Nga Fitim Selimi: Shkolla e Banullës, dëshmi e një politike të gabuar arsimore

- Advertisement5 -

SHKOLLA E BRAKTISUR NË BANULLË NUK ËSHTË PROBLEMI

- paragrafi 1 -

Çështja e shkollës së braktisur në Banullë dhe e hapësirës përreth saj është shndërruar në temë diskutimi publik. Por, mënyra se si po trajtohet kjo çështje, është thellësisht e gabuar: sipërfaqësore, jokauzale dhe në thelb një devijim i qëllimshëm i debatit nga problemi real.

- Advertisement - M1

Para çdo gjëje tjetër, kjo është një pasojë. Një pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të gabuara, të pamenduara strategjikisht dhe të paanalizuara në mënyrë profesionale, pedagogjike dhe shkencore. Është produkt i një qasjeje të shkurtër, të ndërtuar mbi interesa ditore elektorale, në kurriz të një sistemi arsimor të qëndrueshëm dhe cilësor.

Shkolla fillore në Banullë nuk ishte një shkollë çfarëdo. Ajo ishte ndër më të mirat në vend.

Nuk u braktis për mungesë hapësire. Në vitet ’70–’80, aty mësonin rreth 1000 nxënës nga Banulla, Gllogovci, Llugaxhia, Bujaria, Qallapeku, Rubovci dhe Kojska. Ishte një qendër e konsoliduar e dijes. Çfarë ndodhi më pas nuk është zhvillim – është regres i maskuar si afrim i shërbimit. Mund të arsyetohet disi pavarësimi i shkollave të Llugaxhisë e Rubovcit por assesi tjerat!

- Advertisement - m2

Sot kemi një realitet absurd: gjithsej 469 nxënës të shpërndarë në katër objekte shkollore, me distanca minimale mes tyre. Pra, fragmentim artificial i një sistemi që dikur funksiononte me efikasitet.

Politika “çdo lagje me shkollë” apo “çdo katund me shkollë” nuk ishte avancim – ishte degradim. Ajo uli cilësinë e arsimit, rriti kostot, shkatërroi konkurrencën mes nxënësve dhe dobësoi profesionalizmin e mësimdhënësve.

Më shqetësuese akoma është deformimi i procesit të vlerësimit. Në kushte të tilla të fragmentimit, lidhjet familjare mes mësimdhënësve dhe nxënësve bëhen faktor ndikues: baba, nënë, xhaxha, teze – të gjithë pjesë e një sistemi që nuk garanton më objektivitet.

Kalimi nga një model i përqendruar, kabinetik, konkurrues dhe kosto-efektiv, në një shpërndarje të copëzuar dhe jofunksionale, nuk ishte reformë – ishte kompromis për votë.
Prandaj, shkolla e braktisur në Banullë nuk është problemi. Aq më pak deponia e bërllogut! Ajo është dëshmia. Problemi është logjika që e prodhoi këtë realitet.

Kjo çështje kërkon një debat të thellë, multidisiplinor, me përfshirjen e komunitetit dhe ekspertëve, brenda kuadrit ligjor. Çdo shmangie nga ky debat është vazhdim i së njëjtës mendësi që e solli këtë gjendje.