Nga Florenca Stafa: Një thirrje urgjente për mësimdhënien dhe cilësinë e saj sot në shkolla

- Advertisement5 -

Mora shkas nga një video shumë e bukur në pamje (krijuar me IA), por fatkeqësisht me gabime shkencore.

- paragrafi 1 -

Pikërisht në Ditën e Alfabetit, më 22 nëntor 2025, reklamohet si një punë e shkëlqyer e një fëmije/nxënësi vetëm 10 vjeç, i cili mëson dhe edukohet në një shkollë të vendit tonë.

- Advertisement -

E përgëzoj vogëlushin që ka krijuar këtë video mbresëlënëse me anë të teknologjisë, por nuk e di kush është mësuesja e historisë së këtij nxënësi.

Në video flitet për personalitete që morën pjesë në Kongresin e Manastirit dhe që me mendjen e fjalën e tyre të mençur sollën një moment shumë të rëndësishëm për historinë e kombit tonë: njëshimin e alfabetit (Kongresi i Manastirit, 14–22 nëntor 1908).

Në video përmendet Petro Nini Luarasi dhe po ashtu Faik Konica, si personalitet i Kongresit.

- Advertisement -

Ndërkohë që në dokumentet arkivore dhe në shtypin e kohës, Faik Konica ishte personaliteti që nuk e pranoi thirrjen e Kongresit të Manastirit dhe madje nuk mori pjesë, për dy arsye:

1.⁠ ⁠Ftesa për të marrë pjesë në Kongres iu dërgua me vonesë;

2.⁠ ⁠Konica kishte një koncept tjetër për rrugën që duhej ndjekur për njëhsimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Sipas tij, kjo çështje kaq e rëndësishme nuk duhej vendosur nga një forum i gjerë dhe me përbërje të larmishme.

Fakti që në Kongres nuk morën pjesë edhe intelektualë të tjerë të njohur në fushën e gjuhësisë, si Aleksandër Xhuvani, Asdreni, A. Z. Çajupi, Shtjefën Gjeçovi dhe vetë Konica, ka qenë i paramenduar, për të mos i pasur si “ngatërrestarë” gjatë punimeve.

E citova këtë fakt historik për të treguar se mësimdhënia ka humbur rolin dhe misionin e saj në epokën moderne. Mësues që nuk njohin të vërtetat shkencore, mësues që nuk i ballafaqojnë faktet, mësues që u flasin nxënësve për ngjarje dhe figura historike pa shfletuar e verifikuar burimet…

Personalisht, me një përvojë 20-vjeçare në arsimin parauniversitar dhe universitar, gjykoj se është e domosdoshme rishikimi i kurrikulës, ku lëndës së historisë duhet t’i jepet një rëndësi e veçantë. Historia duhet të jetë prioritet kombëtar. Formimi i nxënësve që në moshë të hershme me koncepte të sakta shkencore konsolidon personalitetin e tyre si qytetarë evropianë.

Mësuesit kanë nevojë të trajnohen edhe në anën shkencore, të organizohen tryeza diskutimi për risitë në shkencë, të ballafaqohen me të vërtetat dhe të jenë në shërbim të formimit të brezit të ri.

Do të ishte edhe më shqetësuese nëse vogëlushi i videos e ka marrë tekstin nga libri i historisë që studion. Përpos kësaj, nuk edukohet përmes punëve krijuese, por thjesht përmes fasadave me ngjyra dhe efekte të IA-së.

Si nuk i shkoi mendja mësueses që e ka monitoruar këtë punë që vogëlushi të kujdesej për një fakt shumë të rëndësishëm: pjesëmarrjen për herë të parë të një gruaje në kongres — të Sevastisë Qiriazi!

Kjo do të kishte vlerë të jashtëzakonshme në edukimin qytetar të fëmijëve, do t’i bënte të zhvillonin të menduarin kritik dhe do të fitonin kompetencën qytetare natyrshëm.

Pjesëmarrja e një gruaje në Kongres në atë kohë ishte një arritje e madhe. Nxënësit do të kuptonin shumë për barazinë gjinore në vendimmarrje, për të drejtat dhe përgjegjësitë e individit në shoqëri, dhe për rëndësinë e arsimimit për konsolidimin e shtetit-komb.

Të gjithë biem dakord për një fakt: “problemi me tekstet shkollore”, Altertekstin apo edhe kurrikulën në tërësi.

Por mësuesi duhet të dijë diçka të rëndësishme — diçka që u them shpesh studentëve të programit të mësuesisë dhe mësuesve në detyrë:

“Mësuesi sot duhet të jetë në gjendje të ndërtojë vetë orën e mësimit me burime dhe materiale krejtësisht të ndryshme nga teksti, por duke iu përmbajtur me rigorozitet programit të miratuar nga Ministria e Arsimit.”

Kjo nënkupton që mësuesi duhet të heqë dorë nga teksti shabllon, nëse ai nuk përputhet me nevojat e nxënësve ose nuk ofron aparatin pedagogjik të duhur.

Por a janë në gjendje ta bëjnë këtë mësuesit në sistemin tonë parauniversitar? Fatkeqësisht jo.

Për shumë arsye… ku një rol të rëndësishëm e luan edhe kurrikula e arsimit të lartë dhe modulet e ofruara.

Personalisht, jam një mbështetëse e fuqishme e gjithë arsimtarëve dhe — po të kisha në dorë — ata do të ishin njerëzit më të paguar në vend, me një standard të vetëm:

“Në arsim qëndron ai që e MERITON.”

Por në një sistem ku i paafti e ka vënë përpara me injorancën e tij të diturin, intelektualin, mësuesin vizionar, është bërë mision i pamundur.

Të dashur mësimdhënës, bëjeni punën tuaj me pasion. Fëmijët dhe nxënësit tuaj nuk kanë asnjë faj për këtë sistem. Por mos i lini “çalamanë” të përhershëm mbi tokë.

Nëse gabimi i mjekut të fut në dhe, gabimi i mësuesit të lë sakat përjetë!

© Portali Shkollor –