Nëse arsimi trajtohet si shërbim, nxënësi bëhet klient, atëherë fenomenet negative dhe ankesat do përshfaqen në çdo formë të mundshme.
Me të drejtë dikush më shkruan i çuditur për një nga kriteret për të qenë Drejtor i Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, sidomos kërkesat e posaçme:
-Të ketë mbaruar arsimin e lartë në shkencat shoqërore, ekonomike, natyrore ose juridike.
-Të ketë jo më pak se 5 vjet përvojë pune në administratën publike, institucionet arsimore ose projekte në fushën e edukimit.
Mendoj se kemi bërë hapa pas në përzgjedhjen e drejtuesve të arsimit. Aq sa më duket sikur po e shohim arsimin si shërbim për klientët dhe kemi harruar se është e mira publike më e rëndësishme për një komb.
Dikur të ishe punonjës i zyrës arsimore duhet të ishe mësues, të kishe:
-të paktën 5 vite punë në arsim, -shkallën e III të kualifikimit, -rezultat i kualifikimit mirë/shumë mirë.
Ky ndryshim i logjikës dhe kritereve së përzgjedhjes së drejtuesve dhe punonjësve të ZVPA/DRAP/AKAP, nga “mësues i kualifikuar” tek “administrator ” e zhvendos theksin nga përvoja pedagogjike tek aftësia menaxheriale.
Kriteret e përzgjedhjes po i afrohen modelit të menaxhimit të shërbimeve, jo modelit të formimit të brezave.
Nëse arsimi shihet si themeli i një kombi, atëherë drejtuesit e institucioneve që menaxhojnë arsimin duhet të jenë njerëz që e kanë jetuar klasën, kanë kaluar nëpër sfidat e mësimdhënies dhe e kuptojnë më së miri arsimin duke e parë jo si shërbim, por si mision.
Në sistemin arsimor ne kemi rreth 25 mijë mësues. Nuk e dyshoj aspak se gjenden ndër ta, 60 burra dhe gra të shkëlqyer që mund të menaxhojmë me dinjitet arsimin, pa lejuar që të lëviz nga shinat.
Kjo vjen si një thirrje për vendimmarrësit e sotëm. Ta shohin arsimin si djepin e edukimit, kulturës, shkencës. Vetëm atëherë do të jemi të sigurt se nxënësi do të bëhet qytetar i një shoqërie demokratike, ashtu sikundër kemi vizionin tonë, për Shqipërinë në Evropë.