Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Nota apo Dija: Rreth vlerësimit të aftësive dhe dijes në arsimin modern
NOTA APO DIJA, dy elemente të ndërlidhura, por jo domosdoshmërisht të barabarta.
Nota – Matës i arritjeve akademike brenda një sistemi të caktuar, por nuk pasqyron gjithmonë aftësinë reale të një personi.
Dija – Pasuria e vërtetë që i mbetet një individi për gjithë jetën. Nuk kufizohet vetëm te librat, por përfshin aftësinë për të kuptuar, analizuar dhe zbatuar njohuritë në situata reale.
Në emisionin “Dimensioni 4”, në RTSH, ndoqa një diskutim interesant midis gjimnazistëve të shkollave më të mira të Tiranës. Pyetjes- “Nota apo Dija, cila vlen për ju? – të rinjtë përgjigjeshin se nota është prioritetet me sistemin e sotëm. Sipas tyre “dija” merret edhe në vende të tjera dhe shkolla nuk është më vendi ideal për të ushqyer krijimtarinë, nuk është më interesante.
A duhet të shërbejnë mesazhet e të rinjve si diskutim më i gjerë për të ndryshuar qasje rreth vlerësimit të aftësive dhe njohurive të nxënësve? A është momenti për të ndërtuar një model tjetër të vlerësimit të aftësive të nxënësve?
Në fund të fundit, notat mund të “hapin” dyer, por dija është ajo që të ndihmon të ecësh përpara. Arsimi ideal duhet të kultivojë kuriozitetin, mendimin kritik dhe aftësinë për të mësuar gjatë gjithë jetës, jo vetëm rezultate të larta në provime.
Shumë njerëz mendojnë se ka ardhur koha për një ndryshim në qasjen ndaj vlerësimit në sistemin arsimor shqiptar. Metodat tradicionale të testimit shpesh fokusohen te rikujtimi i informacionit, por nuk matin gjithmonë aftësitë e vërteta të nxënësve, si mendimi kritik, kreativiteti dhe aftësia për të zgjidhur probleme.
Reforma në vlerësimin e dijes mund të përfshijë mënyra alternative, si vlerësimi përmes projekteve, portofolit të punës, debateve, simulimeve dhe reflektimit personal. Kjo do të ndihmonte që nxënësit të mësojnë në mënyrë më domethënëse dhe të zhvillojnë aftësi që u shërbejnë përtej shkollës.
Natyrisht, çdo ndryshim kërkon investim, besim dhe përkushtim nga të gjithë – prindërit, mësuesit, politika arsimore dhe shoqëria në tërësi. Pyetja është: a është gati sistemi të bëjë këtë hap të madh?
Sot, të rinjtë kanë mundësi të mësojnë në mënyra të ndryshme, përtej mureve të klasës – përmes internetit, eksperiencave praktike, aktiviteteve sociale dhe vetë-studimit. Në këtë realitet të ri, shkolla nuk duhet të mbetet thjesht një vend ku thjesht jepen informacione, por duhet të përshtatet dhe të bëhet një udhërrëfyese e dijes.
- Në vend që të fokusohet vetëm te përmbajtja, shkolla duhet të ndihmojë nxënësit të zhvillojnë aftësi për të hulumtuar, analizuar dhe kuptuar informacionin në mënyrë kritike. Pra shkolla duhet të të mësojë nxënësit “si të mësojnë.
- Mësimi nuk duhet të jetë teorik, por i lidhur me jetën reale. Eksperimentet, projektet, studimet në terren dhe bashkëpunimi me komunitetin mund të jenë pjesë kyçe e procesit mësimor, duke lidhur teorinë me praktikën.
- Në vend të një procesi mësimor të ngurtë, shkolla duhet të krijojë një mjedis që frymëzon kuriozitetin për të stimuluar mendimin kritik, krijimtarinë dhe bashkëpunimin mes nxënësve.
- Me kaq shumë mundësi jashtë shkollës, shkolla duhet të udhëheqë nxënësit në përdorimin e duhur të burimeve online, të promovojë aftësi digjitale dhe të ndihmojë në dallimin e informacionit cilësor nga ai i pasaktë.
- Në vend që të mbështetet vetëm në provime me pyetje standarde, shkolla duhet të përdorë forma alternative vlerësimi, si projekte, prezantime, diskutime dhe reflektime që matin aftësinë për të aplikuar dijen. Pra të vlerësojë aftësitë, jo vetëm kujtesën.
Nëse shkolla arrin të përshtatet me realitetin e ri, ajo do të mbetet jo vetëm vendi ku mësohet, por një mbështetëse e jetës intelektuale dhe profesionale të nxënësve në të ardhmen.
Dija është fuqi; nota është mjet. Me dijen ne ndriçojmë mendjet tona, ndërsa nota shërben si pasaportë për të përcjellë këtë dije në suksesin e ardhshëm.
© Portali Shkollor-