Nga Fiqiri Çifliku: Mësuesja nuk mund të zgjedhë nxënës për të kontrolluar detyrat e shokëve të tjerë

- Advertisement -

Në klasën e tretë, mësuesja organizon lojën me role: “Sot, drejtësia është në duart tuaja!”. Tre prej nxënësve më të mirë, përzgjidhen të luajnë rolin e gjykatësit. Njëri thotë: “Gabim e ke bërë, shoku im!” Tjetri shton: “Do ta hedhim edhe në SMIP!” Ndërsa mësuesja, e qetë, buzëqesh: “Shikoni si lulëzon bashkëpunimi!”

- paragrafi 1 -

Por në fakt, ky është si një teatër i hidhur ku nxënësve u mësohet si të bëhen burokratë të vegjël, ndërkohë që autoriteti i mësuesit shkërrmoqet si shkumësi i bardhë mbi dërrasë të zezë.

- Advertisement -

Në fakt ngjarjen reale, jo fiks kështu, ca më keq, ku mësuesja cakton nxënësit të kontrollojnë detyrat e shokëve nuk do e konsideroja lojë mësimore. Ka edhe më keq, kur caktohen nxënës të plotësojnë edhe SMIP, apo dokumente të tjerë për të cilët autoriteti i vetëm është mësuesi (nuk po ndalem tek kjo e fundit, se kemi të bëjmë me shkelje ligjore të pastër dhe të dënueshme.)

“A është e lejueshme që mesuesja të zgjedhë një, dy, apo 3 nxënës (klasa 1-5) që t’ua kontrollojnë detyrat nxenësve të tjerë?” – ka qenë shqetësimi i prindit.

Jo, nuk është e parashikuar askund që nxënësit të kontrollojnë detyrat e njëri-tjetrit në vend të mësuesit. Vlerësimi i detyrave dhe arritjeve të nxënësve është përgjegjësi ligjore dhe profesionale e mësuesit, jo e nxënësve.

- Advertisement -

– Ligji “Për sistemin arsimor parauniversitar”, udhëzimet dhe rregulloret e miratuara nga Ministria e Arsimit përcaktojnë qartë, në frymë dhe në germë, se mësuesi është përgjegjës për vlerësimin e arritjeve të nxënësve.

– Nxënësit kanë të drejtë të marrin shërbim arsimor cilësor dhe të informohen për format e vlerësimit, por nuk kanë detyrë të kontrollojnë detyrat e shokëve të klasës.

– Kontrolli i detyrave është pjesë e procesit të vlerësimit formal dhe jo një aktivitet që mund t’i delegohet nxënësve, pasi lidhet me objektivitetin, barazinë dhe përgjegjësinë profesionale të mësuesit.

Dikush mund të pyesë po pse nuk lejohet, ç’të keqe ka?

Nuk mund të lejohet kurrësesi sepse vetëm mësuesi ka kompetencën për të vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Kontrolli i detyrave është edhe mjet për të kuptuar nevojat individuale të nxënësit, gjë që vetëm mësuesi mund ta bëjë.

Rezultatet e nxënësve janë zyrtare, të rëndësishme dhe nuk mund të varen nga gjykimi i fëmijëve. Nxënësit nuk duhet të ndihen të gjykuar nga bashkëmoshatarët, pasi kjo mund të krijojë presion social, pakënaqësi ose padrejtësi.

Sigurisht që mësuesja ka ç’të bëjë ligjërisht. Mund të organizojë punë në grup. Nxënësit mund të ndihmojnë njëri tjetrin në formë bashkëpunimi, duke diskutuar detyrat ose duke dhënë sugjerime për njëri-tjetrin në kuadër të roleve që i ndajnë vetë brenda grupit. Nxënësit mund të ndihmojnë në shpërndarjen e fletëve, mbledhjen e detyrave, por jo në vlerësimin e tyre.

Mësuesja mund të organizojë aktivitete ku nxënësit reflektojnë mbi punën e tyre ose japin komente mbi punën e shokëve, por këto duhen trajtuar me kujdes dhe nuk zëvendësojnë kontrollin dhe vlerësimin e mësuesit.

Pra, mësuesja nuk mund të zgjedhë nxënës për të kontrolluar detyrat e shokëve të tjerë.

Ajo mund ta përdorë këtë si metodë bashkëpunimi ose lojë edukative, por përgjegjësia ligjore dhe profesionale për kontrollin dhe vlerësimin mbetet vetëm tek mësuesja.

*Autori është ekspert i arsimit në Shqipëri

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara