Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT) konfirmohet rënia shqetësuese e numrit të lindjeve në Shqipëri. Kjo tendencë nuk është e re, por thellimi i saj po krijon një situatë alarmante për demografinë e vendit. Nëse keni dëgjuar se teknologjia dhe inteligjenca artificiale do të zëvendësojë shumë profesione. mund ta them me bindje se mësuesinë nuk do e zhdukë IA, por rënia pikiatë e numrit të lindjeve.
Sa fëmijë do të mësojmë në shkollat tona, në klasën e parë, pas 6 vitesh.
Pra në 2031 kur të jemi futur ndoshta edhe në Evropë? Po përpiqem të analizoj më poshtë të dhënat që kam mbledhur nga INSTAT.
Në total, gjatë vitit 2024, në Shqipëri kanë lindur vetëm 22,425 bebe, që është një rënie me 5% krahasuar me vitin 2023, dhe shifra më e ulët historike që nga viti 1934. Kjo do të thotë se sot lindin më pak fëmijë se edhe gjatë luftës së dytë botërore, pavarësisht se numri i grave në moshë riprodhuese është shumë më i lartë.
Për vitin 2025, të dhënat paraprake nga INSTAT konfirmojnë trendit rënës të lindjeve në Shqipëri, ku në tremujorin e parë, janë regjistruar 4,340 lindje dhe në tremujorin e dytë 4,982, me një rënie të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Duke u bazuar në numrin e lindjeve në gjashtëmujorin e parë (9,322) dhe duke supozuar se trendi do të vazhdojë i njëjtë, projeksioni është që deri në fund të vitit 2025 të lindin rreth 19,500 foshnje.
Trendi rënës i lindjeve nuk ka filluar sot, por shumë më herët. Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, sipas viteve, në Shqipëri janë regjistruar:
2024: 22,425 lindje
2023: 23,310 lindje
2022: 24,688 lindje
2021: 26,177 lindje
2020: 28,075 lindje
2019: 28,561 lindje.
Kjo rënie e vazhdueshme nuk është më sinjal i krizës demografike, por situatë e rrezikshme që po thellohet në Shqipëri. Numri i lindjeve po zvogëlohet ndjeshëm, dhe për herë të parë, shtesa natyrore e popullsisë (lindje minus vdekje) ka rezultuar negative, duke treguar që popullsia po tkurret edhe pa marrë parasysh emigracionin.
Mbajmë në konsideratë se në shkolla regjistrohen gjithmonë më pak nxënës se numri i fëmijëve të lindur sipas viteve.
Emigracioni i të rinjve, veçanërisht i atyre në moshë riprodhuese, si dhe vështirësitë ekonomike, kostot e larta të rritjes së fëmijëve apo pasiguria për të ardhmen i bëjnë çiftet e reja të hezitojnë për të pasur fëmijë ose të vendosin të kenë më pak mbeten shkaqet kryesore.
Ashtu si në shumë vende të tjera evropiane, edhe në Shqipëri ka ndodhur një ndryshim social, ku çiftet vendosin të martohen dhe të kenë fëmijë në moshë më të madhe. Norma e lindshmërisë ka rënë në 1.2 fëmijë për grua, shumë më poshtë se norma prej 2.1 që nevojitet për të ruajtur popullsinë.
Kjo situatë demografike ka pasoja të rënda, si plakja e popullsisë, tkurrja e fuqisë punëtore dhe vështirësi në të ardhmen për shëndetësisë, mbrojtjes, sigurisë dhe sistemeve sociale, si pensione dhe sigurisht edhe për funksionimin e shkollave.
Tkurrja demografike, me rënien e numrit të nxënësve, po e bën realitet modelin e klasave kolektive ose të bashkuara, sidomos në zonat rurale. Ky model, ku fëmijë të moshave dhe klasave të ndryshme mësojnë në të njëjtën klasë, sjell sfida të mëdha, por mund të menaxhohet me strategji të qarta për të siguruar një arsim cilësor. Po listoj të paktën tri shtylla.
1. Trajnimi i mësuesve për këtë model
Mësimdhënia në një klasë kolektive kërkon qasje të ndryshme nga ajo tradicionale. Ata duhet të trajnohen posaçërisht për këtë model me strategji të reja për planifikimin e orës, menaxhimin e klasës dhe vlerësimin e nxënësve në një mjedis të përzier. Tashmë u duhet të kalojnë nga një model frontal, ku të gjithë nxënësit mësojnë të njëjtën gjë në të njëjtën kohë, në një model me grupe fleksibël sipas nivelit apo sipas detyrës. Metodologjia dhe kohëzgjatja duhet parë në dy aspekte:
Aftësim i vazhdueshëm: Ministria e Arsimit mund të organizojë kurse specializimi për mësuesit që punojnë në klasa kolektive.
Shkëmbimi i përvojave: Krijimi i një rrjeti ku mësuesit e klasave kolektive mund të shkëmbejnë përvoja dhe praktika më të mira.
2. Përdorimi i teknologjisë
Përdorimi i teknologjisë e bën më të lehtë menaxhimin e klasave me nivele të ndryshme.
Platformat online: Krijimi i një platforme online me materiale didaktike, video-mësime dhe ushtrime sipas klasave. Ndërsa mësuesi është i fokusuar tek një grup, grupi tjetër mund të kryejë detyra në kompjuter ose tableta.
Aplikacione mësimore: Përdorimi i aplikacioneve arsimore që i ndihmojnë fëmijët të mësojnë në mënyrë të pavarur dhe me ritmin e tyre.
3. Përfshirja e komunitetit dhe prindërve
Prindërit dhe komuniteti mund të luajnë një rol mbështetës në këtë proces.
Vullnetarë: Anëtarë të komunitetit ose prindër mund të ndihmojnë mësuesin duke u bërë vullnetarë dhe duke ndihmuar grupet e ndryshme të nxënësve.
Aktivitete të përbashkëta: Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta mes nxënësve të moshave të ndryshme, si projekte në grup apo shfaqje artistike, që forcojnë bashkëpunimin.
Modeli i klasave kolektive, edhe pse i detyruar nga rënia demografike, mund të kthehet në një avantazh, duke u ofruar fëmijëve një mjedis mësimi më të personalizuar dhe duke nxitur aftësi si bashkëpunimi dhe pavarësia.
Zgjedhja e strategjisë së re për arsimin parauniversitar është një moment kyç për të adresuar sfidat aktuale të sistemit, sidomos rënien demografike dhe emigracionin.
Përballë kësaj situate, në strategjinë e re të arsimit parauniversitar 2027-2032, propozimet duhet të fokusohen në forcimin e cilësisë së arsimit, përshtatjen me ndryshimet demografike dhe ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm.
1. Përqendrimi në cilësi, jo vetëm në sasi
Klasa të vogla, cilësi e lartë: Për shkak të rënies së numrit të nxënësve, mund të investohet në klasa më të vogla, duke mundësuar një qasje më të personalizuar dhe të thelluar për çdo fëmijë. Kjo do të ndihmonte në përmirësimin e rezultateve të nxënësve dhe në zbulimin e talenteve.
Aftësi për shekullin 21: Kurrikula duhet të përditësohen për të theksuar aftësi si mendimi kritik, zgjidhja e problemeve dhe digjitalizimi. Këto aftësi janë thelbësore për të përgatitur të rinjtë për tregun e punës.
2. Krijimi i një mjedisi tërheqës për mësuesit
Paga dhe status më i mirë: Për të ndaluar ikjen e mësuesve të talentuar dhe për të tërhequr breza të rinj, është thelbësore të rriten pagat dhe të përmirësohen kushtet e punës. Të sigurohet transporti i mbuluar tërësisht nga shteti si dhe shpërblime për të gjithë ata mësues që shkojnë në zonat e thella apo punojnë më klasa kolektive.
Trajnim i vazhdueshëm: Duhet të krijohen programe të detyrueshme dhe të financuara nga shteti për kualifikimin e mësuesve, sidomos për të menaxhuar klasat kolektive dhe për të përdorur teknologjinë.
Rikualifikim i mësuesve: Mësuesit që kanë mbetur pa klasa duhet të trajtohen me prioritet dhe të rikualifikohen për të mësuar lëndë të reja.
Mësuesi ndihmës për çdo klasë: Nuk e kam fjalën për mësuesin ndihmës për nxënësit me AK, por për klasën si bashkë mësues.
3. Përdorimi i teknologjisë dhe modernizimi i infrastrukturës
Platformë digjitale kombëtare: Krijimi i një platforme të vetme, e cila të ofrojë materiale mësimore digjitale, video-mësime dhe teste online për të gjitha shkollat. Kjo do të ndihmonte sidomos shkollat e vogla dhe klasat kolektive.
Qendra arsimore rajonale: Në vend që të mbyllen shkolla, mund të shndërrohen në qendra arsimore rajonale që ofrojnë mundësi për shkolla të tjera, veçanërisht në fushat e arteve, shkencës dhe sportit.
4. Qasje dhe përfshirje për të gjithë
Transport i financuar: Qeveria duhet të garantojë transport të sigurt dhe falas për fëmijët që jetojnë në zona të thella dhe u duhet të udhëtojnë larg për në shkollë.
Përfshirja e prindërve: Duhet të rritet përfshirja e prindërve në procesin arsimor, duke i bërë pjesë të vendimmarrjes në shkollë dhe duke nxitur bashkëpunimin.
Ndërsa numrat e lindjeve bien dhe shkollat heshtin, ne nuk duhet ta shohim thjesht një sfidë statistikore, por si një krizë ekzistenciale. Tkurrja e numrit të nxënësve nuk është thjesht një problem financiar, por një reflektim i drejtpërdrejtë i shpërbërjes së thelbit tonë shoqëror.
Në këtë udhëkryq historik, Ministria e Arsimit (MAS) dhe qeveria nuk duhet të shohin te rënia e numrit të nxënësve një arsye për të shkurtuar fondet. Përkundrazi, kjo është thirrja e fundit për të investuar me efikasitet dhe efektivitet. Më pak nxënës në klasa do të thotë më shumë kohë dhe resurse për çdo fëmijë, mundësia për të transformuar një arsim sasior në një arsim cilësor. Ky është shansi për të ndërtuar një sistem që nuk prodhon thjesht numra, por mendje kritike, shpirtra krijues dhe qytetarë të përgjegjshëm.
Të investosh sot në mësuesit tanë, në teknologjinë e re, në Kurrikula inovative dhe në çdo fëmijë, do të thotë të investosh në një Shqipëri që ka të ardhme. Mos e shihni këtë si një shpenzim, por si një siguri për të nesërmen. Rënia e numrit të lindjeve na jep mundësinë të ndërtojmë një arsim që është aq i mirë, kështu emigracioni nuk do të jetë më një zgjidhje e vetme. /AlbanianEducation.net