Nga Fiqiri Çifliku: Ngërçi i kualifikimit të mësuesve në Shqipëri

- Advertisement5 -

Kur bishti është më i rëndë se sqepari

- paragrafi 1 -

Në Shqipëri, ligji thotë një gjë, udhëzimi thotë një tjetër, dhe mësuesi mbetet peng i një loje burokratike ku “bishti rreh sqeparin”. Do ndalem në dy probleme të cilat janë bërë lajm i ditës në mjediset arsimore.

- Advertisement - M1

1. Mungesa e licencës pengon shumë mësues të marrin pjesë në procesin e detyrueshëm të kualifikimit duke u mohuar kështu të drejtën për rritje page apo për avancim në karrierë.

Ligji 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, përcakton qartë se kualifikimi i mësuesve është një proces i bazuar në përvojë, trajnim dhe provim përfundimtar. Por udhëzimet e mëvonshme e kthejnë këtë proces në një pengmarrje administrative. Pa dorëzuar licencën, nuk mund të kualifikohesh, d.m.th. je i paligjshëm në sistem, pavarësisht sa vite mund të kesh aty. Një mësues me 15 vite përvojë, që ka formuar breza, detyrohet të dorëzojë licencën sikur të ishte një kirurg që i kërkohet të dorëzojë bisturinë për të ruajtur titullin “mjek”. Në vend që kualifikimi të jetë një proces që e lartëson figurën e mësuesit, ai kthehet në një procedurë që e vendos në pozita të pasigurta, ku çdo gjë varet nga “udhëzimi i radhës”.

Sqarimet ligjore sipas ligjit 69/2012. Neni 59, përcakton se: Kualifikimi i mësuesve bëhet përmes përvojës, trajnimit dhe provimit përfundimtar. Ligji nuk kushtëzon dorëzimin e licencës si parakusht. Po e citoj të plotë nenin 59: Kualifikimi i mësuesve.

- Advertisement - m2

1. Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë tri:

a) “Mësues i kualifikuar”;

b) “Mësues specialist”;

c) “Mësues mjeshtër”.

2. Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit. Kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Edhe neni 72, pika 5, i ligjit përmban dispozitat e fundit dhe kalimtare që rregullojnë kalimin nga kuadri i vjetër ligjor tek i riu, si dhe mbrojtjen e punonjësve ekzistues. Citoj të plotë pikën 5. Mbrojtja e mësuesve në detyrë:

Mësuesit me kontratë të përhershme dhe formim përkatës universitar ruajnë vendet e punës, por duhet t’u nënshtrohen trajnimeve për përditësimin e dijeve.

Kjo vlen edhe për mësuesit me arsim të lartë pedagogjik 3-vjeçar (para sistemit të Bolonjës) dhe ata me shkollë të mesme pedagogjike ose artistike që kanë fituar të tria shkallët e kualifikimit.

Ndërkohë, udhëzimi nr. 17, datë 22.7.2024, “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të punonjësve arsimor”, i ndryshuar, përcakton kriteret e pranimit për kualifikim, por në asnjë rast nuk përmend dorëzimin e licencës si kusht për t’u pranuar në procesin e kualifikimit. Nëse kjo praktikë zbatohet kështu, krijohet pasiguri juridike për punonjësit me kontratë punë pa afat në sistem.

Neni 6, Kriteret e pranimit për kategoritë e kualifikimit

1. Kandidatët për kualifikim (kandidatët) janë punonjësit e institucioneve arsimore parauniversitare publike dhe private, të cilët kanë diplomë në fushën e mësuesisë ose zotërojnë diploma të arsimit të lartë të ciklit të parë dhe të dytë ose të barasvlershme me to, të ngjashme ose të përafërta me fushën përkatëse të mësimdhënies në arsimin parauniversitar, si dhe kandidatët që japin lëndët e muzikës, të arteve pamore, kërcimit dhe edukimi fizik.

2. Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen detyrimisht të gjithë mësuesit, të cilët, deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës, plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim:

2. Përjashtimi nga gara i mësuesve të certifikuar nga Shkolla e Drejtorëve me arsyetimin se nuk plotësojnë kriteret e nenit 57 pika 3 të ligjit 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Kur kriteret për drejtorë shkolle reduktohen në “numra kreditesh” dhe jo në ekspertizë, rrezikojmë të kemi administratorë të mirë letrash, por jo liderë arsimorë. Ligji thotë: “Mësuesi duhet të jetë i kualifikuar dhe i certifikuar për t’u bërë drejtor.” Udhëzimi shton si pa të keq: “Pa 120 kredite, je askush.” Kështu, përvoja, doktoratat, madje edhe misionet në Mars, nuk vlejnë përballë një dosjeje plastike me kuponë kreditesh.

Sqarimet ligjore sipas ligji 69/2012. Neni 55, pika 3 e thotë qartë: Kandidati për drejtor duhet të ketë kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe certifikatën e drejtuesit. Siç shihet ligji nuk përmend në asnjë rast kredite numerike si kusht për të konkurruar dhe emëruar drejtor i institucionit arsimor.

“Nenin 55, Emërimi, ulja në detyrë, pezullimi dhe shkarkimi i drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar, pika 3. “Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe të jetë i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar.

Pika 10 e këtij neni flet vetëm për rregulla dhe procedura. Në asnjë rast, për kritere sipas dëshirës së atyre që i kanë shkruar nenin 2 në kundërshtim me ligjin. – “10. Rregullat dhe procedurat për emërimin, uljen në detyrë, pezullimin dhe shkarkimin e drejtorit dhe nëndrejtorit të institucionit përcaktohen me udhëzim të ministrit.”

Udhëzimi 22/2023, në nenin 2, shton kritere që ligji nuk i njeh, duke dalë mbi të. Po e citoj të plotë nenin 2: “Kandidati për drejtor apo nëndrejtor i IPAP-së duhet të plotësojë kushtet si vijon: a) të zotërojë arsimim si mësues, sipas përcaktimeve në nenin 57, të ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Kur udhëzimi shton kritere që ligji nuk i njeh, ai pushon së qeni një mjet ndihmës për zbatimin e ligjit dhe kthehet në një barrierë të jashtëligjshme. Kjo krijon pasiguri juridike ku mësuesi, edhe pse i plotëson kushtet e “Mbretit” (Ligjit), mbetet në dorë të “Vezirit” (Udhëzimit).

Pra, ligji në të dy rastet është i qartë. Kualifikimi i mësuesve bazohen në përvojë, trajnim dhe certifikim dhe emërimi i drejtorëve kryhet për çdo mësues që është ka marrë edhe certifikatën e shkollës së drejtorëve. Udhëzimet, duke shtuar kushte të pa parashikuara, krijojnë një ngërç absurd ku mësuesi mbetet peng i burokracisë.

Në këtë teatër absurd, bishti (Udhëzimi) ka marrë përmasa gjigante. Ai zë gjithë skenën, ndërsa sqepari (Ligji) rri në qoshe i habitur