Shëndeti i fëmijëve është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e një shoqërie. Mund ta shohim si një paradhomë ku përgatiten gjeneratat e reja për të hyrë në jetën e plotë, me energji, dije dhe aftësi për të kontribuar.
Fëmijëria është periudha ku formohen sistemet kryesore të trupit dhe mendjes. Çdo mangësi në ushqyerje, kujdes shëndetësor apo mbështetje emocionale lë gjurmë afatgjata. Kujdesi i hershëm shëndetësor shmang probleme të rënda në të ardhmen, duke ulur kostot sociale dhe ekonomike.
Një shoqëri me fëmijë të shëndetshëm investon në një forcë pune të ardhshme më produktive, më kreative dhe më të qëndrueshme. Shkollat dhe kopshtet nuk janë vetëm vende mësimi, por edhe hapësira ku fëmijët mësojnë zakone të shëndetshme për ushqyerje të balancuar, aktivitet fizik, higjienë dhe kujdes për mirëqenien mendore.
Kjo ka qenë një nga arsyet përse kam hartuar dhe kryer një pyetsor që lidhet direkt më shëndetin dhe shkollën. Më poshtë do të gjeni një interpretim të detajuar të rezultateve të pyetësorit bazuar në përgjigjet e dhëna në mënyrë anonime, i cili nxjerr në pah nevojën urgjente për ndërhyrje në sistemin shëndetësor shkollor.
Sa i takon perceptimit të situatës aktuale, ekziston një kontrast i fortë midis asaj që pritet dhe asaj që ofrohet. Pjesëmarrësit e vlerësojnë shëndetin në shkollë me një notë pothuajse maksimale (4.79 nga 5). Pothuajse 90% e të anketuarve e vlerësojnë me “5” (shumë të rëndësishme). Nga ana tjetër, 85.2 % e të anketuarve mendojnë se shkollat aktuale nuk kanë mbështetje të mjaftueshme. Ky është një sinjal i qartë se mësuesit dhe nxënësit ndihen plotësisht të mbështetur përballë sfidave shëndetësore. Ky rezultat nuk duhet nënvlerësuar, por duhet adresuar me kujdes, pasi evidenton një “hendek” mes nevojës dhe realitetit. Mësuesit ndihen të pambështetur dhe kjo pyetje vërteton se infrastruktura aktuale (mjek/infermier/punonjës i SHPS) ose mungon, ose nuk është efektive.
Nga përgjigjet e pyetjeve të hapura, shqetësimet mund të kategorizohen në dy shtylla:
Shëndeti mendor dhe sjellja që lidhen me ankthin, stresin nga ngarkesa, bullizmi, agresiviteti dhe mungesa e përqendrimit. Ndër përgjigjet përmendet shpesh “hiperaktiviteti” dhe “mungesa e empatisë”.
Problemet fizike si mbipesha (obeziteti) nga kequshqyerja, problemet e shikimit dhe të shtyllës kurrizore (skolioza) si pasojë e përdorimit të tepërt të telefonave dhe çantave të rënda.
Nëse i grupojmë përgjigjet për pyetjen: “Cilat probleme shfaqen më shpesh?”, vërejmë se janë identifikuar këto pika kritike:
Kriza e moshës dhe autoriteti e cila evidentohet me përgjigje si “mungesa e etikës”, “fjalori banal” dhe “sjellje arogante”. Kjo tregon se problemet e shëndetit social janë të lidhura ngushtë me edukatën e sjelljes.
Përmenden problemet e shikimit, gjumit dhe skolioza që lidhen direkt me telefonat, si dhe epilepsia, diabeti apo alergjitë, për të cilat mësuesit thonë se nuk kanë informacion dhe ndihen të frikësuar në rast emergjence.
Komentuesit e lidhin jetën e shëndetshme me ekonomia dhe varfërinë: “Varfëria i detyron të ushqehen me brumëra”. Obeziteti nga fast-food-et dhe përdorimi i pijeve energjike. Kjo tregon se shëndeti në shkollë është i lidhur me statusin ekonomik të familjeve.
Mjedisi social ka ndikim të jashtëzakonshëm duke ndikuar tek përdorimi i duhanit, pijeve energjike dhe substancave të tjera që në mosha të vogla.
Për pyetjen nëse do të ishte i dobishëm një person i dedikuar për koordinimin e shëndetit në çdo shkollë, 97.4 % përgjigjen se ky pozicion është i dobishëm.
Shumica e të anketuarve (67.3%) mendojnë se suksesi i këtij roli do të matet me “Më shumë mirëqenie”. Kjo tregon se publiku nuk kërkon vetëm një person që jep barna, por një figurë që përmirëson klimën psiko-sociale të shkollës.
Suksesi nuk pritet të jetë vetëm statistikor (p.sh. më pak mungesa), por emocional. Një shkollë ku nxënësit ndihen të sigurt, të dëgjuar dhe të ushqyer mirë konsiderohet suksesi i vërtetë. Pjesëmarrësit theksuan se suksesi matet me “ndryshimin e mendësisë” dhe krijimin e një brezi që di të kujdeset për veten. Në këtë kuptim është theksuar se:
Suksesi do të ishte nëse nxënësit ndalojnë blerjen e ushqimeve të dëmshme jashtë shkollës.
Suksesi matet nëse nxënësi shkon vetë te koordinatori për të treguar një problem (psh. bullizmin ose një shqetësim shëndetësor) pa pasur frikë.
Matet me numrin e rasteve që koordinatori zbulon dhe i dërgon te mjeku specialist përpara se problemi të bëhet kronik.
Pyetësori ka sjellë dhe disa reagime në lidhje me pritshmëritë nga koordinatori të cilat po i grupoj sipas kategorive:
Për nxënësit si përfituesit direktë të ndihmës së parë dhe edukimit. Koordinatori pritet të bëjë atë që mësuesi nuk mundet: të dallojë shenjat e hershme të një depresioni, të një deformimi fizik ose të një varësie nga substancat.
Për mësuesit dhe stafin “lehtësim barre”. Ata aktualisht mbajnë përgjegjësi për incidente shëndetësore për të cilat nuk janë trajnuar. Koordinatori shihet si një këshillues që u tregon mësuesve si të sillen me nxënësit “problematikë” dhe si të menaxhojnë stresin e tyre profesional.
Për prindërit dhe komunitetin, koordinatori shihet si një urë lidhëse. Prindërit shpesh e kanë të vështirë të pranojnë problemet e fëmijëve (sidomos ato mendore). Një specialist shëndeti ka më shumë autoritet t’u mbushë mendjen prindërve për konsulta mjekësore sesa një mësues.
Nuk kanë munguar komentet kritike për rolin e koordinatorit duke kërkuar që ky pozicion të mos jetë thjesht formalitet. Ka një thirrje të fortë që ky rol të mos jetë “një emër në listë”, “që vijnë vetëm për të firmosur” ose “Kola doli në punë”. (siç perceptohen ndonjëherë për koordinatorët e cilësisë, qeverisë së nxënësve apo ata të karrierës), por të ketë qasje reale dhe përkushtim. Kjo do të thotë se komuniteti kërkon një person operativ, jo thjesht një administrator zyre.
U vu re se shkolla e ka të vështirë të ndërhyjë kur prindërit nuk bashkëpunojnë ose fshehin diagnozat e fëmijëve duke u fokusuar tek kriza e familjes. Disa përgjigje sugjerojnë që shkolla duhet të ketë autoritet t’i detyrojë prindërit të çojnë fëmijën te specialisti nëse koordinatori vëren një problem.
Janë përmendur gjithshtu edhe nevojat teknik apo për pajisje bazë për kutinë e ndihmës së shpejtë në shkolla
Roli i Koordinatori të Shëndeti në shkolla vlerësohet i dobishëm nga 98.1% të të anketuarve. Ky rezultat tregon një pranim masiv të figurës së re profesionale. Nuk është thjesht një dëshirë, por shihet si një domosdoshmëri për të menaxhuar gjithë problematikat e mësipërme që aktualisht mbeten pa zot.
Si përfundim, rezultatet e pyetësorit dëshmojnë se shkolla shqiptare po përballet me një krizë të mirëqenies. Mësuesit janë të mbingarkuar, duke bërë rolin e “mjekut, policit dhe psikologut” njëkohësisht, ndërsa nxënësit shfaqin shenja të qarta të stresit mendor dhe problemeve fizike nga stili i jetesës. Figura e Koordinatorit të Shëndetit shihet si “pika e takimit” që do të profesionalizonte kujdesin dhe do të rriste sigurinë në shkollë, do të pakësonte incidentet dhe do të edukonte një brez më të shëndetshëm fizikisht dhe mendor.