Në një shoqëri që e ka harruar vullnetarizmin si vlerë, Fiqiri Çifliku na fton ta rimarrim si zgjedhje të vetëdijshme, jo si nostalgji. Përmes shembujsh ndërkombëtarë dhe një thirrjeje për edukim qytetar që nis në shkollë, ai e shpalos vullnetarizmin si akt rebelimi ndaj indiferencës.
Dikush mund të thotë po këto jnë vende të zhvilluara por aktivitet vullnetare kryhen edhe në vendet e ballkanit sin ë Serbi, ku zjarrfikësit vullnetarë janë si shtyllë komunitare dhe shpesh janë të lidhura me shkollat dhe qendrat rinore. Ato nuk merren vetëm me zjarre, por edhe me edukim për sigurinë, ndihmë në përmbytje dhe aktivitete komunitare. Kjo i jep të rinjve një ndjenjë përkatësie dhe përgjegjësie.
Në Bosnje, vullnetarët e Kryqit të Kuq kanë qenë thelbësorë në ndihmën për migrantët që kalojnë përmes vendit. Ata shpërndajnë ushqim, ndihmë mjekësore dhe informacione për sigurinë, sidomos në zona të minuara. Kjo përvojë ka treguar se vullnetarizmi mund të jetë një urë solidariteti edhe në kontekste të ndërlikuara humanitare.
Përmes projekteve, të rinjtë nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut janë përfshirë në shkëmbime vullnetare duke ndihmuar në ndërtimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal.
Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri vullnetarizmi nuk duhet të shihet një mbetje e sistemit, por një akt rebelimi ndaj apatisë. Jo për t’u dukur, por për të ndjerë se je pjesë e diçkaje më të madhe. Dhe kjo ndjesi s’të kërkon patentë partie, certifikatë apo leje për të ndihmuar.
Nëse dikur na e imponuan, ndoshta sot është koha ta rimarrim si zgjedhje. Të ndihmosh nga dëshira nuk është romantizëm, është qytetari e epokës së lodhur nga indiferenca. Prerja dhe qepja e këtij stofi të çmuar që ne shqiptarë e kemi, fillon merr formë dhe piqet në shkollë.
Nëse duam që vullnetarizmi të mos mbetet një etiketë e zbrazët apo një jehonë nga e kaluara, duhet ta mbjellim atje ku rrënjët marrin jetë, në arsimin parauniversitar. Jo si një kapitull në një libër qytetarie, por si një praktikë që fëmijët ta shijojnë, jo ta mësojnë përmendësh. Një orë në javë, ku nxënësit dalin nga klasa për të pastruar një lulishte, për të lexuar me të moshuarit apo për të ndihmuar bashkëmoshatarët në nevojë, mund të bëhet akti më i fuqishëm edukativ. Kur fëmijët mësojnë se solidariteti nuk është vetëm “ndihmë”, por mënyrë jetese, atëherë rritet mundësia që të rriturit e nesërm ta mos e shohin shoqërinë si pazar. Zgjidhje ka, dhe janë në gjuhën e përbashkët të njerëzores.
- Krijimi i një platforme digjitale ku lagjet dhe komunitetet shpallin nevoja konkrete dhe njerëzit vetëofrohen. Thjesht, pa protokolle burokratike.
- Përfshirja e vullnetarizmit në edukim, jo si detyrë, por si formësim karakteri, një orë në javë e dedikuar kontributit për komunitetin.
- Arti, sporti, eseja mund ta kthejnë debatin nga “detyrim” në “dëshirë”. Një fushatë publike që tregon historitë e vogla të njerëzve që ndihmojnë. Një adoleshent që shoqëron një të moshuar, një grua që pastron tek sheshi i shkallëve të pallatit. Ata që nuk bëjnë zhurmë, por ndryshojnë klimën emocionale të një lagjeje.
Qeveria shqiptare miratoi më 30 qershor 2025 projektligjin “Për vullnetarizmin”, duke vendosur për herë të parë një kuadër të qartë ligjor për këtë formë angazhimi qytetar. Ligji përcakton parimet bazë, të drejtat dhe detyrimet e vullnetarëve dhe organizatave pritëse, si dhe ndan vullnetarizmin në formë afatshkurtër dhe afatgjatë. Ai parashikon krijimin e një regjistri elektronik, njohjen e përvojës vullnetare si eksperiencë pune, sigurimin e detyrueshëm për vullnetarët dhe lëshimin e certifikatave zyrtare për çdo angazhim. Me këtë nismë, synohet jo vetëm të rritet pjesëmarrja qytetare, por edhe të promovohet solidariteti si vlerë shoqërore e qëndrueshme. Le të punojmë së bashku që ky ligj të mos mbetet në letër si shumë të tjerë si dekor që nuk ka asnjë vlerë nëse askush nuk i zbaton.