Një burrë që ecte pranë një cirku pa disa elefantë të mëdhenj, të lidhur tek këmbët me litarë të hollë. Nuk kishte kafaze, nuk ishin zinxhirë, por vetëm një litar i dobët.
E dinte që elefantët mund të çliroheshin lehtësisht në çdo moment që do të bënin përpjekjen më të vogël. Por në fakt nuk e bënin. Thjesht qëndronin aty, të qetë. Pse nuk ikin këta elefantët? Litarët janë kaq të dobët!
Mua më duket se edhe shoqëria, sidomos kjo e jona, shpesh i ngjan elefantëve. Një litar i hollë, i vendosur kur ishim ende “të vegjël”, në mendje, në kulturë, në edukim, na mban të lidhur edhe kur jemi bërë të fuqishëm për ta këputur. Ky litar quhet stereotip dhe nuk është i fortë, por i lidhur me besimin. Dhe besimi i verbër është më i fortë se hekuri. Doja të përmendja disa stereotipe që i ngjajnë litarit të elefantit.
– Stereotipi i gjinisë: “Gratë janë të dobëta, burrat janë të fortë.” Historia na ka dhënë gra udhëheqëse, shkencëtare, luftëtare, po aq të fuqishme sa burrat.
– Stereotipi i moshës: “Të rinjtë nuk dinë, të moshuarit nuk mundin.” Sigurisht të rinjtë shpikin teknologji që ndryshojnë botën, të moshuarit ruajnë mençuri që e shpëtojnë atë.
Shoqëria ka nevojë për të dyja, jo për ndarje.
– Stereotipi i origjinës: “Ai që vjen nga fshati nuk mund të bëhet qytetar i madh.” Ky është një litar i turpit, i vendosur mbi rrënjët tona. Por çdo qytet është ndërtuar edhe nga duart dhe mundi i fshatarëve, çdo kulturë është ushqyer nga toka. Origjina nuk është kufizim, është mundësi.
– Stereotipi i dështimit: “Nëse dështove një herë, nuk ia vlen të provosh më.” Por dështimi është prova e guximit, jo e dobësisë. Shpikjet, zbulime, reformat, arti nuk ka lindur lehtë por është pararendur nga një dështim i parë. Kush nuk është dorëzuar ja ka dalë.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, është koha të kujtojmë se kufizimi nuk është tek individi, por tek shoqëria që vendos kufij. Këtu po shtoj tri stereotipe që janë vërtetë si ata litarët që duhen këputur.
-Stereotipi i dobësisë: “Personat me aftësi të kufizuar janë të varur.” Në të vërtetë, ata janë të pavarur nëse shteti dhe komuniteti do të ofrojnë mbështetje të drejtë, qasje në arsim, punësim, transport, teknologji ndihmëse.
– Stereotipi i pamundësisë: “Ata nuk mund të kontribuojnë.” Personat me aftësi të kufizuar janë artistë, mësues, shkencëtarë, sportistë. Kontributi i tyre është i barabartë, shpesh edhe më i fuqishëm sepse lind nga përvoja e tejkalimit të vetvetes.
– Stereotipi i mëshirës: “Duhet t’i shohim me keqardhje.” Jo. Duhet t’i shohim me respekt. Mëshira është një litar që i mban poshtë ndërkohë respekti u bëhet krahu që i ngre lart.
Ashtu si elefantët që nuk e kuptojnë fuqinë e tyre, edhe ne shpesh jetojmë të lidhur me litarët e mendimeve tona. Të prishim stereotipet është njësoj si të çlirojmë energjinë e shoqërisë, duke lejuar që secili të jetë vetvetja, pa kufij të vendosur nga të tjerët.