Janë shumë mësues që sot ndodhen në kushtet kur po u vlerësohet dosja, sepse mbyllen vendet e punës në shkolla. Por, në vend që të trajtohen në mënyrë të barabartë, ata diferencohen për shkak të diplomës së marrë nga ’90 deri para sistemit të Bolonjës. Kjo ka sjellë padrejtësi të përsëritur dhe humbje të ndjeshme financiare.
Vendimi famëkeq nr. 425, datë 26.6.2024, për strukturën dhe nivelet e pagave të punonjësve mësimorë dhe jomësimorë, e mbolli farën e diferencimit ose më shqip, diskriminimit të mësuesve në sistem. Për gati dy vite, këta mësues humbën të ardhura për shkak të diferencimit të padrejtë.
Ndryshimet ligjore në nenin 72 të ligjit 69/2012, ua rikthyen pjesërisht të drejtën, por zbatimi i procedurave të lëvizjes paralele nga shkollat dhe ZVAP-et vazhdojnë t’i penalizojë shumë prej tyre dhe do vijojnë ta bëjnë për çdo vit. Çdo ditë mësues të ndryshëm më shkruajnë të shqetësuar për përjashtim, pa garë.
Po ku qëndron padrejtësia?
Në rastet kur mbyllet një vend pune në arsimin fillor, mësuesi i parë që largohet automatikisht është ai me diplomë të ligjshme të pas viteve ’90. Largohen pa garë dhe pa vlerësim dosjesh për lëvizje paralele mësuesit kur janë të vetëm në atë shkollë me atë diplomë pa u renditur me të tjerët. Nëse është më shumë se një mësues me këtë diplomë atëherë gara zhvillohet vetëm midis këtyre mësuesve duke mos i përfshirë të tjerët edhe pse mund të jenë punësuar shumë më vonë.
Diplomat e tyre trajtohen si të dorës së dytë, pavarësisht përvojës, rezultateve reale me nxënësit, kualifikimeve dhe brezave të nxënësve që kanë formuar.
E ke diplomën bachelor, ik tani, boll punove!
Ndryshimet e fundit ligjore sollën vetëm një kompensim të pjesshëm për aga që e humbën të drejtën para dy vitesh, i paguajnë me 14.000 lekë, por nuk e zgjidhi ngërçin. Sepse në çdo rast, tani apo më vonë, të parët që penalizohen janë dhe do të jenë pikërisht kjo kategori mësuesish.
Çfarë thotë ligji?
Neni 72 është i qartë:
“Personeli mësimdhënës, i punësuar me kontratë të përhershme dhe me formim universitar, ruan vendet e punës dhe u nënshtrohet trajnimeve për përditësimin e dijeve. Ky përcaktim vlen edhe për mësuesit që kanë përfunduar arsimin e lartë pedagogjik 3-vjeçar, përpara hyrjes në fuqi të sistemit të Bolonjës.”
Pra, ligji nuk e vë në diskutim të drejtën e tyre. Por në praktikë, drejtues shkollash dhe ZVAP-e shpesh e kthejnë në diskutim, duke mbajtur anë të caktuar dhe duke i lënë këta mësues të pambrojtur.
Edhe udhëzimi nr. 8, datë 3.5.2024, e përcakton qartë procedurën që ndiqet dhe nuk lë vend fare për diskutim. Kur bie numri i orëve mësimore, komisioni duhet të vlerësojë dosjet e të gjithë mësuesve me kontratë të përhershme. Megjithatë, në praktikë kjo shpesh anashkalohet, duke i penalizuar automatikisht mësuesit me diploma para sistemit të bolonjës.
Në kreu V, procedura e lëvizjes paralele citohet shprehimisht në pikat 1, 3 dhe 4 se:
1. Kur në një institucion arsimor bie numri i orëve mësimore të një profili/lënde, drejtuesi i IAP-së ngre komisionin për shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjeve në shkollë, për të gjithë mësuesit e atij profili/lënde.
3. Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjeve në institucionin arsimor parauniversitar ka për detyrë të bëjë vlerësimin e dosjeve të të gjithë mësuesve me kontratë pune me afat të pacaktuar të profilit/lëndës për të cilën bie numri i orëve, sipas shtojcës 2, të këtij udhëzimi dhe të publikojë në mjediset e institucionit rezultatet e vlerësimit.
4. Vlerësimi i dosjeve në shkollat e bashkuara bëhet për të gjithë mësuesit me kontratë pune me afat të pacaktuar, të arsimit të mesëm të ulët ose të arsimit të mesëm të lartë ku ka rënë ngarkesa mësimore
Ka ndonjë gjë të paqartë ende!? Për atë që di të lexojë shqip, gjithçka është e qartë, si drita e diellit.
Ministria e Arsimit duhet të unifikojë procedurat në të gjitha shkollat duke udhëzuar qartë, inspektuar dhe vletësuar procedurat qëpo zhvillohen.
Duhet të trajtojë çdo mësues me dinjitet, pavarësisht mbylljes së vendeve të punës sepse ajo që dhemb më shumë nuk është largimi, por padrejtësia dhe pabesia.
Ky është një apel publik për Ministrinë e Arsimit, AKAP dhe DRAP që të reagojnë menjëherë, të mbikëqyrin me kujdes proceset në çdo shkollë dhe të garantojnë barazi të vërtetë për çdo mësues në sistemin arsimor.
Nëse shihni një mësues në protestë, mos e konsideroni “agjent”. Është një mësues shqiptar i lodhur, i stresuar dhe i zhgënjyer nga padrejtësia.