- Advertisement5 -
Inspektimi dhe përdorimi i kërkimit nga boshllëku tek vizioni.
Të dhënat e reja të OECD-së zbulojnë një boshllëk në inspektimin e shkollave. Pak inspektorate vlerësojnë në mënyrë eksplicite se si mësuesit dhe drejtuesit përdorin metodat kërkimin. Kjo është një mundësi e humbur.
Proceset e inspektimit, vetë‑vlerësimet, vizitat në shkolla dhe bisedat për përmirësim, mund të jenë momente të fuqishme për të reflektuar mbi praktikat e mësimdhënies dhe përdorimin e kërkimit. Ato duhet të lidhin kërkimin përkatës me fushat e përmirësimit të identifikuara në raportet e inspektimit. Shërbejnë si bazë solide për të forcuar praktikat e bazuara në evidencë në mënyrë më të gjerë.
Shkrimi im “Inspektimi në arsim- strukturë më shumë se përmbajtje”, ka shtruar për diskutim pikërisht këtë çështje. Si duhet të jetë inspektimi që ky boshllëk të mbyllet dhe se si “përdorimi cilësor i kërkimit” të bëhet standard i zakonshëm?
Çfarë tregojnë të dhënat e OECD-së, (shihni foton ilustruese).
– 40% e inspektimeve përfshijnë kriterin e përdorimit të kërkimit në vlerësimin e shkollave.
– 32% e inspektimeve përfshijnë kriterin e përdorimit të kërkimit në vlerësimin e drejtuesve.
– vetëm 12% e inspektimeve kriterin e përdorimit të kërkimit përfshijnë në vlerësimin e mësuesve.
Kjo tregon se inspektoratet i kushtojnë më shumë vëmendje nivelit institucional sesa praktikës individuale të mësuesve, pikërisht aty ku vendoset cilësia e mësimdhënies.
Në vizionin tim për inspektimin e së ardhmes, cilësia nuk duhet të matet vetëm me rezultate sasiore, por me sa thellë mësuesit dhe drejtuesit e lidhin vendimet e tyre me evidencat. Raportet e inspektimit nuk duhet të jenë lista gabimesh, por harta kërkimore për përmirësim. Vetë‑vlerësimet nuk duhet të jenë formalitete, por laboratorë reflektimi. Inspektorët nuk duhet të matin vetëm rezultate, por sa thellë lidhet çdo vendim me kërkimin.
Pas një periudhe ku boshllëku ishte thelluar (2019-2026), Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimin e Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar (IQAP). Ky institucion ka për mision, të garantojë respektimin e ligjit, të unifikojë praktikat e inspektimit dhe të rrisë transparencën. Por sfida e tij kryesore është të mos mbetet dekorativ dhe burokratik, por të kthejë inspektimin në proces reflektimi dhe zhvillimi profesional, ku evidenca dhe kërkimi janë oksigjeni i përmbajtjes.
Çfarë duhet të bëjmë? Katër pika shërbejnë si kolona për ngrehinë e re institucionale që pritet të mbushë boshllëkun e krijuar e cila duhet të fokusohet më së shumti tek:
Matja e përdorimit të kërkimit si kriter cilësie.
Trajtimi i vetë‑vlerësimit si laborator reflektimi, jo formalitet.
Përdorimi i raporteve të inspektimit si harta kërkimore për përmirësim.
Lidhja e inspektimit me zhvillimin profesional të mësuesve dhe drejtuesve.
Raportet e OECD e tregojnë qartë ndryshimin e paradigmës. Agjencitë e Sigurimit të Cilësisë apo Inspektoratet po kalojnë nga kontrolli i thjeshtë i rregullave drejt mobilizimit të njohurive. Ky ndryshim synon besueshmëri dhe efikasitet. Besueshmëri, në përdorimin e të dhënave sasiore dhe cilësore për një pamje holistike. Efikasitet, duke u fokusuar tek institucionet “në rrezik”, për të kursyer kostot e inspektimeve rutinë.
Kuadri i standardeve për vlerësimin e cilësisë së kërkimit lidhet me politikat, lidershipin, bashkëpunimin, kurrikulës e informuar nga kërkimi dhe angazhimin e nxënësve dhe stafit.
OECD na kujton boshllëkun e sotëm. Shkrimi im e sheh horizontin e së ardhmes.
Le të shpresojmë se rikthimi i Inspektoratit Shtetëror do të shërbejë vërtetë për përmirësimin e procesit sepse Inspektimi nuk ka kuptim pa përmbajtje, dhe përmbajtja nuk ka kuptim pa kërkim.
Referenca: