. Pse qenka e domosdoshme që fëmijët dhjetë vjeçar të kenë smartphone në çantë e t’i mungoj fletorja.
A i shikoni fëmijët tuaj si vinë të veshur në shkollë, duke injoruar çdo rregullore dhe kod moral?
Tregojuni fëmijëve tuaj se klasa ku mësojnë, nuk është dhomë grimi, sepse ne nuk mund t’i kontrollojmë çantat dhe xhepat e fëmijëve tuaj çdo ditë.
Mos na shani në sytë e fëmijëve tuaj, sepse ata ju besojnë ju e na injorojnë ne.
Nuk kemi arsye të jemi NE dhe JU, sepse misioni ynë është i përbashkët, angazhimi juaj, rritë suksesin tonë.
Ju keni nevojë të trashëgoni vlerat e mirëfillta humane, ndërsa ne duam inspirim për angazhimin fisnik në përgatitjen e gjeneratave të reja që “nesër” do t’a menaxhojnë ekzistencën tonë.
Çdo ditë ballafaqohemi me probleme që po na sfidojnë angazhimin tonë, po na bëjnë skeptik për vlerën e punës sonë dhe jo rrallëherë të zhgënjehemi nga puna jonë.
Zinxhiri i bashkëpunimit mësues-prind në shumë raste i ka humbur hallkat e saj. Prindërit në shumë raste nuk vijnë në takime fare dhe në disa raste ngrenë supet lartë duke treguar nënshtrimin dhe dorëzimin karshi fëmijës së tyre.
Mësuesit i kanë duart e “lidhura”. Në punojmë me plan-programe, libra që nuk janë aspak në kompetencat tona. Plotësojmë çdo ditë formulare koti, që nuk kanë asnjë lloj efekti në cilësinë mësimore. Kërkohet llogari nga ata që asnjëherë nuk janë dëshmuar si meritor për ndonjë arritje në edukim dhe në shkencë.
Deri kur më? A ka vullnet dikush t’i hapë rrugë një edukimi dhe arsimimi cilësor? Apo ndoshta degradimi ynë, ka arritur deri në nivelin e degjenerimit kolektiv.
Zëri ynë nuk DËGJOHET !
I shkruaj ministres, institucioneve kompetente, askush nuk t’a vë veshin. Propozoj rrugëdalje sipas përvojës sime, nuk përfillesh fare dhe atëherë e kupton se sa pa shpresë jemi.
Qëndroj pothuajse tërë kohën gjatë orës mësimore në këmbë. Në sqarimet e shumta që pretendoj t’ua lehtësojë mësimin nxënësve të mi, kuptoj mospërfilljen e tyre që kushedi ku i kanë orientuar mendjet e tyre.
Natyrisht këtu bëjnë përjashtim ata nxënës që t’a bëjnë zemrën mal me dijet dhe përkushtimin e tyre.
Sa keq që ndjehesh, kur në fundin e një dite mësimore, shikon kolegët të sfilitur nga lodhja, a thua se ishin në një maratonë vrapimi. Të lodhur dhe pa prespektivë, sepse ne më së miri po e kuptojmë se çfarë gjeneratave po dalin nga bankat shkollore. Ne më së miri po e identifikojmë degradimin moral të familjeve tona. Po e kuptojmë se edhe ne vetë jemi pjesë e këtij mozaiku të turpit tonë kolektiv.
Këmbanat po bien e veshët tonë kanë zënë dyll e s’po dëgjojnë, mendjet tona na janë shplarë me ujin e ndotur nga pisllëqet që ka shkaktuar llumi i shoqërisë.
/Albanian Kids Education/KidsofKosova/