Një tjetër ngjarje e rëndë. Një 15-vjeçar nga Tirana vetëvaret. Ngjarje pa fund. Dhunë midis adoleshentëve, fjalor i rëndë, përdorim i substancave, duhanit, pijeve energjike, sjellje të çuditshme, obezitet dhe pasoja të tjera.
Në shkollë, jashtë saj, larg saj. Të rriturit, shoqëria, media, shteti, regjistrojnë, qajnë pak dhe më pas vazhdojnë me të njëjtin ritëm të çmendur. Vazhdojmë të bëjnë para, të sigurojnë luks, të sigurojnë bukën, apo ku di unë se çfarë tjetër.
Një alarm i kuq. Një thirrje. Një klithmë SOS. Të reagojmë, sa nuk është vonë.
Kemi instrumente? Sigurisht që kemi. Kemi forcë? Pa dyshim që kemi. Por duket se na ka lënë besimi në forcën tonë.
Modele ka plot. Veç duhet t’i përdorim në sistemet tona që kërcasin në çdo drejtim që lëvizin. Të ngjallim gjërat që janë topitur dhe t’i integrojmë me të rejat që na ka sjellë koha e sotme. Edhe teknologjinë, pse jo.
Udhëzimi i përbashkët për institucionet arsimore përmend shumë strategji e memorandume në listat e gjata të detyrimeve, por unë do të veçoja projektin: “Shkollat për Shëndetin”, të mbështetur nga Save the Children dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), që prej vitit 2020. Ky projekt ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në shkollat dhe komunitetet ku është zbatuar.
Çfarë ka sjellë ky projekt?
-120 shkolla të arsimit bazë të përfshira direkt ose rreth 10% e shkollave të vendit.
-Trajnime për mësuesit në fusha si: shëndeti mendor, edukimi seksual, higjiena, ushqyerja e shëndetshme, parandalimi i duhanit dhe drogave.
-Materiale didaktike dhe logjistike për promovimin e sjelljeve të shëndetshme.
-Angazhim të prindërve dhe komunitetit në aktivitetet e shkollës.
-Ndërthurje të sektorëve: arsimi, shëndetësia, bujqësia, pushteti vendor.
-Modeli i koordinatorit të shëndetit. Model që duhet të ishte institucionalizuar për të garantuar vijimësinë.
Ky projekt nuk është thjesht një “aksion mobilizues”, por një model i institucionalizuar i promovimit të shëndetit në shkolla, me synim që të integrohet në politikat publike arsimore dhe në strategjitë afatgjata të arsimit parauniversitar, (meqë jemi ndoshta në punë e sipër për strategjinë e re).
Projekti një ditë do të përfundojë, por kjo nuk e justifikon mos përfshirjen e të gjitha shkollave dhe mungesën e vijimësisë. Pikërisht tani duhet të mendohet seriozisht për ta institucionalizuar si praktikë të mirë, për t’u fuqizuar dhe për t’u përkthyer në prioritet strategjik duke e bërë model të rekomanduar në udhëzimin vjetor dhe në udhëzimin për normat e punës mësimore-edukative dhe numrin e nxënësve në shkollë.
Mund të zbatohet duke krijuar një strukturë e përhershme për edukimin shëndetësor në shkolla. Përvoja e zbatimit të deritanishëm, materialet dhe trajnimet e projektit mund të përdoren si bazë për zhvillimin profesional të mësuesve gjatë aktiviteteve që zhvillohen në terren.
Tashmë ka ardhur koha të përfshihet në planifikimin afatgjatë të MAS, jo si projekt i jashtëm, por si politikë publike e brendshme. E di, të kesh kodues inteligjencë artificiale, SMIP e koordinator të gjithfarë llojesh është mirë, por shëndeti duhet të jetë prioritet, jo vetëm kur vjen me logo të huaj. A mund të jetë shëndeti prioritet pa strukturë solide, pa trajnim, pa kujtesë institucionale?
Kjo është një kambanë që duhet ta dëgjojmë sot. Jemi vërtetë vonë.
Ta rikthejmë bashkë këtë model në qendër të debatit, jo si nostalgji apo si kritikë dashakeqe, por si domosdoshmëri për ndryshim pozitiv dhe mirëqenie.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara